Fokus

E rëndë| Shteti i lë të varfëritë dhe komunitetin RAE pa përkrahje  në kohë koronavirusi

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 18 March 2020

Sigurimi i një maske, dezinfektuesi, palë dorëzash mbrojtëse apo Vitamine C për një pjesë të madhe të popullsisë në Kosovë është i pamundur.

Kjo për faktin se ata jetojnë në varfëri të madhe.

Në çdo cep të rrugëve në të gjitha qytetet e Kosovës, në koshe bërlloku shihen burra e gra, fëmijë e të moshuar të cilët kërkojnë diçka për të ngrënë dhe për të siguruar mbijetesën e familjes, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Kjo shtresë e popullsisë as nuk mund të imagjinoj sigurimin me para të ndonjë produkti mbrojtës nga koronavirusi, që rastet e para tani janë shënuar edhe në Kosovë.

Në fakt  5.3 për qind e familjeve kosovare jetojnë në varfëri të skajshme apo më me pak se 1.20 cent në ditë.

Kurse, 17.6 për qind e popullsisë në Kosovë, jetojnë në nivelin e varfërisë absolute, shkruan Gazeta Infokus.

Keq me jetesë janë edhe familjet që jetojnë me asistencë sociale.

Aktualisht janë 24 mijë e 526 familje në Kosovë me gjithsej 99.718 anëtarë të familjes që varen nga asistenca sociale.

Qeveria e Kosovës nga paraqitja e rastit të parë të pandemisë në vend ka dhënë udhëzime dhe këshilla se si duhet të mbrohen qytetarët por deri më tani nuk ka ofruar asnjë përkrahje për familjet që nuk i kanë kushtet të furnizohen me produkte që kërkohen për të t’u mbrojtur nga ky virus.

Një dezinfektues aktualisht kushton rreth 5 euro por një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka kushte ta blejë atë.

24 mijë e 526 familje në Kosovë nuk kanë mundësi të sigurojnë as maska, dorëza e gjëra tjera të domosdoshme për ti ikur infektimit me koronavirus.

Por në Kosovë është edhe një kategori tjetër e popullsisë që deri tani askush nuk tregoi kujdes për ta.

Janë rreth 40 mijë pjesëtarë të komunitetit Romët, Ashkali, e Egjiptian, shumica e të cilëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike e sociale.

Për ta askush nga institucionet e Kosovës deri më tani nuk ka shfaqur interesim.

Nga data 08.02.2020 deri sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës janë testuar gjithsej 284 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej nëntëmbëdhjetë prej tyre kanë rezultuar pozitive. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera