Rozë

Dueli i stileve mes zonjave të para

Autori: Gazeta inFokus 14:50 | 15 July 2017

Kanë stile shumë të ndryshme, njëra mbulohet e tjetra zbulohet pak si shumë, por ajo që i bashkon zonjat e para amerikane dhe franceze është dashuria e pamohueshme për modën.

Melania Trump dhe Brigitte Macron po e katalizojnë vëmendjen e shtypit tek vetja tyre, duke i vjedhur skenën bashkëshortëve të fuqishëm.

Zgjedhjet e tyre në aktivitete të ndyshme publike janë kthyer në debatet më të preferuara të salloneve të modës.

-Advertisement-

Pikëpyetja që ngrenë disa është nëse Brigitte e ka tepruar disi me veshjet, e për këtë sjellin si shembull prezantimin e saj në funeralin e politikanit francez e të mbijetuarit të Holokaustit, Simon Veil.

Ajo u shfaq me minifund dhe fotot që e tregonin këmbë përmbi këmbë përfunduan në të gjitha gazetat rozë. Ish-modelja Melania, ndryshe nga ajo ka përqafuar një still diskret alla Jacline Kennedy, duke u përpjekur të zbulojë aq pjesë të trupit sa lejon formaliteti.

Por 64-vjeçarja, me snobizmin tipik francez vazhdon në rrugën e saj. Ajo e di se përballja me ish-modelen 47-vjeçare do të ishte e humbur që në fillim. Për më tepër dihet se fundet e gjata nuk i shkojnë femrave të shkurtra.

Në duelin e stilit në muzeun e Invalides, më 13 korrik, Brigitte Macron u shfaq me një zgjedhje perfekte në stilin e Mary Quant, ndërsa Melania i bëri homazh Francës sipas mënyrës së saj, me një fustan të kuq Dior.

Elegante, diskrete dhe kurrë banale, zonja e parë amerikane duket se kompenson ekzagjerimet e të shoqit president. Edhe në samitin e G20-s në Hamburg, ajo dominoi skenën.

Por edhe gruaja 64-vjeçare e Emanuel Macron në të njëjtin event ishte perfekte me stilin e saj. Rregulli është gjithnjë i njëjti, fustane të shkurtra që e përqendrojnë vëmendjen tek këmbët e saj.

Kjo ka bërë që mediat ta përflasin shpesh për siluetën e saj tepër të hollë. Megjithatë, për një franceze që jeton në Paris, eleganca nuk është kurrë e tepruar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera