Lajme

Dyshohet se nuk dërgoi mbi 2 mijë dërgesa postare, paraburgim për ish-punëtorin e Postës

Autori: Gazeta inFokus 13:59 | 07 October 2021

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën prej një muaj paraburgim ndaj ish-punëtorit të Postës së Kosovës, M.B, i cili dyshohet se në periudhën 2019-2021 keqpërdori pozitën zyrtare, duke mos dëguar 2 mijë e 26 dërgesa postare.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se nga këto dërgesa 682 kishin qenë të gjykatës, 512 fatura të tatimit mbi pronë, 337 fatura të Valës, 57 dërgesa ishin të karakterit ndërkombëtar, 200 dërgesa ishin shkresa të Trustit, 197 dërgesa ishin fatura të Bankave, 7 dërgesa ishin shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa ishin shkresa nga Komuna e Lipjanit, 1 dërgesë ishte shkresë nga AKP-ja, 14 dërgesa ishin shkresa nga Përmbaruesit Privat, 1 dërgesë ishte shkresë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Të gjitha këto dëshmi dhe prova, në vendim thuhet se  janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e policisë në shtëpinë e tij, me ç ‘rast ka dëmtuar rëndë procedurat në institucione si Gjykatë, Ministri, Përmbarues Privat, si dhe ka shkelur të drejtat e qytetarëve, të cilët ishin adresë e pranimit të këtyre dërgesave.

-Advertisement-

Ai dyshohet se me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par 1, të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burg prej një deri në tetë vjet.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit që mban datën 6 tetor 2021.

Në kërkesë thuhet se ekziston dyshimi o bazuar se i dyshuari M.B. ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.B. në vazhdimësi prej vitit 2019 e deri në vitin 2021, sa ishte i punësuar në cilësinë e personit zyrtar Postier në Postën e Kosovës për rajonin e Janjevës, Komuna e Lipjanit, e kishte keqpërdorur detyrën duke mos e përmbushur detyrën e tij zyrtare në atë mënyrë që nuk i kishte shpërndarë  personat për të cilët kanë qenë të dedikuara”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Prokurorisë, ku përmendet edhe lloji i dërgesave.

Në kërkesë thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë më 31 gusht 2021 kishte pranuar informatën nga Posta e Kosovës se të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës me vendim të komisionit disiplinor, ngase përveç që nuk e kishte kryer detyrën e tij zyrtare si postier, po ashtu e kishte keqpërdorur detyrën duke dërguar dhe mbajtur dërgesat në shtëpinë e tij.

Ndryshe, kjo kërkesë është kundërshtuar nga mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Samir Morina, i cili për “Betimi për Drejtësi” tha se kjo masë është e panevojshme dhe se nuk përmbushen kushtet për caktimin e kësaj mase.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit me arsyetimin se janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me dispozita ligjore për caktimin e kësaj mase.

“Ekziston dyshimi i pabazuar se i akuzuari M.B., ka kryer veprën penale që i vihet në barrë të përshkruar në kërkesën për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në vendim.

Tutje në vendim thuhet se përmbushen edhe kushtet e parapara në paragrafin 1.2 të nenit 187 par 1, nën par 1.2.1, që duke pas parasysh dyshimin e bazuar për veprën penale që dyshohet se e ka kryer, ekziston rreziku se po të gjendet në liri tani i pandehuri mund të fshihet, të arratiset, me qëllim që ti shmanget procedurës penale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera