E FUNDIT: Prokuroritë nisin hetime edhe për kandidatët për deputetë – Arrestimet në komuna dhe kandidatët që prijnë me vota minus
Autori: Agnesa Smajli
10:10 | 07 February 2026
Pas zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit 2025, ajo që fillimisht u konsiderua si proces rutinor rinumërimi, u shndërrua në një zinxhir hetimesh penale që tashmë përfshin disa rajone të Kosovës, shkruan GazetaInfokus.
Mospërputhjet e theksuara në votat e kandidatëve, ndërkohë që votat e subjekteve politike mbetën kryesisht të paprekura, ngritën dyshime serioze për manipulim brenda qendrave komunale të numërimit.
Prokuroritë themelore në Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë dhe Gjilan kanë autorizuar hetime që përfshijnë komuna si Ferizaj, Han i Elezit, Shtime, Kaçanik, Shtërpcë, Gjakovë, Deçan, Malishevë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Podujevë, Drenas, Obiliq, Viti dhe të tjera.
Në disa raste janë intervistuar qindra persona, ndërsa në disa komuna janë shqiptuar edhe masa ndalimi deri te paraburgimi.
E para që zyrtarisht hapi të premten hetimet edhe për kandidatët për deputetë që mund të jenë të përfshirë në këtë proces manipulimi është komuna e Ferizajt.
Derisa më 22 janar 2026, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore në komunat që mbulon, pas dyshimeve të ngritura nga procesi i rinumërimit.
Sipas njoftimit zyrtar, në komunën e Ferizajt u përfshinë në verifikim 153 vendvotime. Nga këto, parregullsitë e konstatuara rezultuan në përqindje të ulët: vetëm një kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë diferencat kanë qenë minimale, nga një deri në tri vota.
Edhe në Han të Elezit, përqindja e devijimeve është raportuar e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërsa në Shtime janë evidentuar manipulime në tri qendra votimi, ku për tre kandidatë janë regjistruar vota të shtuara prej dhjetë deri në dyzet e pesë vota një nivel më i lartë krahasuar me komunat e tjera të këtij rajoni.
Sa i përket votave minus në këtë komunë, diferencën më të madhe e ka shënuar Aulonë Syla nga PDK me 106 vota minus, ndërsa nga LDK kryeson Kastriot Shabani me 40 vota minus.


Këto mospërputhje janë përfshirë në hetimet e nisura nga organet kompetente, të cilat po verifikojnë nëse devijimet janë rezultat i gabimeve administrative apo ndërhyrjeve të qëllimshme gjatë procesit të numërimit.
Në këtë kontekst, një nga rastet me masa konkrete ndalimi u regjistrua në Gjakovë, ku Prokurori i Shtetit vendosi masën e ndalimit prej 48 orësh për 22 nga 24 kryetarët e ekipeve të numërimit, nën dyshimin për falsifikim të rezultatit zgjedhor.
Të dyshuarit janë intervistuar në stacionin policor dhe brenda afatit ligjor pritet të kërkohet paraburgim apo masë alternative.
Sa i përket votave minus në këtë komunë, diferenca më e madhe është regjistruar te PDK.
Kandidatja Adonjeta Zymberi Selmani rezultoi me 383 vota minus, ndërsa pas saj renditet Hajdar Beqa me 244 vota minus.

Prokuroria ka sinjalizuar se hetimet lidhen pikërisht me mënyrën e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, andaj pritet që intervistimet dhe analizimi i provave materiale të shtrihen edhe në hallka të tjera të procesit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, kandidati më i prekur ishte Agon Batusha me 215 vota minus.

Në këtë linjë, organet e rendit po verifikojnë nëse mospërputhjet janë pasojë e ndërhyrjeve të qëllimshme apo “zhvendosjes” së votave brenda listave të kandidatëve.
Ndërsa nga AAK, diferenca më e madhe u regjistrua te Durim Halilaj me 82 vota minus.

Zyrtarë të hetimeve kanë bërë të ditur se çdo rast po trajtohet veç e veç, përmes deklaratave të komisionerëve dhe krahasimit të formularëve me të dhënat e rinumërimit.
Në Deçan, hetimet morën një tjetër dimension me ndalimin për 48 orë të Manjolla Shalës, shefe e kabinetit të kryetarit të komunës, Bashkim Ramosaj.
Ky veprim pason rinumërimin e janarit, ku kandidati i AAK-së, Hamdi Komoni, rezultoi me 188 vota minus diferenca më e madhe individuale në atë komunë.

Sipas logjikës hetimore, rasti i Deçanit po trajtohet si dyshim për ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e numërimit, jo vetëm si gabim administrativ, prandaj masat po shkojnë drejt nivelit penal.
Në Malishevë, ku hetimet konsiderohen ndër më seriozet, diferencat individuale ishin edhe më të theksuara.
Nga PDK, Gazmend Maliqaj rezultoi me 927 vota minus shifra më e lartë në këtë komunë i ndjekur nga Valon Hoti i VV-së me 312 vota minus.


Nga LDK, Gëzim Hazrolli pati 340 vota minus, ndërsa nga NISMA, Vesel Krasniqi 264 vota minus.

Nga AAK, Enver Hoti rezultoi me 128 vota minus.

Prokuroria në Gjakovë ka lidhur këto mospërputhje me dyshimet për falsifikim në procesin e numërimit të votave të kandidatëve, ku janë ndërmarrë intervistime, ndalime dhe masa sigurie ndaj kryesuesve e komisionerëve.
Në Mitrovicë, diferencën më të madhe e kishte kandidati i PDK-së, Arian Tahiri me 102 vota minus, ndërsa nga VV, Afërdita Hajrizaj me 72 vota minus.


Në këtë rajon, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ndërsa katër kryesues janë ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, është paralajmëruar se hetimet pritet të shtrihen edhe në Vushtrri e Skenderaj, ku në ditët në vazhdim pritet të vendoset për intervistime të reja.
Në Podujevë, diferenca më e madhe individuale ishte te Vendenis Lahu i VV-së me 407 vota minus, Ejup Maqedonci me 389 vota minus, i ndjekur nga Ditjona Statovci e PDK-së me 230 vota minus, ndërsa nga LDK, Qendrim Softolli me 37 vota minus.


Për këtë komunë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit, pas konstatimit të mospërputhjeve në votat e kandidatëve.
Autoritetet kanë thënë se hetimi është në fazë të sigurimit të provave dhe mund të pasohet me intervistime të personave përgjegjës në qendrat e numërimit.
Në Obiliq, kandidati me më së shumti vota minus ishte Gazmend Krasniqi i VV-së me 362 vota minus, ndërsa nga PDK, Abelard Tahiri me 93 vota minus dhe nga LDK, Xhafer Gashi me 54 vota minus.


Prokuroria në Prishtinë ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë për intervistimin e disa personave të dyshuar për këtë komunë, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet kanë vazhduar për sqarimin e plotë të rrethanave.
Në Viti, diferenca më e madhe ishte te Arsim Ademi i VV-së me 145 vota minus, pasuar nga Vjollca Kadolli Halili e LDK-së me 139 vota minus.


Në këtë komunë, Policia ka konfirmuar se është në proces intervistimi në koordinim me prokurorin e shtetit, lidhur me veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, ndërsa për ecurinë e hetimeve është paralajmëruar njoftim me kohë.
Në Skenderaj, kandidati me më së shumti vota minus ishte Mërgim Lushtaku i PDK-së me 94 vota minus.

Përderisa deri tani fokusi ka qenë në komunat ku janë kryer rinumërime dhe janë konstatuar mospërputhje, Prokuroria në Mitrovicë ka bërë të qartë se Skenderaj mbetet pjesë e komunave që mbulohen nga kjo prokurori dhe pritet vendim për intervistime edhe atje.
Në Vushtrri, diferencën më të madhe e pati Sulejman Meholli i VV-së me 71 vota minus.
Edhe Vushtrria është përmendur si komunë ku hetimet mund të zgjerohet, meqë Prokuroria në Mitrovicë ka paralajmëruar se ditët në vazhdim do të vendoset për intervistimin e kryesuesve edhe në këto dy komuna.
Bujën më të madhe në këtë proces e bëri komuna e Prizrenit, ku u regjistruan 109 arrestime dhe disa nga diferencat më të larta individuale në vend.
Kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi, rezultoi me 6,022 vota minus diferenca më e madhe individuale e evidentuar deri më tani ndërsa nga LDK, Xhavit Uka me 1,597 vota minus dhe nga VV, Arbër Rexhaj me 631 vota minus.



Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.
Organet e hetimit bëjnë të ditur se pas analizimit të këtyre raporteve do të vendoset nëse do të ndërmerren veprime të tjera procedurale, përfshirë intervistime apo masa ndaj personave përgjegjës në qendrat e numërimit, në rast se evidentohen elemente të veprave penale.
Zgjerimi i hetimeve në disa rajone të vendit ka thelluar debatin mbi integritetin e procesit zgjedhor, në një moment kur Kosova ndodhet përballë afateve kushtetuese për konstituimin e institucioneve. Rinumërimi që synonte të rikthente besimin në rezultat, tashmë ka prodhuar një realitet tjetër një proces paralel penal që po zhvillohet krah për krah me procesin politik./GazetaInfokus/

T� tjera
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
-
Bilanc tragjik këtë të shtunë në Shqipëri – Tre të vdekur brenda pak orësh në aksidente, pesë të lënduar
Tre të vdekur dhe pesë të lënduar është bilanci i aksidenteve në rrugë gjatë ...
-
Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jashari e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin...
-
Cili është kanceri më i rrezikshëm i lëkurës që po shënon rritje? Dermatologia zbulon detajet alarmuese!
Dermatologia Shkëndije Dobruna, në emisionin “Doktor Plus”, ka folur për lloj...
-
Shiroka Pula në Ballon e Marinsave: Amerika është shumë më tepër se një aleat strategjik
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në Ballon e Marinsave...
-
Vergori në vizitën e dytë në Beograd një muaj pasi mori detyrën – çfarë diskutoi me shefin e ushtrisë serbe?, KFOR jep detaje
Komandanti i KFOR’it, Roberto Vergori, sot në Beograd është takuar me shefin ...






































