Lajme

Ekskluzive: E vërteta e (mos) njohjes së Kosovës nga Xhamajka

Autori: Gazeta inFokus 12:35 | 21 February 2020

Shteti më i ri në Evropë, të enjten, pas një kohë të gjatë pa ndonjë njohje të re, mori lajmin e mirë se Republikën e pavarur të Kosovës e ka pranuar shteti i Xhamajkës.

Lajmi u bë publik e mori dhen në Kosovë e më gjerë.

Por, gëzimi ishte jetëshkurtër. Pasi, disa orë pas dhënies së këtij lajmi erdhi reagimi nga ministria e jashtme xhamajkane, shefja e se cilës përmes Twitter mohoj që vendi i saj ta ketë pranuar pavarësinë e Kosovës.

-Advertisement-

E cila është e vërteta e gjithë kësaj çështje?

Në bazë të disa korrespodencave mes zyrtarëve kosovarë dhe atyre xhamajkanë, të cilat i ka parë Gazeta Infokus, njohja e Kosovës nga ky shtet në të vërtetë ka ndodhur.

Siç merr vesh Gazeta Infokus nga burime të saj, konfirmimi dhe urimi se Xhamajka ka pranuar Kosovën, ka ardhur ditën e enjte rreth orës 12 të ditës, me orën lokale të SHBA-së, nga përfaqësuesit e këtij shteti në Uashington.

Ky lajm, nga këta të fundit është dhënë tek përfaqësuesit e shtetit të Kosovës në SHBA, të cilët më pas e kanë përcjellë atë edhe tek institucionet kryesore për politikë të jashtme në vend, Presidencën dhe Ministrinë e Jashtme.

Por, vetëm disa orë pasi lajmi u publikua në të gjitha mediat kosovare, erdhi reagimi i shefes së diplomacisë xhamajkane, Kamina Johnson-Smith, e cila mohoj që shteti i saj ka pranuar shtetësinë e Kosovës.

Sipas burimeve të Gazetës Infokus, dyshohet se krejt kjo situatë ka ardhur si rezultat i presionit të Rusisë dhe Serbisë tek shteti i Xhamajkës, që erdhi menjëherë pas publikimit të vendimit të qeverisë xhamajkane për ta pranuar Kosovën si shtet.

Dyshime për ndërhyrjen e mundshme të Moskës dhe Beogradit në këtë çështje, siç merr vesh Gazeta Infokus, i kanë ngritur edhe vet disa nga përfaqësuesit e Xhamajkës.

Diçka e tillë edhe mund të mos përjashtohet, pasi fushata e Beogradit dhe Moskës kundër njohjeve të reja dhe tërheqjes së njohjeve të shtetit të Kosovës, ka kohë që ka filluar.

Bile, sipas drejtuesve të diplomacisë serbe, Serbia deri me tani ka arritur që t’i bind mbi 10 shtete, kryesisht nga kontinenti i Afrikës, për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, pretendime këto që janë mohuar disa herë nga drejtuesit e deritashëm të MPJD-së në Kosovë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera