Fokus

E çuditshme| Në këtë mënyrë u zvogëlua papunësia në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:28 | 21 June 2019

Hiq më pak se 4,117 veta e kanë humbur vendin e punës nga janari deri në mars të këtij viti. Pikërisht në periudhën, në të cilën llogaritet se është ulur shkalla e papunësisë në Kosovë.

Tingëllon absurde dhe e pa logjikshme që të bie edhe punësimi edhe të ulet papunësia, por në Kosovë ka ndodhur pikërisht kjo sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Dëshmia më e mirë është se në këtë periudhë zyrtarisht nuk ka pasur rritje të punësimit.

-Advertisement-

Përkundrazi ASK raporton se shkalla e punësimit është ulur nga 28.8 për qind në 28.2 për qind, krahasuar me raportimin paraprak.

Në bazë të kalkulimeve të Gazetës inFokus, në dhjetor të vitit 2018 kanë qenë të punësuar 345,131  persona ndërsa në fund të muajit mars për të cilën periudhë edhe është bërë matja e shkallës së papunësisë në Kosovë kanë qenë të punësuar 341,014  persona.

Rezultati del se 4,117 qytetarë të cilët kanë qenë në marrëdhënie pune deri në fund të vitit 2018, nuk kanë vazhduar të punojnë pas tre muajsh.

Megjithatë, të enjten kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka vlerësuar jashtëzakonisht lajmë të mirë uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë, e cila në shifra të prezantuara është për rreth 4.5 për qind më e ulët se një vit më parë.

Sipas ASK-së nga 144,972 të papunë sa ishin në dhjetor, tani janë 125,717 persona në këtë gjendje.

Në bazë të kalkulimeve del se nga janari deri në fund të muajit mars, Kosova kishte 19,255 persona të papunë më pak.

Por, gazeta inFokus ka raportuar një ditë më parë në bazë të Anketës së Fuqisë Punëtore  se Agjencia e Statistikave të Kosovës për tre muaj ka arritur t’i shpallë të pa aftë për punë hiq më pak se 32,316 qytetarë.

Duket e pabesueshme por në bazë të krahasimeve të shkallës së papunësisë së vitit 2018 dhe tremujorit të këtij viti ulja e papunësisë është vetëm një lojë me shifra.

Gazeta inFokus ka analizuar dy anketat e fundit të Anketën e Fuqisë Punëtore, të cilën mund ta lexoni duke shtypur këtu, për të gjetur se krejt çka ka ndodhur është rritja e numrit të qytetarëve në kategorinë jo aktive për punë, që automatikisht i heq nga tregu i punës duke bërë që shkalla e papunësisë të jetë më e ulët, pavarësisht se shkalla e punësimit mbetet e njëjtë. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera