Lajme

Edhe një dorëheqje në Vetëvendosje, Qëndron Kastrati dorëhiqet nga të gjitha pozitat drejtuese

Autori: Gazeta inFokus 18:20 | 09 January 2018

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i është bashkuar listës së zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese brenda këtij subjekti.

Kastrati përmes një letre ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje.

” Atmosfera që mbizotëron midis nesh është e papranueshme sepse nuk i ngjan aspak ambientit të Lëvizjes që ne e njohim. Sharjet e fyerjet midis nesh nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. Prandaj, ato duhet ndaluar sa më parë. Kush i gëzohet dorëheqjes se aktivistëve, nuk i kontribuon Lëvizjes dhe askujt brenda Lëvizjes, pavarësisht qëndrimeve që mund të kesh mbi arsyet e tyre. Së paku, ata po dorëhiqen dhe dorëheqja meriton respekt. Kontributin e tyre nuk mund ta marrë era nëse ke pasur mospajtime vitin e fundit”, ka shkruar në letrën e tij Kastrati.

-Advertisement-

Letra e plotë:

Të dashur qytetarë e aktivistë,

Lëvizja VETËVENDOSJE! po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Që këto probleme kanë ekzistuar e kam ditur edhe më herët, por duke pasur besim të plotë tek njerëzit në strukturat tona, kam pritur se ky problem do të tejkalohet. Për seriozitetin e kësaj krize jam bërë i vetëdijshëm sidomos muajin e fundit. Kam takuar shumë njerëz që me kontributet e tyre kanë vendosur gurë dhe e kanë bërë VETËVENDOSJE!-n siç është sot.

Atmosfera që mbizotëron midis nesh është e papranueshme sepse nuk i ngjan aspak ambientit të Lëvizjes që ne e njohim. Sharjet e fyerjet midis nesh nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit. Prandaj, ato duhet ndaluar sa më parë. Kush i gëzohet dorëheqjes se aktivistëve, nuk i kontribuon Lëvizjes dhe askujt brenda Lëvizjes, pavarësisht qëndrimeve që mund të kesh mbi arsyet e tyre. Së paku, ata po dorëhiqen dhe dorëheqja meriton respekt. Kontributin e tyre nuk mund ta marrë era nëse ke pasur mospajtime vitin e fundit.

E di që përgjatë kësaj kohe është përmendur vend e pa vend edhe emri im, se gjoja unë do të shkoj në PDK. Këtyre shpifjeve nuk ua kam kthyer me të njëjtën monedhë. Kam bindjen se në diskutimet midis nesh kemi nevojë urgjente për një standard sjelljeje e komunikimi. Standardet imponohen pikërisht sepse supozohen situatat e mosmarrëveshjes, dhe jo nga harmonia.

Në Lëvizje kam mësuar se çfarë na mban bashkë janë synimet për ndryshime të mëdha që i kemi për vendin. Kështu duhet të mendojmë edhe tash. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për hir të Lëvizjes, por për vendin. Na duhet ta ruajmë Lëvizjen jo për shkak të emrave të përveçëm, por për vendin.

Duke qenë i zhgënjyer me situatën e krijuar ashtu siç jeni edhe ju, dhe duke shpresuar që ky veprim i imi ta kthejë vëmendjen te nevoja urgjente për zgjidhjen këtij problemi, unë vendosa të jap dorëheqje nga të gjitha Këshilli i Përgjithshëm dhe pozicionet drejtuese në strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Dua të theksoj se kam qenë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata që janë të interesuar ta tejkalojmë këtë situatë bashkarisht.

Sinqerisht,

Qëndron Kastrati  

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera