Lajme

Edhe një ushtarak i lartë amerikan i NATO-s vjen në Kosovë, Ulutas e njofton për situatën e sigurisë

Autori: Gazeta inFokus 21:24 | 30 August 2024

Pas Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus në zyrën e komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka qëndruar sot edhe zëvendës Shefi i Stafit për Operacione të NATO-s, major-gjeneral Matthew J. Van Wanegen.

Kjo është bërë e ditur nga vetë misioni KFOR.

Sipas njoftimit të KFOR-it, Ulutas e ka njoftuar gjeneralin amerikan Van Wangen me të rejat e fundit rreth sigurisë dhe për punën që po e bën KFOR-i për vazhdimin e sigurisë në të gjithë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal.

-Advertisement-

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, qëndroi të enjten në Kosovë, ku pati takime me krerët e shtetit.

Në këto takime, Goffus, bisedoi edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën në pjesën e jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të veriut, e banuar me shumicë serbe.

Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë.

Siç njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten, Goffus ka përsëritur përkushtimin e palëkundur politik të Aleatëve dhe Partnerëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Por ai ka thënë se më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë, por se zgjidhja është politike.

Goffus ka thënë se në takimet që dje pati në Kosovë me krerët e shtetit, ua ka përsëritur se është jetike që të kemi një koordinim në kohë dhe efektiv me NATO-n dhe komunitetin ndërkombëtar.

Goffus tha se presin që përgjegjësit për ngjarjet e vitit të kaluar në Zveçan, si dhe në Banjskë, të mbajnë përgjegjësi.

“Më 29 maj 2023 në Zveçan, burrat dhe gratë e NATO-s pësuan sulme të paprovokuara dhe të papranueshme, duke lënë 93 prej tyre të plagosur, disa prej tyre rëndë. Kjo është e papranueshme. Presim që përgjegjësit për ngjarjet e vitit të kaluar në Zveçan, si dhe në Banjskë, të mbajnë përgjegjësi. NATO-ja e ka bërë shumë të qartë këtë si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë”, ka deklaruar Goffus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera