Ekonomi

Edhe autobusët privat të linjës urbane në Prishtinë i shtrenjtojnë çmimet e biletave

Autori: Gazeta inFokus 17:58 | 19 November 2021

Xhepi i kosovarëve po vazhdon që të rëndohet dita-ditës, pas ngritjes së çmimeve në sfera të ndryshme. Përveç rritjes së çmimeve të artikujve bazë nëpër dyqane, edhe disa prej aktiviteteve tjera shërbyese kanë përcjellur këtë trend të rritjes.

Rritja e çmimeve në Kosovë ka kapur edhe disa kompani të autobusëve. Disa nga linjat e autobusëve privatë të cilët qarkullojnë në Prishtinë, kanë shtrenjtuar çmimin e biletave.

Këtë ngritje të çmimit e kanë bërë autobusët e linjës 7A dhe 3A, linja private këto që operojnë në kryeqytet.

-Advertisement-

Nga kjo javë, udhëtarët të cilët përdorin këto linja për të lëvizur në zona të ndryshme të kryeqytetit, u duhet që të paguajnë biletën për 10 cent më shumë.

Kjo rritje e çmimit është bërë nga 40 në 50 cent.

Kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se kjo nuk varet nga Shoqata, por shtrenjtimi, sipas tij, është bërë në mënyrë individuale.

“Nuk ka marrë vendim shoqata për ngritje të çmimit të biletës. Është vendim individual”, tha ai.

E kjo ngritje e çmimit të biletave po arsyetohet duke pasur parasysh ngritjen e çmimit të naftës.

Se është shënuar rritje e çmimit të naftës në vend, e ka konfirmuar, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Sipas Berjanit, rritja e këtij çmimeve përcaktohet nga BERZA dhe organizata prodhuese OPEC.

“Çmimet në Kosovë sot sillen: Dizelli 1.19 deri 1.26, Benzina 1.22 deri 1.31. Kur kemi reduktim të prodhimit, çmimet rriten”, tha Berjani.

Ndonëse çmimet janë rritur, ai potencoi se qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion.

“Ne jemi më të lirë me çmime se Bosnja, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria”, shtoi Berjani.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve theksoi se këto rritje të derivateve janë nga 1 Tetori dhe pritet që nga Janari i vitit 2022 të ketë ulje të çmimit.

“Ne naftëtarët nuk kishim dasht të jeë këto çmime të larta. Këtë na imponon Berza dhe Organizata Prodhuese OPEC. Këto rritje e kanë kapluar tërë botën”, deklaroi Berjani.

Rritjes së çmimeve nuk i kanë shpëtuar edhe dyqanet ushqimore.

Sot në shumë qytete të Kosovës, një bukë është bërë 50 cent. Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe çmimi i produkteve të tjera ushqimore bazë si perimet dhe produktet e qumështit.

Mielli, sheqeri, vaji dhe shumë produkte bazë të shportës së konsumatorit, janë shtrenjtuar muajve të fundit, por pagat e qytetarëve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, kanë mbetur të pandryshuara. Kujtojmë se një pagë mesatare në Kosovë është 170 euro. /Reporteri.net/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera