Lajme

“Dy krisma të alltisë i kam dëgju”, dëshmitari rrëfen për momentin vrạsjes afër hotelit ku punonte në Dragodan

Autori: Gazeta inFokus 21:43 | 17 October 2024

Besnik Vitija, i cili kishte punuar në hotelin “Adria” kur kishte ndodhur vrasja në Dragodan, gjatë seancës së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka rrëfyer për momentin kritik, duke thënë se kishte dëgjuar dy krisma të armës jashtë hotelit.

Në këtë rast Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T në Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje, kurse Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për rize të Zotit na murret në qafë, dilni jashtë”, këto fjalë tha se i ka dëgjuar tek i ka thënë pronari i hotelit, sa kishte tentuar që të ulë tensionet në mes tani të ndjerit R.T dhe të akuzuarit Avni Mustafa.

-Advertisement-

Në pyetjen e prokurores Fatmire Cacaj, dëshmitari tha se gjatë momenteve kritike në mes të tani të ndjerit R.T dhe të akuzuarit Avni Mustafa, derisa pronari i hotelit ishte munduar që t’i ulë tensionet mes këtyre të fundit, ai kishte qëndruar mbrapa shtyllës afër derës, për të mos penguar askënd.

Gjithashtu, Vitija ka deklaruar se nuk ka dëgjuar të shtëna brenda lokalit, mirëpo jashtë lokalit.

“Dy krisma të alltisë i kam dëgju, më kujtohet se kanë qenë jashtë”, deklaroi dëshmitari Vitija.

Po ashtu, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, Vitija tha se deklarata e tij e dhënë në Polici ka qenë pas dy tri ditësh dhe ka qenë i shokuar për shkak të rastit që e ka përjetuar.

“Ka qenë trauma, shokim, pasi që për herë të parë në jetën time kam parë një njeri në atë gjendje dhe dy javë nuk jam ndjerë mire”, tha Vitija.

Po ashtu, dëshmitari Vitija tha se deklarata e tij në Polici është e vërtetë dhe se nuk ka qenë i ndikuar nga askush.

Gjithashtu, në këtë seancë, Vitija ka identifikuar të ndjerin R.T dhe të akuzuarit përmes disa fotove nga video – incizimi i ditës kritike.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit të punës, për të vazhduar në një datë tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtine për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin R.T duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit

I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesëmarrje në rrahje” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera