Lajme

Edi Rama i kërkon Vuçiqit normalizim të marrëdhënieve dhe njohje të ndërsjellë me Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 13:15 | 01 June 2023

Në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, kryeministri i Shqipërisë, Edi rama, u takua me presidentin Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimtar Kovaçevski e liderët e tjerë evropianë.

Në një video të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri shqiptar tha se rajoni duhet të hyjë në një marrëdhënie të re me BE-në.

“Ndërkohë, konflikti në Veriun e Kosovës duhet të zgjidhet krah për krah me botën demokratike, duke u dhënë fund absurdit kërcënues e duke finalizuar marrëveshjen e normalizimit dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë”, deklaroi Rama.

-Advertisement-

Në anën tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.

“Paqja në Kosovë, është paqe për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

“Koha për konflikte është larg nesh. Implementimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe aneksit duhet të jetë imperativ për të dyja vendet”, tha Kovaçesvki.

Ai ftoi të dyja palët për shtensionim të situatës dhe vazhdim të komunikimit, me ndihmën e ShBA-së dhe BE-së.

Fotografi nga këto takime ka publikuar edhe presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiq. Ai deklaroi se me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por edhe disa liderë të tjerë rajonalë, ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit, që nënkuptohet për situatën në veri të Kosovës.

“Folëm për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtejmë që mund të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjes ndaj situatës aktuale të vështirë dhe serioze”, ka shkruar Vuçiq.

“Shpresoj që arsyeja do të triumfojë, për të mirën e të gjithëve”.

Në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian, që po zhvillohet në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, po marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emanuel Macron, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e drejtues të tjerë të lartë të BE-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera