Lajme

Dy javë nga barrikadat në veri, Kosova paralajmëron heqjen e tyre në rast se KFOR-i nuk ndërhynë

Autori: Gazeta inFokus 08:53 | 23 December 2022

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar edhe gati dy javë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë nëpër rrugët kyçe që çojnë drejt pikave kufitare, në Jarinjë e Bërnjak që vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi dje mundësinë e heqjes së barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt.

-Advertisement-

Sveçla tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e serbëve, të paraqitura për largimin e barrikadave, janë për të arritur qëllime politike.

Për arrestimin e Pantiqit, serbët në veri protestuan edhe dje, duke paraqitur disa kërkesa për heqjen e barrikadave, si lirimin e Dejan Pantiq dhe Millan Adxhiq, tërheqjen e një “liste” të pretenduar për gjoja “arrestimin dhe pushkatimin” e serbëve të hartuar nga autoritetet e Kosovës, si dhe tërheqjen e policisë kosovare nga pjesa veriore e vendit.

Kushte për heqjen e barrikadave vuri edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha të mërkurën se barrikadat do të hiqen vetëm nëse plotësohen disa kushte, kushte që janë në përputhje me kërkesat e qeverisë serbe.

“Fillimisht formoni Asociacionin e komunave serbe, pastaj do t’i heqim barrikadat”, tha Vuçiq.

KFOR-i në një komunikatë për media të martën e 21 dhjetorit tha se përdorimi i dhunës dhe sjellja agresive në veri për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë, është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim, duke shtuar se është përgjegjësi e të gjithëve që të garantojnë sigurinë kolektive të rajonit, shkruan Reporteri.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, deklaroi se KFOR-i ruan aftësitë dhe mjetet e duhura për të parandaluar dhunën në rajon dhe për të siguruar që ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejmë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të ecur përpara, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday në Comodita Home: Përfito 100€ extra zbritje në dyshekë
-Advertisement-

Të tjera