Fokus

Edhe Kokaj kundër Qeverisë Kurti, kërkon procedimin e pagave për mësimdhënësit

Autori: Elvira Haxhiu 15:12 | 04 October 2022

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, si disa deputetë të tjerë të kësaj partie ka thënë se pagat për mësimdhënësit duhet të ekzekutohen, shkruan Gazeta Infokus.

Ai në një prononcim për Infokus ka thënë se është pro që mësimdhënësve grevistë tu u jepen pagat e madje sa më të shtrenjta, pasi sipas tij roli i mësuesit ka shumë rëndësi.

“Shikoni unë jam për me u dhënë paga sa më të shtrenjtë mësimdhënësve të të gjitha niveleve. Unë jam për më ju dhënë paga sa më të shtrenjta mësimdhënësve se unë vetë jam mësues. Prandaj, konsideroj se puna e mësuesit është shume me relevancë, rëndësi, për arsye se ai ndërton personalitete”, ka deklaruar deputeti.

-Advertisement-

Kokaj thotë se mësuesit ndërtojnë personalitete e që sipas tij kjo është ardhmëria e kombit.

Deputeti i partisë në pushtet po ashtu, rolin e mësuesit e vendos krahas atij të mjekut.

“Përderisa inxhinier ndërton objekte, makina, ndërtimtari palos tulla etj, tjetri shtron asfalte, çështja e ndërtimit të personaliteteve është ardhmëria e kombit. Andaj e konsideroj dhe jam i bindur thellësisht unë si mësues, ndoshta po gaboj mos ma shihni për kusur, unë mendoj shpirtnisht, seriozisht në mënyrë kognitive me vetëdije që mësuesi ka rëndësinë kryesore krahas mjekut. Zoti shpëton jetën, por mjeku është do më thënë kontribuon, a mësuesi ndërton personalitete, që i bie e ndërton ardhmërinë tonë. Unë jam i interesuar me ua rritë rrogën sa ma shumë arsimtarëve, jo pse unë jam mësues, por pse mendoj që relevanca e tyre është shumë me rëndësi”, ka thënë Kokaj për Infokus.

Kujtojmë se sot gjatë ditës edhe tre deputetë të tjerë të Vetëvendosjes ishin pro procedimit të pagave të mësimdhënësve.

Fillimisht deputeti, Eman Rrahmani nga LVV-ja ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ku ka kërkuar qe pagat të procedohen mirëpo orët e humbura të zëvendësohen.

Më pas edhe deputeti tjetër i partisë në pushtet, Alban Bajrami, ka thënë se mësimdhënësit nuk duhet lënë pa paga.

LEXO EDHE: Flasin deputetët e LVV-së, a janë pro apo kundër qeverisë që nuk po i ekzekuton pagat për mësimdhënësit

Ndërsa deputeti tjetër i kësaj partie, Fatmir Humolli ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti po dëshiron që mësimdhënësit të kthehen në grevë që të destabilizojë gjendjen në vend, madje ka shtuar se kjo qeveri duhet të rrëzohet.

Kujtojmë janë bërë 4 ditë që muaji tetor ka filluar dhe mësimdhënësit ende nuk kanë marrë pagat e tyre për muajin shtator. Kryetari i SBASHK-ut në një prononcim për Gazetën Infokus ka thënë se do të presin vetëm deri nesër ashtu siç është edhe në bazë të ligjit, procedimi i pagave.

E sipas të parit të SBASHK-ut nëse qeveria nuk i ekzekuton pagat atëherë gjendja e rëndë në arsim do të thellohet madje ka paralajmëruar kthim të mësimdhënësve në grevë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera