Lajme

Disa të dyshuar serbë rrahin një të mitur kosovar në Obiliq

Autori: Gazeta inFokus 15:24 | 16 October 2020

Policia e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi zyrtar për media kanë njoftuar se në fshatin Plemetin të Obiliqit disa të dyshuar të nacionalitetit serb e kanë sulmuar fizikisht një person të nacionalitetit shqiptar i moshës së mitur.

Këtë informatë ata thonë se e kanë pranuar rreth orës 11 e 10 minuta, dhe se bazuar në informacionet e deritanishme shkaku i incidentit ka qenë një mosmarrëveshje verbal.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, dyshohet se shkak i incidentit, rrahjes së ndodhur jashtë objektit të shkollës, në afërsi të hekurudhës, ka qenë një mosmarrëveshje verbale në mes tyre”, thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

“Njësitë policore menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore dhe në vendin e ngjarjes kanë arritur të sigurojnë informacione se viktima mashkull shtetas i Kosovës i nacionalitetit shqiptar (i mitur), nxënës i shkollës fillore në Plemetin, ishte sulmuar nga disa të dyshuar (po ashtu të mitur), nxënës të shkollës fillore “Shën Sava” në Plemetin”, thekson njoftimi.

Njësitë policore kanë arritur të identifikojnë dy të dyshuarit shtetas të Kosovës të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se kanë sulmuar fizikisht viktimën. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës në komunikatë thekson se do të vazhdojë të jetë e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera