Lajme

E vërteta rreth tenderit 750 mijë euro të “Prishtina Parking”

Autori: Gazeta inFokus 09:45 | 15 September 2022

Një kontratë në vlerë prej 750 mijë € nga “Prishtina Parking” dhe kundërshtimet që kanë pasuar kanë detyruar kryeshefin ekzekutiv, Liridon Restelica, që të japë dorëheqje. Përderisa disa ditë më vonë, kreu i Prishtinës, Përparim Rama, ka nxituar të deklarojë se kryeshefin e ka shkarkuar.

Kjo kontratë, për të cilën e kanë dhënë “dritën e gjelbër” të gjitha institucionet përgjegjëse të Prokurimit Publik në Kosovë, vlerësohet si e ligjshme dhe në favor të kompanisë “Prishtina Parking”, pasi që, kjo e fundit parashihet t’i përfitojë 85% te të hyrave bruto, ndërsa 15 për qind janë paraparë me kontratë për kompaninë fituese “INT Class Marketing”.

Ta zëmë, nëse Ndërmarrja Prishtina Parking inkason 100 euro nga aplikacioni i krijuar nga kompania në fjalë, atëherë kjo e fundit do të përfitoj 15 euro. Njëjte ndodh edhe me disa produkte tjera të cekura në kontratë.

-Advertisement-

Pse kontrate e negociuar

Në tetor të vitit 2021 “Prishtina Parking” kishte lidhur një kontratë me kompaninë “INT Class Marketing”, shërbime për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet. Në bazë të kësaj kontrate kompania përfituese ka krijuar sotwerin e saj si dhe ka krijuar aplikacionet të cilat janë në shfrytëzim nga punëtoret e kësaj kompanie. Vazhdimi i kontratës prej 750 mijë euro, respektivisht 250 mijë euro për vit është thuajse e përafërt me kontratën paraprake.

Gazeta Infokus ka provuar të kontaktoj ish kryeshefin Restelica, por ky i fundit nuk ka pranuar të flas rreth kësaj çështje.

Por, burime brenda ndërmarrjes bëjnë të ditur se kontrata me kompaninë në fjalë ligjërisht është dashur të negociohet, pasi që asnjë kompani tjetër nuk mund të punoj dhe funksionoj në sotwerin e krijuar enkas nga kompania “INT Class Marketing”.

“Nuk ka pasur asnjë forme tjetër përveç negocimit, gjithçka ka qenë e ligjshme. Sukseset e kryeshefit kanë qenë pengesë për opozitën, dhe më vone edhe partnerin e koalicionit dhe atë e detyruan të jap dorëheqje” bëjnë të ditur burime të Infokus brenda kësaj ndërmarrje Publike.

Më tutje të njëjtat burime bëjnë të ditur se ashtu siç parashihet në ligj Autoriteti Kontraktues ka njoftuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik për ketë aktivitet prokurimi.

Eksperti i prokurimit Zeqir Fetoshi tregon se me zhvillimin e procedurave të negociuar pa publikim të njoftimit, ju sqarojë se zhvillimin e kësaj procedure e parasheh nenin 35 i LPP-së dhe e përcakton qartë që Autoriteti Kontraktues duhet ta njoftojë KRPP-brenda dy ditëve nga vendimi që e ka marr për të zhvilluar këtë procedurë dhe në këtë njoftim duhet të jepen shpjegime të arsyeshme për përdorimin e kësaj procedurë të prokurimit.

Sipas tij, neni 52 paragrafi 4 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (RRUOPP) përcakton edhe më qartë që KRPP-ja, në çdo rast mund të kontrollojë vendimin e AK-së për zhvillimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe mund të ftojë autoritetin kontraktues për të rishikuar vendimin e saj në harmoni me opinionin e KRPP-së, pavarësisht që opinionet e KRPP-së nuk janë detyruese për autoritetet kontraktuese.

“Edhe pse opinionet e KRPP-së nuk janë detyruese, në këtë dispozitë parashihet që këto opinione mund të merren parasysh me rastin e ankesave, prandaj për mendimin tim bazuar në këtë dispozitë kuptohet që opinionet e KRPP-së kanë rëndësi të madhe në raport me këtë procedurë të prokurimit. Në këto procedura gjithnjë autoriteti kontraktues duhet të luaj rol aktiv në përcaktimin e kushteve të kontratës dhe të sigurohet që çmimi i kontratës të jetë në harmoni me çmimin e tregut dhe duhet me kujdes të vlerësohen cilësitë, e punëve, produkteve apo shërbimeve” ka thënë Fetoshi.

Çka thotë ligji

Sipas nenit 35, saktësisht pika 1 e këtij neni thotë se Autoriteti kontraktues mund të përdorë procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës për të ushtruar aktivitetin e prokurimit vetëm pasi që të jetë në pajtim me këtë nen. KRPP duhet të njoftohet nga autoriteti kontraktues në fjalë brenda dy ditëve nga data kur vendimi për përdorimin e procedurave të tilla është marrë.

Më tutje në pikën 2.4 te nenit 35 thuhet se Autoriteti përdor këtë procedure të prokurimit për punë apo shërbime të reja që bëjnë pjesë në përsëritjen e punëve apo shërbimeve të ngjashme dhe që iu besuan operatorit ekonomik të cilit i njëjti autoritet kontraktuese i dha kontratën fillestare, me kusht që punët e tilla të janë në përputhje me një projekt bazik për të cilin kontrata origjinale ishte dhënë sipas procedurës së hapur ose të kufizuar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera