Edi Rama uron Thaçin për ditëlindje, kujton tregimet e tij gjatë luftës
Autori: Gazeta inFokus 13:48 | 24 April 2021
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruan për ditëlindjen e 53-të të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan Gazeta inFokus.
Rama ka shkruar për sfidat e Thaçit gjatë luftës.
Derisa ka kujtuar dhe tregimin e tij gjatë asaj kohe.
“Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t’i kërkosh me zor, nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme. Por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend durimin e pathyeshëm, me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde”, ka shkruar Rama.
Ndër të tjera ka shkruar se kjo ditëlindje ishte e pamirëseardhur nën tavanin e mallkuar.
Kujtojmë se Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. /Gazeta inFokus/
Postimi i plotë:
#EDHE100💐
I dashur Hashim,
nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithësesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd e bërë shakatë tona me jetën në telefon, po ama besomë, duke u ndjerë pranë teje më shumë se çdo herë më parë.
Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet, si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem. 20 vite janë shumë fare për njeriun, po për historinë janë sa një ditë dhe përgjatë kësaj dite ti ke provuar lindjen në errësirë, fëmijërinë në agimin e mjegullt, rininë në paraditen e nxehtë përzier me erën e gjakut të shokëve, drekën plot hare e brohoritje fitimtarësh, burrërinë në pasditen e ecjes së gjatë nëpër Kosovë mes plagëve, halleve e shpresave dhe tash ndalesën pa kohë të muzgut – muzg i njëkohshëm me muzgun që në Kosovë i ngjan një agimi të rrejshëm. Dhe ja, simbioza me historinë e tokës tënde, ty të ka caktuar ta dëshmosh me mungesën tënde atë rrenë, teksa me praninë duhet të përballesh me malin e lartë me rrena që fati yt i shenjuar, ka vendosur përkohësisht mes teje dhe Kosovës tënde në këtë muzg të thellë.
Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t’i kërkosh me zor, nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme. Por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend durimin e pathyeshëm, me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde.
Nuk e di sa do të zgjasë nata që ke përpara miku im i shtrenjtë, por ajo çka di njësoj si drita e diellit mbi Tiranë sot, është se agimi do të vijë përsëri, për ty e për Kosovën. E di vëlla e di, që vitet deri në agim janë minuta për historinë, po jo për jetën e njeriut të kyçur me pahirin e cinizmit njerëzor brenda katër mureve dhe mundohem ta marr me mend, se sa e rëndë është për ty pamundësia për të ecur edhe me këmbë, e jo veç me mendje nëpër rrugët e pyjet e Kosovës. Por s’ke kurrgjë çka bën, ti u rrite e u bëre burrë e babë, po askurrë s’e pate dot në dorë të jesh tjetësend përveçse kukulla e fatit tënd të bërë njësh me Kosovën.
Kështu që ma fal nëse ky urim i imi, megjithë shpirt, që edhe 100 vjet t’i kesh me shëndet e me kë të do zemra, nuk është dot një urim i buzëqeshur, por pash Zotin e madh, mos iu anko fatit tënd e as mos kërko kot ta dish se si mund të ishte ndryshe, sepse sado cinike të të duket, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe që Kosova të buzëqeshë përsëri kur përsëri nata t’ia lerë vendin ditës së re!
Përqafime Hashim dhe jam atje, me ty sonte, kur të kujtosh dollitë e shkuara në familje, për këtë ditëlindje të pamirëseardhur nën tavanin e mallkuar!
#TëRRALLË
Të tjera
-
Rohde: Për t’u anëtarësuar në KiE, Kosova duhet të bëjë “hapa të prekshëm” për Asociacionin
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet të bë...
-
Ja emrat e dekanëve të rinj të Universitetit të Prishtinës
Dje, në Universitetin e Prishtinës, është zhvilluar procesi i zgjedhjes së de...
-
Kurti: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte
Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka thënë se në bisedën e sotme telefon...
-
U kërcënua se mbështeti Kosovën në KiE, i ofrohet mbrojtje policore deputetit boshnjak
Policia e Bosnje dhe Hercegovinës, i ka ndarë mbrojtje të afërt deputetit, Sa...
-
Mot me diell dhe vranë, temperaturat shënojnë rritje
Për të mërkurën në Kosovë parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe interval...
-
Vasfije Krasniqi: Çdo ditë e kujtoj tmęrrin që më ndodhi nga forcat serbe
Vasfije Krasniqi Goodman është kthyer në një grua simbol dhe heroinë për shum...
-
Ngjarjet e datës 24 prill
UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare “Building Sustainable IoT Ecosystems”...
-
Kurti flet për telefonatën me Macron, shpreson se Franca do ta mbështes anëtarësimin në KiE pa Asociacionin
Kryeministri i vendit Albin Kurti në një bisedë telefonike të zhvilluar me pr...
-
Dita e Turqve, Konjufca: Ky komunitet shtetin tonë e përjeton si të vetin
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, në organizimin për nder të Ditës Kombëta...
-
Kurti në Panairin e Hanoverit, e quan historike pjesëmarrjen e parë të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Panairin e Hanoverit “20...
-
Pasuria e Vjosa Osmanit – Baton Haxhiu: Ajo e Prindoni duan të ikim në Australi
Gazetari Baton Haxhiu teksa po diskutonte pasurinë e presidentes Osmani në Pr...
-
Gjuajtje me ąrmë zjąrri në Hajvali, policia jep detaje
Gjuajtje me armë zjarri janë raportuar të kenë ndodhur sot rreth orës 17:00 ...