Lajme

Edukimi parafillor i obligueshëm, synohet rritja e numrit të fëmijëve në këtë nivel arsimi

Autori: Gazeta inFokus 11:05 | 17 July 2022

Prej vitit shkollor 2023-2024 edukimi parashkollor pritet të bëhet i obligueshëm. Prindërit dhe kujdestarët do të obligohen me ligj që t’i dërgojnë fëmijët në këtë nivel të edukimit. Pasi kaloi në qeveri, Ministria e Arsimit tha se shumë shpejt Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që rregullon edhe disa çështje të tjera, do të procedohet në kuvend.

Psikologët e kanë mirëpritur një vendim të tillë pasi thonë se fazat e hershme të zhvillimit janë shumë të rëndësishme.

Ky projektligj do të përfshijë edhe koordinimin ndërsektorial; edukimin në familje, ushqimin, krijimin të menyve ushqimore, sigurimin e rregullimin e materialit didaktik, monitorimin e punës edukative dhe aftësimin e dadove.

-Advertisement-

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna, deklaroi se me anë të këtij projektligji synojnë të rrisin përfshirjen e fëmijëve në edukimin parafillor e në të njëjtën kohë grave t’u jepet mundësia të kyçen në tregun e punës.

“Synojmë që të rrisim përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, Kosova mbetet si vend mbrapa në përfshirjen e fëmijëve në këtë moshë, sidomos në moshën 0-5 vjeç, dhe me këtë ligj kemi synuar që të rregullojmë të gjitha format e ofrimit të shërbimit në këtë segment, duke përshirë veçanërisht edhe përfshirjen e formave alternative të ofrimit të shërbimeve, siç janë qendrat me bazë në komunitet, themelimin e institucioneve parashkollore ose shërbimeve që ofrojnë institucionet qendrore lokale apo korporatat e ndryshme më qëllim që të rrisim gamen e shërbimeve në të cilin familjet mund të mbështeteni për sa i përket edukimit të fëmijëve”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Arsimit Maloku-Bërdyna është e bindur se projektligji do të ndikojë pozitivisht dhe do të arrihet që numër më i madh fëmijësh të përfshihen në edukimin e hershëm, kjo edhe për shkak se do të jetë edhe obligim ligjor.

Për psikologun Petrit Thaçi fazat e hershme të zhvillimit të fëmijët janë shumë të rëndësishme. Prandaj, ai e sheh si pozitive këtë hap pasi thotë se fëmijët e kanë të nevojshme që para se të shkojnë në bankat shkollore të kalojnë këtë nivel edukimi.

Ai shton se mosha e preferuar që një fëmijë të fillojë edukimin parafillor është mosha 3-vjeçare.

“Fazat e hershme të zhvillimit janë shumë të rëndësishme, qoftë në zhvillimin njohës apo në atë emocionale, por edhe atë të sjelljes së përgjithshme motorike dhe aktiviteteve të tjera të jetës së përgjithshme, prandaj ky është një informacion shumë i mirë. Në shoqërinë tonë është e domosdoshme që fëmijët para se të hynë në bankat shkollorë dhe t’i përvishen procesit të mësimit, realisht të kenë një zhvillim paraprak të kësaj natyrë ku do të fillojnë më tepër në një formë ku loja do të dominojë, aktivitetet të përbashkëta, aspektet emocionale, komunikimi i përbashkët ndër moshatarët dhe do të jenë të përgatitur më mirëfilli që ti bashkohen rrugëtimit”, ka theksuar Thaçi./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera