Sport

Dy skuadra nga La Liga interesohen për Lirim Kastratin

Autori: Gazeta inFokus 19:58 | 09 January 2020

Orët e Lirim Kastratit te skuadra kroat Lokomotiva Zagreb duket se janë të numëruara. Forma fantastike e reprezentuesit të Kosovës ka zgjuar interesim te shumë klubeve për të kërkuar shërbimet e tij.

Gazeta “SHESHI” merr vesh se në drejtim të klubit kroat tashmë kanë arritur disa oferta për 20 vjeçarin.

Skuadra e Mallorcas që është rikthyer këtë edicion në Primera Division po e kërkon me ngulm kartonin e Kastratit, derisa ka ofruar 4 milionë euro për klubin nga Zagrebi, vetëm e vetëm për ta pranuar ofertën.

-Advertisement-

Interesim për futbollistin nga Hogoshti ka shfaqur edhe skuadra tjetër e La Ligës, Real Betis, por që ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare nga andaluzët.

Po me një ofertë zyrtare dhe shumë të lartë ka ardhur nga skuadra e Torontos. Ekipi nga MLS ka ofruar 6 milionë euro për Lokomotivën dhe një pagë tejet të majme për futbollistin, por duket se dëshira e tij nuk është që karrierën ta vazhdojë në SHBA, prandaj është i përqëndruar drejt Evropës.

Pjesën më të madhe të kartonit e zotëron skuadra e Lokomotivës nga Zagrebi, ndërkohë që gjithçka mbetet në duart e presidentit të klubit Tin Doliçki, i cili do të vendos për të ardhmen e futbollistit, gjithmonë në bashkëpunim me yllin e Kosovës dhe menaxherët e tij.

Këtë edicion Kastrati është paraqitur në 18 ndeshje për Lokomotivën e Zagrebit, derisa ka realizuar 6 gola dhe ka shërbyer 4 herë për bashkëlojtarët e tij.

Ai gjithashtu ishte pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Kroaci.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera