Fokus

Ekskluzive: Gjykata Speciale ftesa edhe për ndërkombëtarët

Autori: Sylejman Sylejmani 13:38 | 17 December 2018

Gjykata Speciale ka filluar t’i thërrasë për të raportuar rreth luftës së UÇK-së, edhe ndërkombëtarët të cilët asokohe kanë shërbyer në Kosovë.

Ata tashmë janë ftuar nga kjo Gjykatë, për të dhënë informacione për luftën.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën inFokus, avokati Tomë Gashi.

-Advertisement-

“Jam i sigurt dhe e di që janë ftuar edhe persona ndërkombëtar që kanë qenë në Kosovë që nga viti 1999, për ta sqaruar situatën se siç ka qenë në Kosovë”, ka theksuar Gashi.

Avokati i licencuar për të mbrojtur raste në këtë Gjykatë, nuk ka dhënë më shumë detaje se kush mund të jetë ftuar për të dëshmuar e për të dhënë informacione, shkruan gazeta inFokus.

Gashi beson se për informacione do të duhej të ftoheshin edhe persona të lartë të politikës në Kosovë.

“Unë besoj që personat e lartë të politikës apo udhëheqësit kosovarë, një pjesë prej tyre duhet të ftohen për të dhënë sqarime të caktuara që nuk do ta kenë asnjërën prej tyre, por thjeshtë mund të jenë deklarata informuese për 1998 deri në vitin 2000”, thotë ai.

Gazeta inFokus pak më parë publikoi një shkrim, ku tregohej se kanë mbërritur në Kosovë më shumë se 120 ftesa nga Gjykata Speciale, për krerë të lartë të UÇK-së, ish-komandantë e ish-ushtarak.

Gjykata Speciale deri tash ka ftuar disa krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervista.

Ish komandantët Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa – Remi, Nazif Mehmeti – Dini, e ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna janë ftuar tashmë nga Specialja.

Megjithatë akoma nuk është qartësuar nëse  të gjithë këta persona janë intervistuar si dëshmitarë, apo si të akuzuar. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera