Fokus

Dy epidemitë që po tronditin Kosovën

Autori: Halil Berisha 12:05 | 18 March 2020

Tashmë ka shkuar në 19 numri i qytetarëve të infektuar me virusin korona që po trajtohen brenda mureve të izoluara të klinikës infektive në QKUK.

Por, janë edhe afro 2 milionë banorë të tjerë të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë kësaj klinike, që përveç nga pandemia e virusit kanë ankth nga epidemia politike, e cila në kohë krizash shpërfaq edhe më shumë urrejtjen mes liderëve, paaftësinë menaxhuese, inatet e opozitës e dështimet e sistemit.

Në këtë kohë gare protagonizmash, si duket virusi i inateve politike po bashkëvepron edhe më mirë me Koronavirusin i cili në telashe e ka vënë jo veç Kosovën por edhe vendet më të fuqishme në botë.

-Advertisement-

Kështu në dukje edhe më shumë po vije inati që nuk po ndalet as në kohë krizash kombëtare, në mes të dy udhëheqësve kryesor të vendit, Kryeministrit Albin Kurtit e Presidentit Hashim Thaçit, shkruan gazeta inFokus.

Ky i fundit i dërgoi kërkesë të parit duke e obliguar të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të gjetur zgjidhje menaxhimin sa më të mirë të situatës së Koronavirusit.

Mbledhia u bë në ora 20, por si duket këtë e infektoi virusi tjetër i politikës kosovare.

Pas takimit, Presidenti Hashim Thaçi, doli i vetëm para mediave, ku tha që këtë moment nuk e kishte menduar që do ta pres ndonjëherë.

“Do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë, që përfshinë edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të FSK-së në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ky dekret po ndodh për shkak të përhapjes së koronavirusit”, tha Presidenti Thaçi.

Por, nuk vonoi shumë, e në pah doli virusi tjetër, i cili së pari po prek politikanët.

Pas pak minutave, tash jo para Kuvendit, por në Qeverinë e Kosovës, para mediave doli zëvendëskryeministri Haki Abazi, shkruan gazeta inFokus.

Abazi nisi të përmend sukseset e Qeverisë në parandalimin e Koronavirusit të ri.

Por, as në këtë kohë kur bota po lufton të zvogëloi numrin e vdekjeve, inatet politike nuk u lanë anash.

‘’Ajo që është propozuar nga Presidenti Thaçi shihet si masë ekstreme dhe njihet si e panevojshme. Me këtë formë të bashkëpunimit ndërinstitucional do të vazhdojë. Kryeministri nuk është në pajtueshmëri me propozimin e Presidentit Thaçi. Tani për tani gjendja e jashtëzakonshme është e panevojshme. Jemi të kënaqur me vendimet që ka marrë Qeveria duhet rregull edhe më i lartë’’, deklaroi Abazi, duke vënë në sipërfaqet atë që tashmë dihej por nuk besohej.

Epidemia e inateve politike është më e fuqishme e më e rëndë se ajo e COVID-19.

E për ta thelluar edhe më shumë këtë gjë, virusi që si duket nuk ka mjekim, doktorë e as ushtri ta mbaj në menaxhim infektoi edhe vet Qeverinë përbrenda.

Nënkryetari i LDK-së që është ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, Agim Veliu, doli kundër shefit në Qeveri, duke përkrahur idenë e Presidentit.

“Pikë së pari Qeveria nuk ka mbajt mbledhje që a me u shpalle a jo gjendje e jashtëzakonshme. Sot është mbajt mbledhje e Këshillit të Sigurisë – situata në Kosovë është serioze, institucionet duhet të ndërmarrin gjitha masat,  unë jam të merren gjitha masat, qofshin edhe ato ekstreme siç po quhen”, deklaroi menjëherë Veliu.

Kjo deklaratë është në vijë me shefin e partisë Isa Mustafën, i cili edhe para Presidentit Thaçi dha idenë që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosovës. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka fol qartë”, kishte deklaruar gjatë ditës Isa Mustafa.

E këto deklarata kundërthënëse brenda oborrit Qeveritar, por edhe ajo e Presidentit, mobilizuan armatën qeverisëse të Albin Kurtit.

Xhelal Sveçla i VV-së doli kundër shefit të tij në ministri, Agim Veliut të LDK-së.

“Para se të shpallej gjendje e jashtëzakonshme do të duhej të vlerësohej se sa janë shfrytëzuar kapacitetet aktuale në kuadër të situatës aktuale, gjendjes së emergjences shëndetësore. Tani për tani emergjenca shëndetësore është e mjaftueshme”, ishte një pjesë e deklaratës së Sveçlës.

Ndërsa Albulena Haxhiu që poashtu vjen nga Vetëvendosje dhe e drejton ministrinë e Drejtësisë ishte më e ashpër se Sveçla.

“Pse të shpallet gjendja e jashtëzakonshme kur situata është në kontroll dhe e menaxhueshme?

Vaj halli nëse edhe në këto rrethana, Presidenti e do primatin. Kjo nuk i ndihmon situatës, përkundrazi!”, deklaroi Haxhiu, e cila gjithashtu tha që “Qytetarët në masë të madhe kanë qenë të disiplinuar dhe kanë ndjekur rregullat e kanë vepruar në përputhje me vendimet e Qeverisë”.

Mirëpo, si duket virusi i inateve politike një prej simptomave më të dukshme e ka verbërinë e gjendjes reale.

Kjo pasi po këtë ditë që u dhanë këto deklarata, pavarësisht që qytetarët kanë instruksione të qarta të mos dalin përveç kur është e nevojshme e të mos rijnë në turma njerëzish, Gërmia e Prishtinës e Rugova e Pejës u mbushën përplot me qytetarë.

Kjo duke shtuar ndjeshmërisht rrezikun e përhapjes së Koronavirusit të ri, i cili po merr jetëra njerëzish nëpër botë, ku edhe një shtet si Italia që edhe ekonomikisht e edhe me sistem shëndetësor është disa vite para Kosovës.

Madje, në këto inate politike nuk përfshihen veç zyrtarët shtetërorë. Edhe bashkëshorti i minsitrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiut e aktivisti i partisë së Kurtit, Alban Krasniqi, i cili nuk ka pozitë udhëheqëse shtetërore, nuk është imun ndaj këtij virusi të inateve.

“PDK-SHIK përmes Thaçit po tentojnë ta rikapin shtetin përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, ka deklaruar Krasniqi.

Megjithatë, ka një dallim mes pandmisë së Koronavirusit e epidemisë së virusit të inateve politike.

Derisa nga Koronavirusi simptomat e vuajtjet i shkakton tek personi që është i infektuar, virusi që ka kapluar politikën kosovare, simptomat gjenden tek politikanët, por vuajtjet tek populli.

Kësisoj, në kohën e emergjencës shtetërore e alarmimit botëror, një pjesë e madhe e kosovarëve, kanë një hall krejt tjetër. Si të furnizohen me gjërat elementare për t’u përballur me sëmundjen?

5.3% e familjeve kosovare jetojnë në varfëri të skajshme me më pak se 1.2 cent në ditë, derisa 17.6% në varfëri absolute e 24 mijë e 526 familje varen nga asistenca sociale, shkruan gazeta inFokus.

Këtë gjendje edhe më shumë e rëndon poshtërsia e biznesmenëve xhepplotë të cilët kanë duke parë kërkesën e ngritur ndjeshmërishtë, kanë rritur edhe çmimet, ku një dezinfektues kushton rreth 5 euro, ku hiq më mirë nuk janë as maskat e vitaminat e ndryshme.

Derisa edhe mielli të cilin qytetarët me vrap synojnë ta sigurojnë në rast të krizës ka bërë që kolonat për këtë produkt jetik të bëhen me kilometra të gjata.

Megjithatë edhe në këtë situatë simptoma e verbërisë nga epidemia politike bën që këto të mos shihen nga ata që morën votën e qytetarëve. Njëjtë vlen edhe për opozitën, të cilët deri tash ishin në poste udhëheqëse.

Shefi i opozitës e i PDK-së që deri tash ishte kryekuvendar, Kadri Veseli, akuzat i shkojnë shumë për dore, por jo edhe idetë konkrete se si të punohet më mirë.

“Për fat të keq, Qeveria nuk po mund ta kuptojë rolin e vet në këtë gjendje të jashtëzakonshme.

Shtetet e fuqishme menjëherë kanë fokusuar programet e tyre qeverisëse në parandalimin dhe sanimin e këtyre pasojave fatale për ekonominë dhe shtetin e tyre në të ardhmen”, janë disa nga deklaratat e tij të fundit.

Derisa edhe opozitari tjetër Ramush Haradinaj ka simptoma të dukshme të epidemisë politike, i cili në çdo adresim të tij, fjalinë kryesore e ka “Qeveria e Mashtrimit”.

“Në kohën e Qeverisë së Mashtrimit, Kosova dështoi sërish në raport me Shtetet e Bashkuara”, është një nga deklaratat e fundit të Haradinajt.

Megjithatë, kundërshtitë e opozitës edhe mund të cilësohen normale, por që Haradinaj sikur po harron që raportet me miqtë më të mëdhenj të Kosovës, ShBA-të, në kohën e tij ishin në një prej niveleve më të ulëta të historisë së Kosovës.

Kjo shkoi deri aty sa madje edhe iu refuzua viza nga amerikanët, gjë që në diplomacitë ndërkombëtare është një prej shenjave më të rënda që mund t’i bëhen, kjo edhe vendeve jo-mike.

E po nga partia e Ramush Haradinajt, Pal Lekaj e Teuta Haxhiu, vizituan spitalin e Gjakovës, por që këtu nuk u pritën mirë nga ata që tek tash po u shihet vlera, mjekët.

Drejtori i spitalit i përzuri ata duke thënë që këtu erdhën për të bërë fushatë e veç ua harxhuan mjetet mbrojtëse.

Por, ani se simptomat e virusit të politikës tash në bashkëdyzim me Koronavirusin po vërehen më shumë, ai ishte prezent edhe para kësaj situate.

Para se Albin Kurti të bëhej kryeministër, Presidenti i vendit Hashim Thaçi disa herë i dërgoi kërkesa për takim, që ta mandatoj për këtë pozitë.

E shumë nga këto kërkesa u refuzuan nga Kurti me arsye të ndryshme, prej atyre që nuk gjendet në Prishtinë e deri tek ajo që krerët shtetërorë nuk mund të takohen kështu urgjentisht kur gjendja nuk është urgjente.

Më në fund ishte arritur takimi i shumëpritur, por që zgjati veç katër minuta, shkruan gazeta inFokus.

Njëjtë loja e ping-pongut me ftesa vazhdoi edhe pasi Kurti u bë shef qeverie, veç kësaj radhe për një gjë tjetër, raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur Hashim Thaçi thirri krejt liderët në takim, atij nuk i shkoi Albin Kurti, me arsyen se duhet të thirret si Kryeministër e jo kryetar partie.

Megjithatë, derisa simptomat e virusit po rëndohen bashkë me të edhe raportet me vendin kryesor që ndikoi në çlirimin e Kosovës nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto raporte shkuan deri aty sa ShBA-të e zyrtarët më të lartë të saj bashkë edhe me djalin e Presidentit Donald Trump, kërkuan largimin e trupave amerikane nga Kosova.

Simptomat u rënduan deri aty sa pati edhe fyerje të rënda në mes të liderëve kryesor të shtetit, të cilët në fakt do të duhej të kishin një synim, përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin. I padinjitet”, janë disa nga fjalët me të cilat iu drejtua Presidenti, Kryeminsitrit të Kosovës.

Madje kjo shkoi deri aty sa simptomat virusale të politikës inatçore tentuan t’i transmetojnë edhe tek zyrtarët më të lartë të ShBA-ve.

Kjo duke shkruar në Twitter akuza për njëri tjetrin e duke etiketuar edhe përfaqësuesin e posaçëm të Donald Trump, Richard Grenell për dialogun Kosovë – Serbi.

Por, në krejt këtë cirk, ajo çka jep shpresë është se ky virus i shndërruar në epidemi në Kosovë, si duket nuk e ka aftësinë e mutacionit, ku edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada prej përfundimit të luftës, simptomat kryesore të tij janë akuzat për “Tradhti”, “Shitje të Kosovës”, “Pazar me Serbinë” e “Kapje të Shtetit”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera