Fokus

Dyshimet për ngacmimin e polices nga komandanti në Graçanicë/ IPK-ja, Prokuroria e Policia, hedhin “topin” tek njëra-tjetra

Autori: Gazeta inFokus 17:11 | 18 November 2022

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje të martën njoftoi për një rast të ngacmimit, ku dyshohet se komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq, ka ngacmuar një police të komunitetit boshnjak.

Për këtë rast, në po të njëjtën ditë (15.11.2022), Gazeta Infokus, ka kontaktuar, Policinë e Kosovës, të cilët thanë se me këtë çështje merret Inspektorati Policor i Kosovës.

“Kontakto IPK”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

-Advertisement-

Ndërsa sot Gazeta Infokus ka kontaktuar edhe me IPK- në të cilët kanë thënë se kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin pas pretendimeve të ankueses.

“Veprimet hetimore përveç tjerash kanë përfshirë deklaratën nga ankuesja si dhe raporte të ndryshme nga zyrtarët policorë që janë konsideruar dëshmitarë në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Mirëpo për detaje të tjera përsëri ky institucion ka thënë se pas konsultimit me prokurorinë dhe mos gjetjes sipas tyre të elementeve të veprës penale, rasti është përcjellë në Policinë e Kosovës.

“Pas zhvillimit të hetimit preliminar, lidhur me të gjeturat IPK është konsultuar me prokurorinë kompetente dhe pasi që nuk janë gjetur elemente të veprës penale rasti është proceduar në Policinë e Kosovës më saktësisht në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, për hetime të mëtutjeshme administrative – disiplinore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Infokus.

Pasi që nga IPK, thanë se rasti është proceduar në Policinë e Kosovës, Gazeta Infokus përsëri ka kontaktuar këtë institucion, të cilët sërish thanë se detaje për rastin mund të japë IPK-ja pasi me hetimin e policëve merret ky institucion.

E në lidhje me ngacmimin ndaj zyrtares policore të komunitetit boshnjak, Infokus ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Nga ky institucion kanë konfirmuar se rasti është proceduar në polici dhe se nuk mund të japin detaje në këtë periudhë.

“Lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana juaj, pasi që rasti është proceduar në polici në këtë periudhë nuk mund të japim detaje rreth kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore për Infokus.

Derisa ende mbetet e paqartë nëse, komandanti i stacionit të policisë në Graçanicë, ka kryer ose dyshohet të ketë kryer veprën penale të ngacmimit. Kjo sepse asnjëri nga institucionet e drejtësisë në vend të lartë apostrofuara nuk po ofrojnë sqarime të qarta në lidhje me rastin./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera