Lajme

Edhe një fitore e CDU-së së Merkelit, në bastionin e socialdemokratëve të Schulzit

Autori: Gazeta inFokus 20:35 | 14 May 2017

Partia e kancelares Angela Merkel e mundën Partinë rivale Socialdemokrate, në bastionin e saj në landin e Rinit Verior – Vestfalisë. Këtë e tregojnë vlerësimet pas mbylljes së kutive të votimit.

Kristjandemokratët e CDU-së fituan 34,3 për qind të votave në zgjedhjet e rëndësishme në këtë land. Sipas vlerësimeve, pas mbylljes së kutive të votimit, socialdemokratët e SPD-së zbritën në vendin e dytë duke marrë 30,6 për qind të votave në këtë land të rëndësishëm.

Partia liberale FDP arriti vendin e tretë, duke marrë 12,2 për qind të votave. Ndërsa, populistët e AfD-sl arritën të hyjnë për herë të parë në parlamentin e landit, duke marrë 7,7 për qind të votave. Partia e Gjelbërt deri tani në koalicion me SPD-në, pësoi një rënie të madhe dhe mori gjashtë për qind të votave. Partia e Majta zbriti në pesë për qind, duke arritur pragun për të hyrë në Parlament.

-Advertisement-

Zgjedhjet për landin e Rinit Verior – Vestfalisë, njëri nga landet më të mëdha të Gjermanisë, me 18,1 milionë banorë, priteshin me vëmendje këtë vit të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Landi është rajon industrial me një numër të madh punëtorësh. Kjo e bëri këtë land për dekada të tëra një nga bastionet e socialdemokratëve.

Martin Schulz, rivali i kancelares Merkel në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës në Gjermani, tha se “kjo është një ditë e rëndë për SPD dhe për mua personalisht”!

Kryeministrja e landit, Hannelore Kraft, e pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat në Partinë Socialdemokrate gjermane.

“Nuk mundëm ta fitojmë besimin e qytetarëve”, tha Kraft në Dyseldorf, në kryeqytetin e landit.

Edhe ajo foli për një “ditë të trishtuar” për socialdemokratët.

Pjesëmarrja në votime rezultoi më e madhe se katër vjet më parë: 65,6 për qind e 13,1 milionë qytetarëve me të drejtë vote dhanë verdiktin e tyre.

CDU-ja fitoi pikë duke theksuar tema të tilla si siguria, krimi në rritje, migrimi dhe papunësia relativisht e lartë në land. /DW/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera