Fokus

Dyshohet se e mitura u sulmua seksualisht nga punëtori i shkollës, flet drejtoresha e Arsimit në Malishevë

Autori: Elvira Haxhiu 10:45 | 18 November 2022

Një vajzë e mitur, nxënëse në shkollën fillore “Kajtaz Ramadani” në Kijevë të Malishevës dyshohet është sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle, shkruan Gazeta Infokus.

Lidhur me këtë rast drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Arbëreshë Krasniqi ka thënë për Infokus se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për të dyshuarin, pasi që nuk kanë prova nga organet që vërtetojnë se rasti ka ndodhur.

Ajo tha se drejtori i shkollës në momentin që e ka kuptuar e ka lajmëruar atë dhe policinë.

-Advertisement-

“Ne rastin e kem si të raportum si dyshim do me thënë nuk kem ende prej organeve prova që e konfirmojnë atë dyshimin në një vepër që në realitet ka ndodhë. Rasti është i lajmrum në polici do me thënë në momentin kur e ka kuptuar drejtori i shkollës më ka njoftu dhe e ka raportu në polici”, ka thënë Krasniqi.

Gjithashtu, ajo tha se drejtori i shkollës ka marrë vendim që i dyshuari t’i nënshtrohet komisionit disiplinor, mirëpo momentalisht ai gjendet në mbajtje.

“Vendim që e ka marrë drejtori i shkollës është që personi i caktuar t’i nënshtrohet komisionit disiplinor, por për momentin ai person është në mbajtje”, ka thënë drejtoresha e Arsimit për Infokus.

Derisa, rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Me datë 17.11.2022, Stacioni Policor në Malishevë është njoftuar se viktima, femër (e mitur), nxënëse e SHFMU “Kajtaz Ramadani” në Kijevë, ishte sulmuar seksualisht nga një punonjës teknik i kësaj shkolle. Njësitet relevante të policisë ju janë përgjigjur rastit dhe është arrestuar i dyshuari. Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Elezaj për Infokus.

Ndërkaq, rasti është iniciuar si “Sulm seksual”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera