Lajme

Dy faktet e Ferat Shalës pse Nazmi Mikullovci s’duhet të bëhet kryesues i Bordit të AKP-së

Autori: Gazeta inFokus 22:57 | 04 August 2021

Kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, e konsideron si konflikt të pastër të interesit nëse i propozuari i Qeverisë, Nazmi Mikullovci, zgjidhet kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga ana e Kuvendit, shkruan Gazeta Infokus.

Gjatë mbledhjes së Komisionit që është mbajtur sot, Shala e ka bërë Mikullovcin përgjegjës për shumë dështime në Trepçë.

Ai ka përkujtuar se kandidati i propozuar ka punuar shtatë vjet të plota në Trepçë, periudhë në të cilën konsiderohet se është dëmtuar rënd kjo ndërmarrje.

Shala ka ofruar dy fakte, që sipas tij, do të mjaftonin që ky kandidat të mos jetë në krye të AKP-së.

“Fakti i parë! Është harruar një minierë e tërë me 2.5 milionë ton rezerva minerare të verifikuara para dhe pas luftës, në Çukën e Batllavës, në zonën e Llapit. Kur janë bërë regjistrimet e aseteve të Trepçës pas luftës, kandidati në fjalë e ka ‘harruar’ një minierë të tërë, me 26 hektarë tokë pronë të Trepçës, me flet poseduese në zonën kadastrale në Podujevë.

Ky aset është shpronësuar në vitet ’80, i hulumtuar deri në detaje, me 5 km korridore të hapura nëntokësore minerare dhe me 17 mijë metra hulumtim të kryera nga Trepça. Një minierë e tërë e përgatitur për eksploatim, pas luftës ‘harrohet’ të jetë aset i Trepçës dhe sot 20 vjet pas luftës kemi probleme të mëdha juridike si rezultat i këtij veprimi antiligjor dhe anti-ekonomik në raport me sektorin minerar dhe me Trepçën. Sot kemi me dhjetëra procese gjyqësore dhe dhjetëra milionë euro të investuara nga kompanitë vendore dhe ndërkombëtare, ndoshta pa fajin e tyre, që kanë pretenduar se mund të hynë në atë zonë dhe ta revitalizojnë… Sot e kësaj dite miniera është e mbyllur.

Fakti i dytë! Pikërisht në fazën kur ai ka menaxhuar me Trepçën janë bërë shumë pretendime nga kompani të jashtme që kanë punuar në kohën e ish-regjimit në Trepcë dhe rreth Trepcës dhe kemi disa që kanë fituar raste në gjykatat ndërkombëtare në raport me Trepçën.

Asnjë shkresë zyrtare nuk ka shkuar në asnjë institucion vendor a ndërkombëtarë për të ndërprerë dhe për të sqaruar se ka qenë kohë e pushtimit dhe se ato pretendime janë të paligjshme. Sot ato lëndë janë të arkivuara në AKP dhe janë dhjetëra pretendime qindra milionëshe të kompanive para të cilave kandidati ka heshtur.
Mospërgjigja, mosreagimi, juridikisht është shkelje e rënd. Dhe tash i njëjti kandidat duhet të shkoj në vendin ku duhet me i marrë në shqyrtim ato kërkesa të cilat kanë kaluar para syve të tij dhe kurrë nuk ka reaguar.

Unë kam arsye të dyshoj se këto kërkesa do të bëhen në dëm të vendit dhe në dëm të Trepçës, sepse ky është dashur t’i parandaloj me kohë, e jo tash të shkoj t’i zgjidh”, ka deklaruar Shala, i cili një kohë ka drejtuar Trepçën. /Gazeta Infokus/

Të tjera