Lajme

Dyshime se asamblistët e LDK-së në Podujevë i vodhën votat njëri tjetrit

Autori: Islam Morina 18:25 | 20 October 2021

Në zgjedhjet e 14 tetorit, në Podujevë dyshohet se ndodhën vjedhje brenda sojit dhe jo vjedhje ndaj partive rivale, siç rëndom edhe pritet të ndodhë në zgjedhje.

Dyshohet se Kandidatët për Asamblenë Komunale të Podujevës, kanë vjedhur vota nga kolegët e tyre brenda partisë, shkruan Gazeta Infokus.

Në një dokument të siguruar nga Gazeta Infokus, shihet se votat janë prekur pas momentit kur ato janë evidentuar në fletën zyrtare të numërimit të votave, duke u bartur brenda subjektit të njëjtë, por për kandidatë të tjerë.

-Advertisement-

Në dokument shihet se votat u janë prekur sidomos kandidatëve të Lidhjes demokratike të Kosovës, ku disa kandidatëve u janë zvogëluar numrat e votave, e disa të tjerëve u janë rritur ato.

Madje për shtrembërim të vullnetit qytetar në Podujevë, të martën është ankuar edhe kandidatët nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kanë kërkuar rinumërim të fletëvotimeve në këtë komunë, duke shprehur pakënaqësi ndaj komisionerëve dhe KKZ-së atje.

“Në vendvotime është bërë masakër zgjedhore brenda subjektit tonë në Podujevë. Ne jemi të pakënaqur me punën e Komisionerve dhe KKZ, votat dhe vullneti qytetare është shtrembëruar, lidhur me këtë kemi fakte të mjaftueshme. Ne do të ushtrojmë te drejtën tonë të ankesës në PZAP. Kërkojmë nga organet shtetërore që të hetojë keqpërdoruesit e fletëvotimeve dhe vullnetit qytetare. Andaj kërkesa jone është rinumërimi i plotë i fletëvotimeve”, thuhej pos tjerash në reagimin e grupit të kandidatëve për Asamble Komunale nga radhët e PDK-së në Podujevë.

Nuk janë të rralla rastet sidomos në dy palë zgjedhjet e fundit, ato nacionale të 14 shkurtit dhe ato lokale të 17 tetorit, kur ngjallen dyshime për manipulime votash brenda kandidatëve të të njëjtit subjekt. Madje për këtë ka edhe raste që janë duke u hetuar e ndjekur nga gjykatat./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera