Lajme

Ekskluzive: Kosova vitin e ardhshëm pritet ta kontrolloj vetë hapësirën e ultë ajrore, përgatiten edhe për të lartën

Autori: Halil Berisha 15:35 | 05 December 2019

Që nga pavarësia, Kosova e kontrollon tokën e saj, por jo edhe hapësirën ajrore.

Kjo ndahet në dy pjesë, hapësira e ultë ajrore dhe ajo e lartë, shkruan gazeta inFokus.

E qasja dhe menaxhimi i hapësirës ajrore, e cila shfrytëzohet për fluturime të aeroplanëve të ndryshëm është jetike për sigurinë e një vendi.

-Advertisement-

Por, këto nuk menaxhohen në Kosovë, nga autoritetet vendore, por nga NATO dhe misioni i saj në Kosovë, KFOR-i.

Megjithatë, kjo gjendje shumë shpejt mund të ndryshoj.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, i ka thënë në një intervistë Gazetës inFokus, se këtë vit ka pasur zhvillime të mëdha në këtë drejtim.

Madje, sipas tij, pritet që ky proces të përmbyllet vitin e ardhshëm kur edhe do të bëhet normalizimi i hapësirës së ulët dhe hapja e korridoreve ajrore në shtetet fqinje.

“Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, ka qenë në kontakte të vazhdueshme me faktorët ndërkombëtar të cilët janë përgjegjës për praninë ushtarake ndërkombëtare të KFOR-it në Kosovë të cilët e kanë edhe përgjegjësinë për hapësirën ajrore, e këtë vit pas disa takimeve që i kemi mbajt së bashku me të gjithë partnerët tjerë është dinamizuar procesi i normalizimit të hapësirës së ultë ajrore të Republikës së Kosovës, pritet që ky proces të përmbyllet vitin e ardhshëm, kur do të bëhet hapja do të thotë normalizimi i hapësirës së ulët hapja e të gjitha korridoreve ajrore në shtetet fqinje të Republikës së Kosovës, dhe kjo hapësirë ajrore shtrihet deri në rreth 6 mijë metra do të thotë vetëm për fluturimet e ulëta”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, Berisha thotë që ende nuk ka ndonjë datë të saktë, se kur do të bëhet kjo, shkruan gazeta inFokus.

“Ndonjë datë të saktë nuk mund të themi për momentin për arsye se jemi në diskutime intensive me faktorin ndërkombëtar, me NATO-n dhe KFOR-in dhe misionin e tyre këtu në Kosovë ndërsa që kjo varet edhe nga një ta quajmë vullnet politik i cili është shumë i nevojshëm që kjo çështje të përmbyllet me sukses, ne i kemi dinamizuar këto aktivitete gjatë këtij viti, kemi pasur kontakte të vazhdueshme edhe me selinë e NATO-s dhe me misionin e KFOR-it e pritet që shumë shpejt të eliminohen të gjitha pengesat teknike ashtu edhe politike e juridike në mënyrë që autoritetet vendore, të merr përgjegjësinë e ofrimit të shërbimeve në hapësirën e ultë të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, ajo që është edhe më e ndjeshme se e ulëta, hapësira e lartë ajrore, ka një proces më të ndërlikuar që të merret nën menaxhim.

Kjo, pasi Këshilli i NATO-s, atë ia ka dhënë afër 6 vite më parë nën menaxhim shtetit të Hungarisë, përmes HungaroControl.

Madje kjo kompani jo rrallëherë ka kontraktuar aeroplan nga Serbia që t’ia bëj kalibrimin e pajisjeve të saj.

Derisa aeroplanët e vegjël që përdorën për këtë punë janë të specializuar edhe për spiunazh, shkruan gazeta inFokus.

E Eset Berisha, ka thënë që tani kontrata ani pse i ka skaduar HungaroControl këtë vit, e njëjta i është vazhduar derisa autoritetet vendore të kenë mundësi ta marrin vetë përgjegjësinë.

“Ndërsa për hapësirën e lartë siç dihet me një vendim të Këshillit të NATO-s, që nga viti 2014 i është deleguar përkohësisht Republikës së Hungarisë dhe ofruesit të shërbimeve ajrore nga Hungaria që është HungaroControl për një afat 5-vjeçar i cili ka skaduar këtë vit, por për shkak të pamundësisë të marrjes së përgjegjësive nga autoritetet vendore është vazhduar deri në një moment të përshtatshëm kur autoritetet vendore do të marrin këtë përgjegjësi në duart e tyre”

Kështu, sipas Berishës, edhe në këtë drejtim është punuar shumë kohëve të fundit, dhe se tani veç trajnimeve, janë parashikuar edhe blerja e pajisjeve për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore, vet shteti i Kosovës.

Madje, kjo mund të ndodh, pas dy vitesh.

“ASHNA është agjenci ekzekutive e cila është nën ombrellën e Ministrisë së Infrastrukturës, është në proces të vazhdueshëm të rekrutimit të stafit të kontrollorëve të rinj të trafikut ajror, të trajnimit të tyre dhe blerjes së pajisjeve. Këtë vit janë rekrutuar diku 12 kontrollues të rinj të trafikut ajror që po e bëjnë trajnimin e tyre jashtë vendit dhe pritet që pas dy vitesh të kthehen në vendin tonë ku edhe pritet të marrin përgjegjësitë e kontrollimit të trafikut ajror, njëkohësisht edhe blerja e pajisjeve është në proces e sipër, disa pajisje janë blerë me procesin e zgjatjes së pistës të cilën projekt e financon Qeveria e Republikës së Kosovës, mirëpo disa pajisje tjera siç është një radar i ri dhe një sistem për menaxhimin e trafikut ajror është në proces e sipër të prokurimit dhe pritet që gjatë vitit 2020 këto të përmbyllen e ASHNA të jetë e pajisur plotësisht me asetet e nevojshme për ofrimin e këtyre përgjegjësive”, tha Eset Berisha/Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera