Lajme

Editorial i “Le monde” rreth vendeve që “turpëruan” Trump-in, përfshirë edhe Shqipërinë

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 24 December 2017

Debatit që ka kapluar mbarë botën por që ka marrë tone të forta edhe në Shqipëri, atij nëse duhej votuar pro apo kundër vendimit të presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, i ka kushtuar një editorial të fortë edhe e përditshmja franceze e referencës “Le Monde”.

Në këtë votim Shqipëria u rendit mes 128 vendeve që votuan kundër Jerusalem Embassy Act duke u rreshtuar përkrah, Gjermanisë, Francës dhe Anglisë që dënuan zhvendosjen e ambasadës Amerikane drejt qytetit të Jerusalemit (akt që mund të ndodh pas dy vjetësh).

Duke analizuar kërcënimet e ashpra financiare që Trump me gojën e tij dhe ambasadorja e ShBA-ve në OKB, Nikki Haley, bënë kundër shteteve që do të votonin kundër, Le monde e fshikullon keqaz politikën e Trump.

-Advertisement-

“Ky episod vë në dukje leximin problematik që presidenti amerikan ka për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai duket sikur e redukton ndihmën e dhënë në kontrollin e detyrueshëm të një klientele (shtetesh), ndërkohë që kjo ndihmë është një politikë më e stërholluar e një soft power (pushteti të butë) që i shërben interesave amerikane.

Por përpos kësaj logjike prej biznesmeni të katapultuar në politikë, gazeta franceze nuk kursen as fjalët: “fiasko”, “turpërim”, këndvështrim i ngushtë”, “përpjekje për të përdorur diplomacinë për interesa të brendshme” për politikën dritëshkurtër të presidentit amerikan.

Madje “le monde” nuk nguron të përdorë as ironinë për metodat frikësuese që përdori administrata amerikane.

“Frikësimi është një metodë si shumë të tjetra në diplomaci, por përdorimi i tij ka rregulla të sakta. Fillimisht është më mirë që ai të përdoret pasi janë shteruar mënyrat e tjera bindëse më pak agresive. E dyta duhet të bëhet atëherë kur sfida e justifikon atë dhe së treti vetëm në rastet kur ai mund të garantojë një fitore të sigurt. Pasi nuk plotësuar asnjë nga këto etapa Shtetet e Bashkuara provuan në OKB një turpërim sa të fortë po aq dhe të panevojshëm”, shkruan gazeta.

Pjesë e kësaj “shuplake turpëruese” u bë edhe vota e Shqipërisë e cila përkrah 127 shteteve të tjera i shpërfilli kërcënimet e Trump dhe të ambasadores Nikki Haley.

Le monde thekson gjithashtu asnjëri nga vendet që janë përfituesit më të mëdhenj të fondeve amerikane nuk votoi ashtu siç i kërkoi Trump.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera