Fokus

Ekskluzive: Në Kosovë mbërrijnë 120 ftesa nga Gjykata Speciale

Autori: Sylejman Sylejmani 12:52 | 17 December 2018

Më shumë se 120 ftesa kanë mbërritur në Kosovë nga Gjykata Speciale.

Ish-komandantë, ushtarakë, e shumë të tjerë që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më së largu deri me 31 dhjetor të këtij viti do të marrin urdhër për t’u paraqitur në Hagë, shkruan Gazeta inFokus.

“Ftesat të gjithëve do t’u shpërndahen këtë vit”, i ka thënë gazetës një zyrtarë shtetëror në kushte anonimiteti.

-Advertisement-

Sipas burimeve të gazetës inFokus, pjesë e kësaj liste të gjatë janë shumë prej krerëve të lartë të UÇK-së, nga të gjitha zonat e Kosovës.

Disa prej tyre tashmë i kanë marrë ftesat, e të tjerët kryesisht nga Rrafshi i Kosovës dhe Dukagjinit pritet që ato t’i pranojnë në ditët në vijim.

Avokatët e licencuar për të mbrojtur raste në Gjykatën Speciale, të kontaktuar nga Gazeta inFokus dëshirojnë të flasin vetëm për klientët e vet.

Megjithatë, nuk habiten nëse numri i të ftuarve nga Specialja mund të jetë kaq i madh, pasi nuk dihet se sa persona do të ftohen.

Avokati Tahir Rrecaj thotë se klienti i tij, Nazif Mehmeti do të intervistohet në datat 22, 23 dhe 24 janar të vitit 2019.

Por, Rrecaj akoma nuk e di se në çfarë cilësie është ftuar klienti i tij, si i dyshuar apo si dëshmitar.

“Nuk e dimë se në çfarë cilësie akoma është thirrur. Nuk e dimë se për cilat raste eventualisht mund të jetë i dyshuar. Realisht është dashtë të dihet edhe cilësia, statusi i personit i cili ftohet. A është i dyshuar, apo çka, por sidoqoftë këtë informacion do ta marrim ose para ditës së intervistës ose në ditën e intervistimit, por tash për tash nuk e kemi të ditur”, ka thënë Rrecaj për Gazetën inFokus.

Ai shprehet i habitur se si një institucion siç është prokuroria bënë thirrje të tilla, pa e përcaktuar statusin e personit.

Kjo sipas tij është hera e parë që ndodhë diçka e tillë.

Avokati tjetër që do të mbrojë raste në këtë gjykatë e cila do të gjykojë nëse UÇK-ja ka kryer krime, Tomë Gashi thotë se pret që gjykimet të fillojnë shumë shpejt.

“Përveç këtyre që janë bërë publik unë besoj që nuk mund të jap afate deri kah viti i ri që do të bëhen publike këto ftesa, por mund të themi që jemi në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, edhe pse prokuroria tashmë ka filluar duke i bërë publike dhe duke filluar edhe intervistimin. Gjykimet e para mund të fillojnë gjatë vitit të ardhshëm, gjatë vitit 2019, për shkak se është e pamundur që tash të organizohen gjykimet”, ka thënë Gashi për inFokus.

Ai ka theksuar se përveç ndonjë dëshmitari të profilit të lartë, dëshmitarët e rëndomtë nuk do të bëhen publik, për shkak të ndjesisë së procesit.

Ish komandantët Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa – Remi, Nazif Mehmeti – Dini, e ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna janë ftuar nga kjo Gjykatë tashmë.

Akoma nuk është qartësuar nëse këta persona janë intervistuar si dëshmitarë, apo si të akuzuar. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera