Fokus

E dënoi 15 herë – ShSKUK i jep sërish tender afro gjysmë milioni € kompanisë “Liri Med” që u shiti edhe ‘kontrast’ kinez

Autori: Gazeta inFokus 15:42 | 20 May 2025

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës – ShSKUK, ka shpërblyer me kontratë 420 mijë euro kompaninë “Liri Med Sh.P.K”, e njohur për skandalet me barna dhe e dënuar 15 herë nga vetë ky institucion publik shëndetësor vetëm brenda një viti.

Në dokumentin për nënshkrimin e kontratës thuhet se ShSKUK, kompanisë së biznismenit Lirim Mustafa i dha 4 lote të tenderit për “Furnizim me barna nga LE për nevoja të SHSKUK-së” i cili është i ndarë 8 lote.

Lot 1 – 62 mijë e 150 euro

-Advertisement-

Lot 4 – 72 mijë euro

Lot 6 – 243 mijë e 810

Lot 8 – 43 mijë e 320 euro

Kush është kompania “skandaloze” që vazhdon të shpërblehet me kontrata milionëshe nga QKUK?

Kompania Liri – Med Sh.P.K është e biznismenit nga Podujeva Lirim Mustafa.

Në vitin 2024 vetëm për disa muaj, kompania figuron 15 herë e dënuar për mos korrektësi në respektimin e kontratave dhe gjoba e shqiptuar ndaj saj në total arrin në 17 mijë e 349 euro.

Madje sipas listës e cila ka qenë e publikuar në media me 4 korrik “Liri – Med”, ishte dënuar me gjobën 7 mijë 863 euro nga Shërbimi Spitalor i Kosovës, për mosliferim të mallit.

Ajo çka e thellon edhe më shumë skandalin është se disa herë kjo kompani kishte vonuar produktet e listës esenciale të barnave duke lënë Klinikat e QKUK-së në pritje dhe duke detyruar qytetarët që ti blejnë ato.

Skandali i fundit për të cilin edhe kishin nisur menjëherë hetimet nga Inspektorati Farmaceutik është ai i një produkti kinez “kontrast” jojonik i cili përdoret në disa Klinika për të qartësuar fotografimet apo testet imazherike, me të cilin kjo kompani kishte furnizuar disa Klinika të QKUK-së.

Produkt ky i pasigurt për të cilin dyshohej se kishte shkaktuar efekte anësore tek pacientët, gjë të cilën për Infokus e kishin konfirmuar pacientë duke ruajtur identitetin e tyre.

E që kishin nisur hetimet për Infokusin e kishin konfirmuar edhe nga Inspektorati Farmaceutik.

LEXO EDHE: Pacientët në rrezik nga kontrasti kinez i blerë nga QKUK-ja, Inspektorati nisë hetimet

“Inspektorati Farmaceutik ka kryer procedurat inspektuese lidhur me shqetësimin e ngritur, me ç’rast ka marrë mostren dhe ka derguar në LKC/.AKPPM Inspektorati Farmaceutik është ende në pritje të rezultateve. Pas pranimit të rezultateve nga LKC/AKPPM, Inspektorati Farmaceutik në bashkëpunim me institucionet relevante do të veprojë sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mirëpo pavarësisht këtyre dyshimeve dhe ankesave të pacientëve në rezultatin e mostrës e cila ishte dërguar për testim në Laboratorin e Cilësisë u tha se produkti ishte në rregull dhe mund të përdorej duke lënë kështu terësisht në mjegull pacientët tek të cilët kishte pasur efekte anësore dhe duke mos i sqaruar se pse të njëjtit patën efekte të tilla pas përdorimit të kontratit kinez që kjo kompani i shiti QKUK-së.

Menjëherë pas pranimit të rezultatit ShSKUK-ja mori vendim që të largojë pezullimin që i kishte bërë përdorimit të këtij produkti në Klinika.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), njofton se produkti medicinal IOHEXOL 350 mg/ml (kontrast jo-jonik), i cili përdoret për qëllime diagnostike në imazheri, është konfirmuar si i sigurt për përdorim dhe i është hequr masa e pezullimit”, thuhej në njoftim.

Gazeta Infokus ka kërkuar nga ShSKUK-ja detaje të këtij raporti ku tregohet se produkti i lartëcekur është i sigurt si dhe listën me gjobat për kompaninë “Liri-Med”, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh sjell programin XL: 10% zbritje gjatë gjithë vitit!
-Advertisement-

Të tjera