Fokus

Dy prokurorë “në luftë” me 8000 “veteran të rrejshëm” në Pejë

Autori: Halil Berisha 14:48 | 20 November 2019

Një nga problemet kryesore me të cilat u mor qeveria Haradinaj, gjatë mandatit të saj, padyshim ishte edhe puna e veteranëve e pensioneve për ta.

Kjo, pasi numri i tyre, doli goxha më i madh se sa ishte parashikuar e menduar, shkruan gazeta inFokus.

Këtë punë të madhe e bëri edhe ish-prokurori Elez Blakaj, i cili duke thënë që gjersa hetonte për veteranët e rrejshëm, u kërcënua e u shantazhua.

-Advertisement-

Andaj, për këtë punë edhe u largua nga Kosova, duke shkuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta inFokus.

Por, bashkë me të, nuk shkoi edhe problematika e veteranëve të rrejshëm.

Tani, në dorë për të zgjidhur këtë punë, e të identifikojnë e dënojnë veteranët që gënjyen se ishin pjesë e luftës, me qëllim të përfitojnë të mira materiale, detyrë e kanë Prokuroritë Themelore nëpër Kosovë.

E ajo, më e ngarkuara është Prokuroria Themelore e Pejës, shkruan gazeta inFokus.

Kjo për shkak se Zona Operative e Dukagjinit ishte më e madhja sa i përket numrit të luftëtarëve, ku dyshohet se edhe numri i atyre që kanë përfituar jashtëligjshëm këtë status është më i madhi.

Andaj, pavarësisht se nga dosjet e Zonës Operative të Dukagjinit, janë ndarë nëpër prokuroritë e këtij regjioni, prapë Peja ka numrin më të madh.

Në fakt, veç dy prokuror të kësaj prokurorie, i kanë 7813 dosje të rastit të njohur si “Veteranët e Rrejshëm”.

Këtë për gazetën inFokus, e ka konfirmuar edhe Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

“Nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, Prokuroria Themelore e Pejës, ka pranuar gjithsej 7813 dosje të rastit të veteranëve. Pas marrjes në kompetencë të këtyre rasteve, Kryeprokurori Agim Kurmehaj, ka caktuar dy prokuror për shqyrtimin e këtyre dosjeve. Një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Renda, dhe një prokurore nga Departamenti i Përgjithshëm”, ka thënë Nikçi.

Megjithatë, pavarësisht punëve të mëdha, deri tash janë ngritur dhjetëra aktakuza, madje disa edhe kanë marrë aktgjykime dënuese.

“Deri më tani janë ngritur dhjetëra aktakuza, dhe dhjetëra raste janë marr edhe aktgjykime dënuese nga gjykata”, ka thënë Nikçi.

E këta prokuror që tani kanë në dorë këtë punë, janë liruar nga lëndët tjera.

Ndërsa, deri tash, kanë shqyrtuar rreth 1000 lëndë./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera