Lajme

Dy prej viktimave nga aksidenti në Kroaci do t’iu bëhet obduksioni, tetë të tjerët pritet të varrosen nesër

Autori: Gazeta inFokus 18:47 | 27 July 2021

Dy nga dhjetë trupat e pajetë të viktimave nga aksidenti në Kroaci, njëri 40 vjeçar e tjetri 55, duhet t’iu bëhet obduksioni. Të dy ishin familjarë mes vete dhe për këta të fundit, nuk ka pasur të afërm të cilët e kanë konfirmuar identitetin e tyre pranë institucioneve kroate.

Kështu deklaroi kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili gjatë ditës së sotme është kthyer nga Kroacia, ku dje kishe vizituar spitalin ku po trajtohen edhe dy të lënduar nga komuna e Rahovecit.

“Janë dy qytetarë nga komuna e Rahovecit të lënduar, janë nënë e bijë, të cilat po trajtohen në spitalin e Sllavonski Brod. Kam arritur t’i shoh, t’i vizitoj, por edhe pacientët e tjerë të cilët po trajtohen në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe të veçantë nga ana e gjithë personelit të qytetit Sllovanski Brod. Gjendja e të lënduarve është stabile. Natyrisht dje janë lëshuar 27 nga të lënduarit. Edhe 15 janë duke e marrë trajtimin shëndetësorë… Dy pacientë llogariten që e kanë gjendjen shëndetësore më serioze, por sipas informacioneve të mjekëve ata janë në intensivë por gjendja është stabile”, shprehet Latifi për KP.

-Advertisement-

Më tej, ai tregon se gjatë se pritet që të transportohen trupat e pajetë, ndërkohë që dy prej tyre duhet të presin analizat e ADN-së.

“Ne po besojmë që nesër ata do të arrijnë të kthehen në mëngjes në Kosovë dhe po besojmë që varrimi i tetë viktimave të këtij aksidenti të bëhet nesër. Ndërsa, i Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës për shkak se duhet një konfirmim i forenzikës që të merren mostrat për analizat e ADN-së, sapo të konfirmohet gjithçka dhe të kthehen analizat e ADN-së, mund të shtyhet varrimi për një ditë… Për shkak se askush nga familjarët e këtyre dy familjeve nuk ishin në vendin e ngjarjes ose në spital. Kontakti i këtyre dy familje e ka qenë i paarritshëm me institucionet e shtetit kroat, me ambasadën tonë në Kroaci. Unë isha përfaqësues edhe i këtyre dy familjeve. Ata e kanë konfirmuar vdekjen e tyre, sepse janë në listën e të vdekurve edhe Kujtim Kastrati edhe Ahmet Hoxha, por meqenëse nuk e kanë pasur ndonjë nga familja, forenzika duhet të bëjë analizat dhe të riverifikohet edhe një herë se a janë trupat e pajetë të Kujtim Kastratit dhe Ahmet Hoxhës”, tregon ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera