Lajme

Edhe Qeveria, edhe serbët me kushte për zgjedhjet

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 05 June 2023

Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka kushte si Qeveria, ashtu edhe popullata vendase.

Zgjedhjet përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira qysh më 26 maj.

Për këtë situatë, Kosova ka fajësuar Serbinë, përkatësisht “strukturat kriminale” të organizuara prej vetë saj, ndërsa Serbia Kosovën.

-Advertisement-

“Sundimi i ligjit është parakusht i zgjedhjeve të lira e demokratike, së bashku me fushatë zgjedhore të hapur dhe fer”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Grupet kriminale dhe ekstremiste duhet ose të arrestohen për sulmet e tyre, ose le të ikin në Serbi – prej nga edhe kanë ardhur jo pak prej tyre”, thotë ai.

Kryeziu thotë, po ashtu, se në zgjedhjet e reja do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve edhe si votues, edhe si kandidatë.

Zgjedhjet e prillit janë bojkotuar nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë me justifikimin se kërkesat e tyre për më shumë autonomi, nuk janë përmbushur.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – është duke kushtëzuar sërish pjesëmarrjen në zgjedhje me tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

“Çështjet me prioritet që duhet të zgjidhen për të shtensionuar situatën në terren, e që janë edhe kërkesa të serbëve në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, janë: largimi i forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti nga ndërtesat komunale në veri; kryetarët e rrejshëm që nuk kanë legjitimitet dhe ligjshmëri, të mos vijnë në këto objekte, sepse nuk i kanë zgjedhur qytetarët, dhe të lirohen të arrestuarit padrejtësisht, Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq”, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Listë Serbe, Igor Simiq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera