Lajme

Driton Hajdarit i refuzohet kërkesa për trajtim mjekësor jashtë shtetit

Autori: Gazeta inFokus 19:48 | 07 August 2017

I dënuar me 7 vjet burg në kuadër të rastit “Bllaca 2”, Driton Hajdari kishte kërkuar nga gjykata ta lironte për trajtim mjekësor jashtë vendit.

Në aktvendimin e saj të datës 3 gusht 2017, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar, duke e quajtur të pabazuar, kërkesën për pezullimin e përkohshëm të dënimit me burg të ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Driton Hajdari.

Mbrojtësi i të dënuarit në qershor kishte parashtruar kërkesë që Gjykata të pezullonte ekzekutimin e dënimit me burg pasi që klienti i tij ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.

-Advertisement-

Pas kësaj kërkese, kryetarja e Gjykatës kishte kërkuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) të caktonte një ekip ekspertësh për të dhënë një mendim për gjendjen shëndetësore të të dënuarit Driton Hajdari.

Në raportin e tij grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë konstaton se pacienti vuan nga skleroza amitrofike leterale dhe se edhe përkundër trajtimit sëmundja ka ecuri kronike dhe progresive dhe se në fazat e avancimit shoqërohet edhe me dëmtime të reja neurologjike të motorit të neuronit qendror periferik dhe se protokollet e trajtimit janë të njëjta kudo në botë.

“Që nënkupton se trajtimi i kësaj sëmundjeje është i njëjtë si jashtë vendit ashtu edhe në institucionet shëndetësore publike të Kosovës”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e ka siguruar kallxo.com.

Mirëpo, bashkëshortja e të dënuarit, Teuta Hajdari, tha se edhe pse në aktvendim thuhet se sëmundja trajtohet sikur në të gjitha vendet e botës, Dritoni nuk po trajtohet.

“Dritoni nuk është mirë më shëndet. Edhe vendimi i gjykatës është jo I mirë. Duhet me na dhanë ata një garancë që Dritoni nuk e ka jetën në rrezik nga kjo sëmundje. Ai nuk po trajtohet fare në burg, po i përdorë vetëm barnat të cilat po ia blejmë ne”, tha Teuta Hajdari.

Ajo shtoi se Dritoni nuk mund të paraqesë ndonjë rrezik pasi është shumë rëndë nga shëndeti.

“Nuk e di çfarë rreziku mundet me shkaktu Dritoni kurse nuk është në gjendje as me ec qysh duhet… Na kanë ba me dyshu që me qëllim po ja bëjnë, janë tu e mbytë vet ata edhe familjen e Dritonit”, shtoi ajo.

Teuta Hajdari tha për kallxo.com se avokati i Driton Hajdarit, Albert Jupolli do të paraqes ankesë në lidhje me këtë vendim.

Në qershor të këtij viti ishte raportuar se Driton Hajdari po kërkon të lirohet nga dënimi i tij për shkak të sëmundjes së tij.

Familjarët e tij patën thënë se sëmundja e Dritonit nuk trajtohet në Kosovë.

Me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës të vitit 2012 dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2013, Driton Hajdari ishte gjetur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe ishte dënuar me 7 vjet burgim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë
-Advertisement-

Të tjera