Lajme

E habitshme: Shqiptarët turistë në Kosovë

Autori: Agnesa Çitaku 17:53 | 11 October 2018

Ka sipërfaqen më të vogël në Ballkan.

Por Kosova ofron me qindra vende turistike që kohët e fundit kanë tërhequr numër të madh të vizitorëve.

Vetëm gjatë vitit të kaluar vendin më të varfër në Evropë e kanë vizituar rreth 100 mijë turistë të huaj.

-Advertisement-

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Infokus, Xhemajl Pllana, zyrtar për Politika Turistike në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Palla tregon se ndërkombëtarët kanë qëndruar rreth 150 mijë net në Kosovë.

“Sipas ASK-së, në vitin 2017 kanë qenë rreth 34.569 vizitorë të brendshëm ndërsa 86.032 vizitorë të jashtëm. Net qëndrimet kanë qenë rreth 48.111 net qëndrimi nga vendorët ndërsa 144.736 net qëndrimi nga ndërkombëtaret. Numri i vizitorëve vendas dhe netët e tyre të shpenzuara ka luhatur midis rritjes dhe zvogëlimit deri në vitin 2014 dhe në vitin 2015 ka arritur numrin maksimal të periudhës kohore të dhënë.”, ka thënë Pllana.

Sipas Pllanës, Kosovën e vizitojnë më së shumti shqiptarët, gjermanët dhe turqit.

“Turistët që vizitojnë Kosovën më së shumti kryesisht janë nga: Shqipëria, Gjermania, Turqia, SHBA, Zvicrra, Austria, Kroacia, Maqedonia, Britania e Madhe, Belgjika, Bosna & Hercegovina, Franca, Greqia, Holanda, Italia, Mali i Zi, Polonia, Serbia, Sllovenia, Spanja, etj.”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar gjithashtu se Prishtina, Peja e Prizreni mbeten qytete më të vizatuara.

“Vendet që po vizitohen më së shumti në vitet e fundit janë: Prishtina si kryeqytet ka numrin më të madh të vizitorëve, pastaj vijon qyteti i Pejës, qyteti i Prizrenit, Gjakova etj. Ndërsa nëse shikojmë si lokacione jashtë zonave urbane, kemi Brezovicen, Rajoni Rugovës, Kompleksi Adem Jashari, Ujëvarat e Mirushës, Burimi dhe Shpella e Radavcit, Manastiri i Deqanit, Kalaja e Novobërdës etj.”, ka thënë Pllana.

Zyrtari për politika Turistike ka bërë të ditur edhe atraksionet turistike në vend.

“Alpet Shqiptare dhe Malet e Sharrit,Shala e Bajgores,në Anamorava…, Gryka e Rugovës,Burimi i Drinit të Bardhë,Shpella e Gadimes,Shpella e Radavcit,Ujëvara e Mirushës,Bifurkacioni i Nerodimes,Blinaja, liqenjtë,lumenjë etj. Atraksione turistike kulturore: Ulpiana,Kalaja e Artanës,Kalaja e Prizrenit,Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Kisha,Xhamia, Muzeu i kristaleve “Trepça”,Kompleksi i Jasharajve në Prekaz,Kompleksi i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt etj.”, ka shtuar ai.
Por pavarësisht numrit të madh të turistëve e vendeve turistike në Kosovë ekzistojë vetëm 6 zyra informative për turistë në qytete më të madha.

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, thotë se Institucionet e Kosovës nuk po e mbështesin fare turizmin në vend.

“Fatkeqësisht Institucionet e Kosovës jo që nuk bëjnë mjaftueshëm por bëjnë fare pak mos të them aspak meqenëse turizmi fare nuk është i mbështetur. Në të gjitha shtetet përreth kanë zbrit tvsh-në nën 6 për qind ndërsa në Kosovë është 18 për qind, Serbia , Maqedonia e shtete tjera stimulojnë agjensionet që të sjellin të huaj nga të gjitha vendet “, ka thënë ai.
Por sipas Çekut, disa komuna kanë filluar përkrahjen e turizmit.

‘Nuk ka përkrahje nga Institucionet Qendrore të Kosovës, mungon vullneti politik mirëpo janë disa komuna si ajo e Pejës që kanë bo një hap përkrahje dhe po e përkrahin turizmin”, ka deklaruar Çeku.

Duke shprehu dyshime në numrin e statistikave të ASK-së për turistë të huaj, Çeku ka pranuar se ka rritje të vizitorëve.
“‘Ndonëse nuk u besoj shumë këtyre të dhënave, është bë një përmirësim. Megjithatë është një trend në rritje e gjithë kjo fal angazhimit të agjensioneve dhe bizneseve turistike vetëm më përkrahje të donatorëve. Kosova ngadalë po i kthehet hartës turistike të Ballkani, sidomos me disa projekte të reja të cilat janë produkt i angazhimit të bizneseve turistike në kushte dhe sfida të jashtëzakonshëm i dhe me përkrahjen e donatorëve siç janë projekte të mëdha të Ballkanit në anën e Sharrit”, ka shtuar ai.

Sipas Zekë Çekut veç trashëgimisë kulturore e natyre, Kosova vlerësohet edhe për mikpritje, komunikim dhe siguri./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera