Fokus

Edhe një komision i ri për përzgjedhjen e 5 profesorëve të kirurgjisë

Autori: Islam Morina 19:19 | 09 November 2021

Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka mbajtur këtë të marte mbledhjen e radhës, ku ka marrë vendim që të emërojë një komision të ri për vlerësimin e kandidatëve për pesë pozitat e shpallura në Katedrën e Kirurgjisë.

Këshilli në vendimin e tij konstaton se dy anëtarët e komisionit të mëparshëm Prof. dr. Etmont Celiku dhe Prof. Enton Bollano, nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, kanë dhënë dorëheqje, por të kundërtën e konfirmon korrespodenca që ka siguruar Gazeta Infokus mes strukturave të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe atyre të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë.

-Advertisement-

Pikëpyetje mbetet se përse anëtarët nga Tirana nuk do të mund të vazhdonin të jenë pjesë e komisionit vlerësues, kur ata kanë shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë vlerësimin e kandidatëve për këto pozita.

E çuditshme është se edhe në këtë komision, kryetar është emëruar dhe vazhdon të jetë i përshtatshëm Prof. Asoc. Ramë Miftari, i Mjekësisë Nukleare, edhe përkundër faktit se ai ishte kryetar i dy komisioneve tjera vlerësuese, ku dhanë dorëheqje anëtarët.

Madje anëtari i njërit komision Prof. dr. Nexhmi Hyseni, dorëheqjen e tij e kishte arsyetuar me presione të mëdha e parregullsi të shumta në shkeljet e Rregullores për procedurat përzgjedhëse lidhur me emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina”.

LECO EDHE: Katedra e Kirurgjisë së Fakultetit të Mjekësisë pa profesorë: Rregullore kontradiktore, presione dhe emërime komisionesh në kundërshtim me rregulloren (DOKUMENT)

Kësaj radhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, ka emëruar dy anëtarë të një Universisteti nga Turqia dhe me vendim, të cilin e ka siguruar Gazeta Infokus, kërkohet nga ta që recensionin dhe vlerësimin e kandidatëve ta bëjnë në afat prej 10 ditësh, nga momenti kur e pranojnë vendimin.

Anëtarët e rinj të komisionit janë emëruar Prof. Dr. Irfan Coskun dhe Prof. Ass. Dr. Zeliha Turkyrlmaz liku, nga Universiteti “Trakya”, i Turqisë.

Mbetet e paqartë se si do të bëhet ky vlerësim, kur kërkohet që të gjitha materialet e prezantuara nga kandidatët në këtë konkurs duhet të përkthehen në gjuhën turke ose atë angleze.

Gazeta Infokus nga burimet e veta brenda Fakultetit të Mjekësisë, ka mësuar se tashmë ekziston një listë me 5 emrat e profesorëve që do të pranohen në këtë konkurs.

Thjeshtë komisionit të ri do t’i kërkohet që formalisht ta bëjë vlerësimin dhe ta nënshkruaj listën e gatshme me emra sipas instruksioneve të strukturave të caktuara të Fakultetit të Mjekësisë, duke anashkaluar dhe duke eliminuar kështu konkurrencën e vërtetë dhe kandidatët tjerë me bagazh të madh shkencor e profesional në lëmin e kirurgjisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera