Lajme

Edhe Naim Tërnava pjesë e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së

Autori: Gazeta inFokus 19:57 | 21 August 2018

Naim Tërnava bashkë me zyrtarë tjerë të Bashkësisë Islame kishin aplikuar në vitin 2013 për statusin e veteranit të UÇK-së. Dhënia e disa ndihmave ushqimore, e higjenike si dhe e disa mija markave për UÇK-në u janë dukur të mjaftueshme për të bërë këtë kërkesë, pavarësisht se armë me dorë nuk kanë prekur

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava dhe një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij kishin aplikuar për statusin e veteranit të UÇK-së, edhe pse asnjēherë në luftë nuk kishin mbajt armë në dorë.

Tërnava e kishte takuar Agim Çekun për ta bindur se i takon statusi i veteranit.

-Advertisement-

Kontribut për luftën ka përmendur disa mija marka e ndihma ushqimore dhe sanitare të ndara për shtabin e UÇK-së dhe për refugjatët shqiptarë në zona të ndryshme të luftës. Sipas tij është i mjaftueshëm për ta marrë statusin e veteranit të UÇK-së.

Kjo kishte ndodhur në vitin 2013. Tërnava i kishte thënë Çekut, se brenda BIK-u ka pasur një “shtab të UÇK-së”.

Eprorë ka shkruar se ka pasur Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, RRustem Mustafën, Kadri Kastratin, Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn dhe Shukri Bukujën. Këtë kontribut ka thënë se e ka dhënë nga 6 marsi 1998 deri më 13 qershor 1999.

Atë kohë kur Tërnava pretendon se ka dhënë kontribut në luftë, në krye të Bashkësisë Islame ka qenë Rexhep Boja. Boja aktualisht është ambasador i Kosovës, në Arabinë Saudite.

Mirëpo Boja nuk ka aplikuar për veteran. Ka këshilluar edhe kolegët e tij hoxhallarë që mos ta bëjnë një gjë të tillë.
“I kanë thënë që po aplikojnë dhe kanë dashur që atë ta paraqesin si një lloj eprori. Mirëpo Boja u ka thënë se mos ta bëjnë një gjë të tillë sepse ato ndihma që i kanë dhënë, janë donacione të qytetarëve. BIK-u thjeshtë ka qenë një pikë grumbulluese”, ka thënë një burim nga Bashkësia Islame e Kosovës për Kohën Ditore.

Rexhep Boja ka mohuar se ka pasur ndonjë “shtab” siç ka thënë pasardhësi i tij.
“Sa kam qenë unë jo”, ka thënë ai duke shtuar se nuk është në dijeni se kush ka aplikuar për veteranë e kush jo.
“Nuk jam në ngjarje për atë. Ama sa kam qenë unë nuk ka pas shtab të UCK-së”, ka thënë Boja nëpërmjet telefonit.

Përveç Tërnavës për veteran kishin aplikuar edhe kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora. Ai kisht thënë se komplet si kryesi kanë aplikuar.

“Po ne kemi aplikuar si grup i hoxhallarëve. Është e vërtetë ajo. Nuk e di sa numri por kemi aplikuar”, pati thënë Bajgora.

“Fjala është për kontributin që është dhënë për luftën e UÇK-së në aspektin e logjistikës më shumë edhe pse kemi pas të involvuar edhe ushtarë hoxhallarë”. Ai ka thënë se ka qenë sekretar organizativ i emergjencave, derisa ka pranuar se ndihmat e dhëna kanë qenë donacione të ndryshme të popullit.
Në aplikacion Tërnava pati shkruar se ka furnizuar 10 mijë kosovarë në Likoc, 16 mijë euro për zyrat e UÇK dhe se 50 mijë marka ia ka dhënë kesh një personi Fatmir Xhelilit.
“Kam furnizuar 10. 000 kosovarë në Likoc, 16 mijë marka pajisje për zyrë në Likoc – Baicë, sipas kërkesës së shtabit. 150 mijë kilogram miell, mish, sipas kërkesës. Mjete higjenike për femra dhe pelena për fëmijë”, ka shkruar ai.

“F. Xhelilit 50 mijë marka kesh. Në Drenicë mjete kesh sipas kërkesës. Zonës së Llapit mjete kesh sipas kërkesave. Në Zonë të Shalës mjete kesh sipas kërkesave. Në Dukagjin veshmbathje, ushqim, dhe në Nerodime mjete kesh, veshmbathje, ushqim”, ka shkruar ai në një shqipe vështirë të lexueshme.

Takimin me Tërnavën e pati konfirmuar edhe Agim Çeku, i cili ka qenë në krye të komisionit për verifikim.

Gjatë atij takimi të bërë me kërkesë të myftiut të Kosovës, Tërnava i ka thënë se ka sjell dëshmi që dëshmojnë se ka kontribuar për luftën.
“Ai ka kërkuar takim, unë kam pas takim në cilësinë e kryetarit të komisionit. Ka sjell dëshmi që ka qenë një shtab në kuadër të Bashkësisë Islame. Një shtab i veçantë për ta ndihmuar UÇK-në. Ne si komision do t’i shqyrtojmë të gjitha ato dëshmi dhe do ta vlerësojmë atë kontribut”, ka treguar Çeku.

Pas luftës, përfaqësuesit e UÇK-së kanë thënë se rreth 20 000 anëtarë kanë marrë pjesë në luftën kundër forcave të Serbisë, por vetë organizata e veteranëve të UÇK-së insiston se janë më shumë se 40 000 vetë kanë qenë të përfshirë në kryengritje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera