Lajme

Dy ditë shfaqje në Kuvendin e Serbisë, Vuçiq: “Kurrë s’e njoh Kosovën”

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 03 February 2023

Në Kuvendin e Serbisë ka vazhduar shfaqja e lënë në gjysmë, me Vuciqin që thotë se opozitarët se deshën ta rrihnin një ditë më parë. Presidenti serb dhe blloku opozitar u akuzuan mes vete se kush më shumë e kishte ‘tradhtuar Kosovën’. Vuciq përmendi Albin Kurtin, Hashim Thaçin e Hajredin Kuçin. Mes tensionesh, u tha deputetëve se nuk e njeh kurrë Kosovën dhe nuk është pro anëtarësimit të saj në OKB.

Seanca dje në Parlamentin serb ka zgjatur rreth 12 orë. Do të raportonte Presidenti Aleksandër Vuciq, për negociatat me Kosovën.

Vuciq, që u ka premtuar deputetëve se do t’i përgjigjej secilës pyetje, është pritur me duartrokitje nga shumica dhe me fishkëllima nga opozitarët. “Shfaqjen” po e përcillnin si të ftuar specialë drejtuesit e Listës Serbe. Në mesin e tyre edhe Milan Radojciq, që është në kërkim për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

-Advertisement-

Deputetët e opozitës po kërkonin që në këtë seancë të diskutohet plani franko-gjerman, në të kundërtën, debati nuk kishte kuptim. Kryeparlamentari serb, Vladimir Orliq, ka thënë se plani franko-gjerman nuk mund të diskutohet pasi është një “non-paper”.

Në fjalën hyrëse, Vuciq ka thënë se autoritetet kosovare kanë dashur që Serbia të hyjë në luftë “me NATO-n dhe gjithë botën”.

Pas përfundimit të fjalimit të tij, Vuciq u duartrokit nga deputetët e shumicës për disa minuta. Opozitarët zbuluan banerë, ku kishin shkruar “Vuciq, e tradhtove Kosovën”, “Vuciq, e tradhtove Serbinë”, dhe baner me portretin e Ivanoviqit. Presidenti serb i komentoi këto banerë, duke u thënë kundërshtarëve të tij që po i shfaqnin ato, se ai e kishte cuar djalin e tij për ta vizituar në burg Ivanoviqin, për t’i dhënë përkrahjen atij dhe familjes së tij.

Vuciq foli rreth 80 minuta para deputetëve dhe në vend të komentimit të planit franko-gjerman, që ia kërkonte opozita, zbuloi një plan 10-pikësh për Serbinë ku përmendet edhe Kosova.

Deputetët e opozitës që kanë marrë fjalën, kanë thënë se është problematike, për aq kohë sa Serbinë e përfaqëson Vuciq. Po ashtu, kanë pyetur përfaqësuesit ndëkombëtarë se pse po mbajnë “negociata sekrete” me dikë që ka kapur të gjitha institucionet.

Në mesditë, Kuvendi i Serbisë dukej si stadium, ku dëgjoheshin thirrje e brohoritje nga të dyja palët. Opozitarët kishin vazhduar të përmendin “tradhtarin”, me sloganet “ja kapitullimit”. Vuciq, që më herët kishte përmendur amnistimin e shqiptarëve menjëherë pas luftës, më vonë i lexoi emrat e të amnistuarve, duke përdorur këtë kundër opozitës.

“Tani ju ka rënë në mend”, u tha Vuciqi kundërshtarëve që thërrisnin “ne nuk do ta dorëzojmë Kosovën”.

Situata eskaloi pas disa replikave të Vuciqit dhe deputetit opozitar Boshko Obradoviq, të cilit i kërkohej disa herë që të qetësohej. Gjatë fjalimit të Obradoviqit, i cili po fliste në emër të bllokut opozitar të krahut të djathtë dhe disa intelektualve të pavarur, deputetët e Vuciqit nisën sharjet ndaj tij.

 

Pas pak, deputetët e opozitës u nisën në drejtim të Presidentit serb. Situata ishte gati për konfrontim fizik, derisa po gjuheshin gjësende, e po bërtisnin. Deputetët e partisë së Vuciqit u mblodhën rreth Vuciqit, me gjasë për t’i krijuar një mburojë atij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera