Fokus

Ekskluzive: “Trepçës” pritet t’i ndahen 1 milionë euro

Autori: Gazeta inFokus 14:55 | 16 November 2020

Një vendim për apo kundër i ministrave të qeverisë Hoti pritet të ndihmoj ndërmarrjen “Trepça” të dal nga kriza e rënduar financiare.

Aktualisht kabineti Hoti në distancë po diskuton e më pas pritet të marr edhe vendim nëse do të ndihmojë këtë ndërmarrje me një shumë prej një milionë euro.

Para vete ministrat kanë propozim vendimin i cili i mundëson qeverisë alokimin e një milionë eurove për këtë ndërmarrje.

“1.2. Mjetet në shumë prej një milionë euro të rikthyera sipas pikës 1.1 të këtij vendimi, nga programi i rimëkëmbjes ekonomike…, kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, transferohen në  Ministrinë e Ekonomisë Ambientit, në nën programin Njësia për Politika dhe monitorim të ndërmarrjeve Publike, kategoria e shpenzimeve “subvencione dhe Transfere”.

1.3. Mjetet nga Pika 1.2 e këtij vendimi i alokohen dhe shfrytëzohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për mbështetjen e N.P. :”Trepça””, thuhet në Propozim-Vendimin e qeverisë që pritet të miratohet.

Minatorët e “Trepçës” në Stantërg dhe Kishnicë që nga 10 nëntori janë në grevë për shkak të mos marrjes së pagave për muajin e kaluar.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, ka thënë se punëtorët e Trepçës që kanë punuar gjatë gjithë kohës së pandemisë kanë qenë të rrezikuar, por një gjë të tillë e kanë bërë për të mos e ndalë prodhimin.

“Arsyeja e grevës është paga, pasi nuk janë paguar pagat për muajin e kaluar. Të gjithë kanë hyrë në grevë dhe kanë kërkuar prej kryeshefit dhe Qeverisë së Kosovës që të bëjnë një zgjidhje. Ne si sindikatë dhe punëtorë e kemi ditur që jemi në krizë për shkak se pandemia na ka goditur, por nëse krahasohet nëntëmujori i vitit të kaluar dhe ai i vitit 2020 del se plani është realizuar për 28 për qind më shumë. Kemi punëtorë deri në moshën 64 vjeçare që punojnë punë të rënda, sepse për shkak të specifikës së punës ne nuk mund të punojmë pa njëri-tjetrin. Kemi punuar pa mjete mbrojtëse dhe pa u testuar, pra të rrezikuar kemi qenë të gjithë, por nuk e kemi ndalur prodhimin për të mos kërkuar lëmoshë nga askush”. ka deklaruar Osmani./Gazeta Infokus/ 

Të tjera