Lajme

“Edhe unë kam shtet”, mbishkrimi emocionues i para 12 viteve në portën hyrëse të Kosovës (Video)

Autori: Gazeta inFokus 09:43 | 17 February 2020

17 shkurti i vitit 2008 ishte datë historike për të gjithë kombin shqiptarë.

Kosova atë ditë kurorëzoi rrugëtimin e gjatë të përpjekjeve për pavarësi.

Ditës së pavarësisë së Kosovës iu gëzuan edhe bashkatdhetarët shqiptarë anë e mbanë botës, të cilët kishin marrë rrugën drejt vendlindjes për t’iu bashkuar festës madhështore të kësaj ngjarje historike.

-Advertisement-

Dita e shpalljes së pavarësisë edhe sot është e freskët në memorien e qytetarëve të Kosovës.

Atë ditë, sot e kujton me po të njëjtin entuziazëm edhe zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”, Valentina Gara, e cila ishte dëshmitare e gëzimit të shumë bashkatdhetarëve shqiptarë, të cilët kishin ateruar atë ditë në Aeroport.

Gara për “Front Online” ka rrëfyer për momentet emocionuese të asaj dite.

Edhe pse dita e diele e 17 shkurtit ishte pushim, Gara tregon se si të gjithë punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës kishin shkuar në punë dhe ishin kujdesur që të visheshin me bluza me mbishkrimin “Edhe unë kam shtet”, një simbolikë kjo për ta shprehur gëzimin e madh të atij momenti.

“Edhe pse ka qenë ditë pushimi, ne të gjithë kemi ardhur në punë. Më kujtohet që në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun e kemi pasur një televizor të madh dhe të gjithë ishim grumbulluar të gjithë për ta dëgjuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu kemi pasur një simbolikë, ku të gjithë punonjësit kemi pasur veshur maica me mbishkrimin “Edhe unë kam shtet”. Ka qenë një moment jashtëzakonisht emocionues në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinë”, tregon momentet e asaj dite Gara.

Gara: Aktivitete në ANP, shpërblehen mërgimtarët me bileta

Ndërsa sot në përvjetorin e 12-të të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Valentina Gara, thotë se në Aeroportin e Prishtinës do të organizohen disa aktivitete që do ta shënojnë këtë ditë, pjesë të së cilave do të jenë fëmijët e mërgimtarëve, të cilët mund të bëhen fitues të një bilete kthyese.

“Do të shpërndajmë disa dhurata të vogla, kryesisht për fëmijët. Arsyeja pse i kemi zgjedhur fëmijët është, që ta kujtojnë edhe ata këtë ditë, ta mbajnë mend në kujtesën e tyre. Sidomos për fëmijët e mërgimtarëve. Edhe pak presim ta zgjedhim një udhëtarë i cili është në gjendje të përgjigjet në tri pyetjet bazike në datën dhe ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nga kush është lexuar deklarata e pavarësisë, kush ka qenë president në atë kohë, kush ka qenë kryeparlamentar si dhe kush ka qenë kryeministër. Ai i cili do të ketë përgjigjen e këtyre pyetjeve të sakta do ta fitojë një biletë kthyese për destinacionin për të cilin është duke udhëtuar.”, ka thënë Gara.

ANP-ja ka shënuar rritje 10 për qind për numrin e udhëtarëve

Ajo po ashtu tregon se Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës këtë vit ka shënuar rritje në numrin e fluturimeve dhe udhëtarëve për 10 për qind më shumë për dallim nga vitet paraprake.

“Në vitin e kemi shënuar diku rreth 2.4 milionë udhëtarë, apo një rritje si në numër të fluturimeve dhe në numër të udhëtarëve në 10 për qind. Ne presim një trend të tillë të rritjes edhe gjatë këtij vitit. Po ashtu presim edhe sjellje të linjave të reja”, ka thënë Gara.

Destinacioni i cili prinë me numrin më të madh të udhëtarëve në ANP është Zvicra, duke u pasuar nga ai i Gjermanisë, Stambollit dhe Vjenës.

Gara ka treguar se Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës këtë vit pret që të përfundojë pistën e gjatë 2500 e 3 mijë metra, me mundësi aterrimi edhe për aeroplan me kapacitete të mëdha për destinacione më të gjata.

“Këtë vit presim edhe përfundimin e pistës. Zgjatja e pistës nga 2500 e 3 mijë metra. Ku do të mund të ateronin edhe aeroplan me kapacitet edhe më të madh dhe në destinacione më të gjata. Këtë vit do të jemi të fokusuar në sjelljen e linjave të reja dhe në rritjen e konkurrencës. Besojmë se do të ketë sado pak edhe ulje të çmimit të biletave”, ka njoftuar Gara për “Front Online”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera