Fokus

Ekskluzive| Kur kalon afati i Thaçit për Kurtin, e çka ndodhë nëse nuk respektohet?

Autori: Halil Berisha 10:24 | 08 January 2020

Me 6 janar, pas tri ftesave, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me kryetarin e partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurtin.

Por, takimi zgjati vetëm pak minuta, shkruan gazeta inFokus.

Pas kësaj, Albin Kurti, tha që ishte vetëm takim konsultativ e jo me efekte juridike, duke bërë të qartë se nuk është propozuar mandatari për formimin e Qeverisë.

-Advertisement-

Në anën tjetër, Presidenti Hashim Thaçi, nëpërmjet një statusi tha që në fakt, i ka dhënë kohë 48 orë Albin Kurtit, që të propozoj mandatarin ose mandataren për të formuar Qeverinë.

Por, kur kalon ky afat, e çka në fakt bëhet nëse nuk respektohet e nuk propozohet mandatari?

Burime të Gazetës inFokus, kanë treguar se afati përfundon në ora 24:00 të kësaj të mërkure.

Ndërsa, po këto burime të sigurta, i kanë thënë Gazetës inFokus, se nëse nuk respektohet afati kohor, e nuk propozohet mandatari nga partia fituese, këtë gjë do mund ta bëj Hashim Thaçi.

Sipas këtyre burimeve, Thaçi mund ta mandatoj Albin Kurtin për ta formuar Qeverinë, kjo edhe pse nuk është e specifikuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se çka ndodhë nëse partia fituese nuk propozon mandatar.

E sipas këtyre burimeve, propozimi i Thaçit për të mandatuar Kurtin, bëhet pasi vet Kurti, si fitues i zgjedhjeve, e si kandidat për kryeministër nga Vetëvendosje, që doli parti fituese, në disa dalje publike e ka cilësuar vetën si shef qeverie.

Në fakt, në këtë aspekt e ka cilësuar vetën edhe në video-mesazhin kur propozoi 5 ministrat nga partia e tij e një zëvendëskryeministër, shkruan gazeta inFokus.

Ndërsa, ndër rastet e tjera, Kurti, edhe kur e pati refuzuar një ftesë të Hashim Thaçit për takim, pati thënë që krerët shtetëror nuk mund të takohen kështu brenda dite kur nuk ka raste emergjente.

Në këtë rast, edhe pse ende nuk ka ndonjë pozitë shtetërore, vetës Kurti i ishte referuar si i tillë, derisa në shumë raste edhe i kishte thënë vetës Kryeministër i Kosovës.

Andaj, si duket, e siç i tregojnë këto burime Gazetës inFokus, këto deklarata e prononcime të Kurtit, do t’ia mundësojnë Hashim Thaçit, që të mandatoj Kurtin edhe pa propozimin e tij.

Kështu, nëse kjo ndodhë, pas orës 24, që i bie me datë 9 Janar, atëherë Kurti do të ketë afat kohor sipas Kushtetutës 15 ditë për t’a formuar Qeverinë e re. Afat ky i cili do t’ia lejoj Kurtit që të gjej 61 vota deri më 24 janar./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera