Fokus

E turpshme: Mësuesja që u përjashtua nga shkolla për shami po sulmohet edhe nga një kolege e saj sindikaliste

Autori: Gazeta inFokus 11:07 | 06 September 2022

Mësuesja Remzie Lezi të premten me një vendim të “Këshillit Drejtues”, u përjashtua nga shkolla “Flamuri i Arbërit” në Suharekë ku punonte si mësimdhënëse, dhe e gjithë kjo për shkak të shamisë.

E sikur të mos mjaftonte vendimi skandaloz për largimin e mësueses duke u thirrur në udhëzimin administrativ të vitit 2016, ajo po sulmohet në rrjetet sociale, madje edhe në postimet ku njerëzit po reagojnë e po shprehin solidarizimin e tyre duke mbrojtur e ofruar ndihmë për mësuesen që u largua padrejtësisht nga puna.

Edhe një kolege e saj mbi të gjitha sindikaliste nuk ka kursyer gjuhën kur vie puna te përjashtimi i mësueses Remzie Leci.

-Advertisement-

Ajnisha Veselaj në një video ku një mërgimtar i ka ofruar mësueses së larguar ti paguajë pagën për aq kohë sa nuk do ta kthejnë në shkollë, ka bërë një koment skandaloz duke fyer e ofenduar kolegen e saj por edhe personin që i ka ofruar ndihmë.

“Bash kishe ba mirë me ja pagu (pagën) deri në pension e mos të duket ka shkolla me shami”, ka shkruar Veselaj në postimin ku iu ofrua ndihmë mësimdhënëses së përjashtuar.

VIDEO


Gazeta Infokus mëson se sjellje të tilla nga sindikalistja e cila supozohet të mbrojë të drejtat e mësuesve në shkolla, nuk kanë munguar edhe më herët drejtuar mësueses Remzie e gjithë kjo për shkak se ajo mban shaminë.

Duke qenë vetë një grua, Ajnisha Veselaj e sulmon pa asnjë hezitim me komente e fjalë ofenduese, kolegen e saj, vetëm për shkak të shamisë, që sipas saj ajo të mos duket më asnjëherë në shkollë duke mbajtur shaminë.

Edhe pas gjithë reagimeve kundër këtij vendimi, dhe pasi edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i ka dalë në mbrojtje të mësueses Lezi, duke thënë se vendimi për largimin e saj është në kundërshtim me ligjin, kjo sepse një vendim i tillë nuk mund të merret nga Bordi i Prindërve i cili nuk ka të drejtë as të punësojë mësimdhënës dhe as të largojë nga puna ata.

“Askush mbi ligjin. Bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna. Kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mirë. Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale. Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”, ka thënë kryetari i Komunës Bali Muharremaj në reagimin e tij.

Mirëpo edhe pas këtij reagimi mësimdhënësja nuk është ftuar që të vazhdojë punën në shkollë, por edhe po sulmohet nga kolegia në fjalë, duke mos kursyer fjalorin.

Ndërsa Muharremaj ka premtuar se do të merret personalisht me këtë rast deri në zgjidhjen e këtij problemi.

“Për momentin jam në udhëtim jashtë vendit, por që nga dita e hënë do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhrin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë”, ka deklaruar Muharremaj.

Përndryshe, gjuha linçuese, ofenduese ka vetëm një synim: përçarjen në mes nesh dhe dëmtimin politik të Komunës dhe sukseseve të arritura deri më tani”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

E për herë të parë mësuesja Leci ka thyer heshtjen duke folur për Gazetën Infokus.

Ajo ka treguar se sot ka vendosur që të shkojë përsëri në shkollë dhe se përsëri i është thënë nga drejtori që nuk mund ta lejojë në shkollë me uniformë fetare.

“Kam ardhur brenda në shkollë jam, më kanë leju me hy por drejtori erdhi më herët dhe më tha nuk mundem me të lanë këtu më këtë uniformë”, ka thënë shkurt, Lezi për Infokus.

Pra drejtori i shkollës, Liman Bytyçi, edhe një herë i ka tërhequr vërejtjen mësueses që në bazë të vendimit të marrë nuk mund ta lejojë atë të qëndrojë në shkollë e as të japë mësim.

Mësimdhënësja që me 2 shtator u largua nga puna si arsyetim për mbajtjen e uniformës fetare momentalisht po vazhdon të qëndrojë brenda objektit shkollat mirëpo i është kërkuar të largohet nga objekti.

“Ende në shkollë jam me kolegë, i thashë edhe drejtorit që nuk largohem nga shkolla pa polici ose pa vendim të DKA-së, ndryshe nuk largohem nga këtu”, ka thënë ajo për Infokus./Gazeta Infokus/

Ekskluzive: Flet për herë të parë mësuesja që u përjashtua nga shkolla për shkak të shamisë, provon edhe një herë të kthehet në mësim

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera