Fokus

Dyshime se BIA serbe ka filluar të kërkoj dëshmi nëpër Kosovë për speciale?

Autori: Gazeta inFokus 16:05 | 01 July 2020

Në Has të Kosovës po dyshohet se shërbimi sekret serb ka filluar të kërkoj për qytetarë të cilët mund të dëshmojnë në speciale.

Atje, dy javët e kaluara është parë një veturë SUV me 4 ose 5 persona të panjohur, të cilët kanë xhiruar edhe zyret e Organizatë së Veteranëve të UÇK-së, shkruan gazeta Infokus.

Mirëpo, ata nuk kanë dhënë asnjë informatë se cila është arsyeja dhe se kush janë, derisa në momentin kur pjesëtarë të OVL-së, kanë dashur të kontaktojnë me ta, të njëjtit janë larguar.

Këto gazetës Infokus ja ka thënë kryetari i OVL të UÇK-së në Has, Xhevdet Thaçi.

Thaçi në një prononcim për Infokus, ka thënë që sipas informacioneve që i kanë të njëjtit, kanë pyetur për persona që mund të dëshmojnë në speciale.

“Ne kemi një zyrë në Rogovë, qe dy javë ka pas lëvizje të dyshimta në këtë anë, me një veturë xhip brenda të cilit ishin rreth 4 ose 5 persona, para disa ditësh është ndalur para zyrës së OVL-së ku edhe kanë xhiruar me kamerë, mirëpo në momentin që kemi tentuar që të shkojmë e bisedojmë me ta, janë larguar me shpejtësi. Pastaj kanë shkuar në fshatin Lubizhdë, e sipas informatave që na kanë dhënë disa banorë, atje edhe kanë kontaktuar me qytetarë”, ka thënë Thaçi për Infokus.

Ndërsa, tutje shton se nga disa dëshmitarë kanë marrë vesh se të njëjtit nuk flisnin as shqip, shkruan gazeta Infokus.

“Kemi pyetur disa që punojnë këtu afër rrugës ku kanë kaluar ata nëse kanë kontaktuar me këta persona të dyshimtë, ata kanë thënë që nuk kanë kontaktuar me ta mirëpo nga ajo që i kanë dëgjuar pak duke biseduar mes vete, nuk kanë folur shqip, me gjasë kanë folur në gjuhë angleze”, ka thënë për Infokus Xhevdet Thaçi./Gazeta Infokus/

Të tjera