Fokus

Ekskluzive/ “Ofertë tërheqëse nga BE-ja”: Deputeti gjerman flet për takimin në Ohër, a pritet të ketë një marrëveshje finale Kosovë – Serbi?

Autori: H.Smajli 18:04 | 17 March 2023

“BE-ja të ketë një ofertë më tërheqëse për Kosovën dhe Serbinë” në mënyrë që të pranohet plani franko – gjerman, e të arrihet një marrëveshje në mes të dy shteteve. Kështu e sheh situatën e dialogut me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham.

Ai në një intervistë ekskluzive për Gazetën Infokus ka treguar se çfarë pret nga takimi i nesërm në Ohër në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të BE-së dhe a pritet të ketë një marrëveshje.

Abraham ka shtuar se kjo mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë mirëpo vetëm në rast se BE-ja i jep një ofertë më tërheqëse Kosovës dhe Serbisë siç do të ishte integrimi në tregun e BE-së.

-Advertisement-

“Nëse marrëveshja lidhet me një ofertë tërheqëse nga BE-ja – siç është integrimi në tregun e vetëm të BE-së – atëherë do të ishte e dobishme që ta pranojnë edhe Serbia edhe Kosova. Shpresoj që kjo mundësi vendimtare të mos humbasë”, ka thënë ai.

Deputeti gjerman, Knut Abraham

Por si do të dukej kjo ofertë sipas deputetit gjerman, një të cilën nuk do të mund të refuzonin as Kosova dhe as Serbia?

“Një mënyrë për ta bërë këtë është që Këshilli Evropian t’i ofrojë Kosovës dhe Serbisë një rrugë të integrimit në tregun e vetëm të BE-së, me kusht që ato të përmbushin standardet e vlerësuara në raportet e Komisionit Evropian për gatishmërinë. Kjo kërkon një përafrim real në kapituj, bazat e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Integrimi në tregun e vetëm të BE-së do të ishte tërheqës për të dy vendet dhe do të krijonte një levë tani për t’i bërë të dyja palët të pranojnë marrëveshjen. Ajo gjithashtu do të rivendoste ndikimin e BE-së që një marrëveshje e tillë të zbatohet, do të përshpejtonte potencialin për reforma që kanë ngecur në vitet e fundit dhe do të ishte një përgjigje e besueshme dhe realiste ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Do të bënte të mundur një përparim historik në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shtetet anëtare të BE-së mund ta ankorojnë këtë ofertë në një nga konkluzionet e ardhshme të Këshillit”, ka deklaruar deputeti i Bundestagut gjerman.

Derisa për asociacionin e komunave me shumicë serbe ai ka deklaruar se kjo tashmë është një marrëveshje e nënshkruar qysh në vitin 2023 dhe është në interesin e Kosovës që ta zbatojë atë.

“Për më tepër, asociacioni i komunave me shumicë serbe ishte tashmë një element i Marrëveshjes së parë të Brukselit në vitin 2013. Është në interesin e Kosovës që të mbrohen serbët dhe pakicat e tjera. Shumë nga këto janë tashmë në kushtetutë. Është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë serbët e Kosovës, që Kosova të jetë funksionale. Dhe se të drejtat e gjera të pakicave të respektohen. Në këtë këndvështrim, unë gjithashtu shpresoj se Kosova së shpejti do të bëjë përparim drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Pastaj Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund t’i sigurojë minoritetit serb mbrojtje shtesë të të drejtave të tyre”, shtoi deputeti Abraham për Gazetën Infokus.

Ai tregon edhe pse takimi i 27 shkurtit në Bruksel nuk pati rezultat duke vlerësuar faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin e BE-së.

“Nuk pati rezultate konkrete nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel. Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell deklaroi se “të dy liderët ranë dakord se nuk nevojiten më diskutime për propozimin e Bashkimit Evropian”, ai nuk u nënshkrua zyrtarisht. Është shumë pozitive që Presidenti Kurti ishte i gatshëm të nënshkruante atë ditë. Megjithatë, nënshkrimi i marrëveshjes nuk mjafton nëse nuk zbatohet. Dhjetë vjet më parë, më 19 prill 2013, në kuadër të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja, kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi nënshkruan Marrëveshjen e Parë të Brukselit. Ky ndryshim apo nënshkrim i marrëveshjes u bë i mundur sepse BE-ja bëri oferta të besueshme për secilën palë”, ka thënë ai.

A mund të nënshkruhet një marrëveshje historike të shtunën në Ohër?

“Nënshkrimi i marrëveshjes në prill 2013 ishte kusht që Këshilli Evropian të fillonte bisedimet e anëtarësimit me Serbinë në qershor 2013 dhe të niste negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Megjithatë, një dekadë më vonë, pjesë të këtyre marrëveshjeve – përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë – nuk u zbatuan kurrë. Pjesët tjera u zbatuan, por më pas u shembën përsëri, kur në nëntor 2022, shumica e serbëve të Kosovës u tërhoqën nga institucionet e Kosovës. Prandaj është e paqartë se çfarë do të ndodhë dhe nëse një marrëveshje e re do të zbatohet. Sidomos, pasi këtë herë nuk ka oferta të besueshme nga BE-ja”, ka thënë deputeti gjerman.

Ai e quan një “ngërç të rrezikshëm” ngrirjen e procesin të anëtarësimit në BE për Serbinë dhe Kosovën mirëpo për shkak të kësaj edhe nëse arrihet një marrëveshje në Ohër mbetet në pikëpyetje nëse do të zbatohet.

“Sot jemi në një situatë ku rruga e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë është de-fakto e ngrirë. Serbia është e bllokuar dhe Kosova nuk është as pjesë e procesit. Ky është një ngërç i rrezikshëm. Kjo është arsyeja pse në shtator 2022, në dritën e tensioneve në rritje, Franca dhe Gjermania propozuan një “marrëveshje historike në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Marrëveshja përmban shumë pika të rëndësishme si “paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e kombëtares”. Megjithatë, pyetja e madhe është, a do të arrihet nesër në Ohër një marrëveshje dhe plan zbatimi dhe a do të zbatohet në muajt në vijim. Që kjo të ndodhë, BE-ja duhet të bëjë një ofertë konkrete për avancimin e integrimit të bazuar në merita si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, e cila do të ishte optimale për të dyja vendet. Ashtu si në vitin 2013, një ofertë e besueshme dhe tërheqëse nga BE-ja, mund t’i detyronte të dyja vendet të mbështesin një marrëveshje të tillë”, ka thënë ai.

Për fund, deputeti gjerman ka thënë se nuk është i rëndësishëm deklarimi publik i Vuciq që të bllokojë integrimin e Kosovës në OKB, përderisa ai në Bruksel zotohet të bëjë të kundërtën.

“Në deklaratën e tij për shtyp më 27 shkurt, Josep Borell deklaroi se “marrëveshja mund të jetë gjithashtu baza për të ndërtuar besimin shumë të nevojshëm dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”. Besimi i ndërsjellë është vendimtar. Prandaj, nuk është e dobishme nëse presidenti i Serbisë Vuçiq deklaron publikisht se do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, ndërsa zotohet të bëjë të kundërtën në Bruksel”, ka thënë ai.

“Siç tha me të drejtë Kryeministri Kurti, ‘Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë me mirëbesim’ përfundon deputeti i Bundestagut gjerman./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera