Lajme

Duhani dhe rakia po konsumohen me t’madhe në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 12:50 | 07 January 2020

Kosova renditet si vendi më i varfër i Evropës Juglindore, ku 34 përqind e popullsisë jetojnë në varfëri të skajshme, e përkundër kësaj miliona euro po harxhohen për konsum të alkoolit dhe cigares.

Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës në vitin 2019 Kosova ka shënuar rritje në importin e duhanit dhe alkoolit që konsiderohen edhe si produkte luksi.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se qytetarët e Kosovës vitin e kaluar kanë konsumuar 3 mijë tonë cigare, ndërsa për blerjen e tyre janë shpenzuar deri 250 milionë euro.

-Advertisement-

Sipas tij, duhani importohet kryesisht nga shtetet evropiane si Zvicra, Polonia, Gjermania dhe Italia.

Stavileci: Sivjet kemi rritje të importit të duhanit Video “Sivjet kemi një rritje të importit, por trendi prapë se prapë është i njëjtë. Kosova brenda një viti shpenzon rreth 3 mijë tonë duhan, apo cigare të paketuar dhe mund të themi se trendi është përsëri i njëjti, jemi aty. Nëse vitin e kaluar kemi pasur 2700 tonë brenda një viti, gjatë këtij viti janë pak më shumë janë 2800 tonë, pra kemi një rritje të lehtë të importit të duhanit….Ne kemi shpenzuar rreth 170 milionë euro pagesë të taksave në aspektin e duhanit, derisa si vlerë totale e cila është shpenzuar për pagesë të taksave dhe për blerje të duhanit kalon 230 milionë euro. Që nënkupton që Kosova brenda një viti i shpenzon rreth 230 deri 250 milionë euro për duhan”, thotë Stavileci.

Edhe pse 95 përqind të popullatës janë të besimit islam, fe kjo e cila ndalon përdorimin e alkoolit, qytetrët e Kosovës nuk e përfillin edhe aq.

Në bazë të statistikave të Doganës së Kosovës në vitin që shkoi janë importuar më shumë se 3.7 milionë euro sasi të alkoolit.

Lloji i alkoolit të fortë kryesisht në Kosovë vjen nga Skocia e Anglia, kurse llojet e birrave importohen nga Gjermania.

Stavileci: Këtë vit kemi shpenzuar 3.7 milionë euro në alkool

“Ky vit paraqet rritje në krahasim me vitin e kaluar. Nëse vitin e kaluar kemi pasur rreth 3.4 milionë euro importe, tani jemi rritur në shumën 3.7 milionë euro importe pra ka një trend të rritje të alkoolit, por nuk do thotë që kemi një trend në rritje të konsumit, por kjo është një rritje e çmimit të bursave ndërkombëtare të çmimeve në aspektin e prodhuesve të alkoolit…Kryesisht importi i alkooli bëhet nga vendet e unionit evropian prej prodhuesve të mirënjohur, mund të cekim se kemi importe të alkooleve të forta nga Skocia, nga Anglia, importe të birrave e cila vjen nga Gjermania gjithashtu kemi importe të shumta të verërave nga Franca, nga Portugalia apo Spanja”, u shpreh Stavileci.

Por konsumimi i madh i alkoolit dhe duhanit në shoqërinë kosovare po konsiderohet ndër veset më të rrezikshme, sidomos për shëndetin e të rinjve në Kosovë të cilët në moshën e hershme fillojnë konsumimin e këtyre dy produkteve.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti thotë për KosovaPress se në këtë klinikë dita-ditës po rritet numri i rasteve që kanë probleme me mushkëritë për shkak të konsumimit të duhanit.

Sipas saj, konsumi i hershëm konsumimi i duhanit është bërë një ves i keq i të rinjve kosovarë, për çka kërkoi edukim më të madh si nga prindërit ashtu edhe nga institucionet edukative e shëndetësore.

Mehmeti: Çdo ditë kemi raste të reja që kanë probleme me mushkëri

“Nga dita në ditë po kemi raste që kanë probleme me mushkëri si pasojë e duhanpirjes dhe pasojë e kësaj është se këta të rinj fillojnë shumë herët të konsumojmë duhanin qysh nga bankat e shkollës fillore kanë një periudhë të gjatë të duhanpirjes dhe mendoj se këtu duhet të punohet. Kjo ndikon në paraqitjen e jo vetëm të problemeve me mushkëri por plakjes së parakohshme, vdekjes së parakohshme, problemeve të kancerit jo vetëm në mushkri por dhe në të gjitha organet tjera në këtë shekull duhet të mendohet sa më tepër që mos të pihet duhani”, thotë Mehmeti.

Pulmologja Mehmeti ka folur për efektet negative të alkoolit në shëndetin e njeriut.

Mehmeti: Alkooli dhe duhani kombinim shkatërrues për organet jetike

“Edhe alkooli ndikon në shëndet sepse alkooli gjithmonë është i lidhur me duhanin shumë pak kemi njerëz të cilët pinë alkool e nuk pinë duhan janë shokë njëra me tjetrën. Në momentin që e konsumon alkoolin e konsumon edhe duhanin dëmtohet mëlçia, dëmtohen mushkëritë…dëmtimi më i madh është truri i cili është kontrolli i gjithë trupit e me humbjen e kontrollit më nuk ka përcjellje të vetvetes”, u shpreh Mehmeti.

Përkundër që i dinë efektet negative, qytetarët e Kosovës vets ia plotësojnë qejfet sa i takon përdorimit të alkoolit dhe duhanit.

Shaban Balaj thotë se alkoolin e konsumon më shumë në festa, kurse duhanin e ka përditshmëri.

Ai madje thotë se 60 euro në muaj më së paku i shpenzon për duhan.

Balaj: Alkoolin e përdori në mënyrë të moderuar, duhanin një pako në ditë

“Po e përdori në mënyrë të moderuar, jo shumë por as pak jo…Zakonisht një pako në ditë po…Normalisht 2 euro në ditë, 60 euro në muaj”, tha ai.

Një pako në ditë me cigare e konsumon edhe Azra Kasumi e cila thotë se në muaj për këtë shpenzim luksi paguan nga 60 deri 80 euro.

Kasumi nuk ia prish vetes qejfin ndonjëherë duke pirë alkool në raste festive apo ahengje të ndryshme.

Kasumi: Diku deri në 80 euro në muaj shpenzoj për cigare

“Cigaren e pi çdo ditë e alkoolin në raste… Diku nga 60 deri në 80 euro… Kur dal pi alkool”, thotë Kasumi

Në mbrëmje kur bashkohet me familjarët e saj i pëlqen ta konsumojë nga një gotë verë apo edhe raki, Atifete Ahmetit e cila thotë se ajo dhe e gjithë familja e saj nuk e konsumojnë duhanin.

Ahmeti: Në raste pimë alkool, por që nuk e konsumojmë cigaren

“Jo kështu shumë, por me raste të veçanta…Festave, ndonjë mbrëmje, ndonjë ditëlindje se kështu për çdo natë jo….E pëlqejmë një gotë verë në darkë ashtu apo raki shumë e mirë…Duhanin askush nga familja, unë as shoku as pesë vajzat që i kam askush nuk pi duhan, anti duhanxhi jemi”, thotë Ahmeti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera