Fokus

Ekskluzive: “Z-mobile” lë pa paga punëtorët e Telekomit dhe Postës së Kosovës

Autori: H. Smajli 12:00 | 15 January 2021

Telekomi i Kosovës i ka paguar të premten 740 mijë euro Z Mobile-it, në bazë të marrëveshjes që u “garantua” nga vetë Qeveria Hoti.

Por nuk mjafton me kaq. Telekomi këtë shifër do ti paguajë Z Mobile-it, çdo muaj nga data e sotme, për dy vitet e ardhshme, shkruan Gazeta inFokus.

Kështu kjo pagesë e marrëveshjes së Telekomit me Devollët, ka lënë pa paga një pjesë të punëtorëve të Telekomit dhe Postës së Kosovës.

-Advertisement-

Punëtorët e këtyre dy ndërmarrjeve nuk kanë marrë ende as pagat e dhjetorit, e me pagesën e sotme dhe detajet e marrëveshjes një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në muajt në vijim.

Kjo për faktin se prej këtij muaji, saktësisht prej datës 15 janar 2021 dhe për dy vitet e ardhshme, Telekomi obligohet të paguajë çdo muaj këstin prej 740 mijë euro për Z Mobile, në bazë të marrëveshjes të “imponuar” nga Qeveria Hoti, edhe pse u kundërshtua nga menaxhmenti i Telekomit sipas të cilëve kjo është një barrë e madhe financiare dhe nuk mund të përballohet në një afat kaq të shkurtër kohor, pra për dy vite.

Muhamet Xhemajli, Kryetar i Sindikatës Profesionale të Telekomit të Kosovës, kishte deklaruar se qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se prioritet i ka Devollët dhe jo kompanitë publike.

“Tashmë është e qartë se prioritet i Qeverisë është Devolli dhe jo kompanitë publike të cilat po falimentojnë me bekimin dhe para syve të Aksionarit”, kishte pohuar Xhemajli.

Sipas tij, kryeministri Hoti dhe ish-ministri Kuçi përveç që nuk e kanë mbajtur zotimin e tyre publik, ata kanë vazhduar së injoruari çdo kërkesë të Telekomit për mbështetje, madje duke bllokuar dhe duke mos qenë as garantues i ndonjë huaje apo kredie, barrë kjo që e obligon Aksionarin bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

“Nëse dikush ka kontribuar në degradim ekstrem të Telekomit, sidomos në kushtet e pandemisë, është vetë Aksionari dhe përgjegjësia bie direkt mbi të”, tha Xhemajli duke paralajmëruar një revoltë të thellë të punëtorëve të Telekomit, në rast se nuk ndryshon kjo qasje e Qeverisë që favorizon Devollët, që detyron Telekomin t’ia paguajë 740 mijë euro Z Mobile dhe kështu të shkel me të dy këmbët premtimet e veta.

Kujtojmë se një marrëveshje të tillë Telekomi dhe Z Mobile e arritën afro një muaj pasi këta të fundit kishin bllokuar xhirollogaritë e kësaj ndërmarrjeje dhe qeveria doli garantues për këtë marrëveshje, të cilën nuk e bënë asnjëherë publike./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera