Fokus

Ekskluzive: I paraburgosuri 82-vjeçar që vdiq në QKUK, paralajmëroi Gjykatën për shëndetin 20 ditë më parë (Dokument)

Autori: Halil Berisha 10:41 | 03 July 2019

82-vjeçari, Ramiz Bordoniqi, që u arrestua në Kosovë me kërkesë të Interpolit dhe pas kërkesës së SHBA-së, për ekstradim, pasi akuzohej për shitje të narkotikëve e prostitucion, kishte paralajmëruar Gjykatën për gjendjen e tij të rëndë shëndetësore.

Sipas dokumentit që ka siguruar gazeta inFokus, ashtu si tanimë i ndjeri Ramiz Bordoniqi ashtu edhe avokati i tij, Teki Bokshi, kishin paralajmëruar Gjykatën Themelore të Gjakovës, se caktimi i paraburgimit për 82-vjeçarin ia rrezikon jetën, duke pas parasysh gjendjen e rëndë shëndetësore.

“I pandehuri është person shumë i shtyrë në moshë. Tani ka moshën 82 vjeç vuan nga demeca për çka Gjykatës i ofroi dëshmi nga e cila shihet se ky person për shkak të sëmundjes mendore sipas dispozitave të Kosovës, ësthë penalisht i pa përgjegjshëm e nga ana tjetër edhe nuk është i aftë që të përballoi Gjykimet nga se nuk i kupton veprimet e veta, i njëjti është i operuar nga zemra, për Gjykatës i prezantoi dëshmi, prej nga del se i pandehuri shtë i sëmur edhe në baza mendore dhe fizike”, shkruhet në kërkesën për paraburgim.

-Advertisement-

Bile, të njëjtën gjë e kishte thënë edhe vet tanimë i ndjeri, Ramiz Bordoniqi, i cili pavarësisht këtyre i kishte premtuar Gjykatës se do t’i përgjigjej çdo ftese.

“I pandehuri Ramiz Bordoniqi thekson se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij, thekson se është në gjendje të rëndë shëndetësore ka pasur intervenim në zemër si dhe është më trajtim mjekësor në Spitalin e Psikiatrisë. Dhe i premtoi Gjykatës që në çdo ftesë të saj do ti përgjigjet nuk ka ndërment të arratisem kurrkund”.

Megjithatë, pavarësisht krejt këtyre arsyeve të ofruara, Gjykata nuk kishte vendosur për arrest shtëpiak që u kërkua nga pala mbrojtëse, por për kërkesën për paraburgim të Prokurorisë, shkruan gazeta inFokus.

“Sipas vlerësimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit nga neni 187 prg 1 nen prg 2 pika 1.2.1 të KPPK-së, nga se i pandehuri me qëndrimin në liri i njëjti mund të fshihet apo ti ipet arratisë me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale juridike e këtë lehtë mund të bëj në forma të ndryshme dhe i njëjti është i vetë dijshem se po që se provohet fajësia e tij, për këto vepra penale është paraparë një dënim i lart, dhe i njëjti në këtë mënyrë do të pengoi rrjedhen e procedurës penale”.

E pak më shumë se dy javë pas lëshimit të këtij dokumenti, më 30 Qershor, Ramiz Bordoniqi me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë me rreth orës 23:00 është udhëzuar të dërgohet në Spitalin Rajonal të Pejës, dhe nga aty për shkak të gjendje jo të mirë shëndetësore  është dërguar në Kliniken e Neurologjisë të SHSKUK-së, ku si pasojë e komplikimeve shëndetësore ka ndërruar jetë. / gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera