Sport

Drita – CAS: Ky është lajmi i fundit te Kampionia e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 28 October 2020

Pandemia COVID-19 kishte dëmtuar me të madhe klubet kosovare që morën pjesë në garat evropiane këtë verë, sidomos kampionen në fuqi të Kosovës, Dritën e Gjilanit.

Drita e nisi për mrekulli aventurën në fazën preliminare të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur fillimisht Inter d’Escaldesin, por në ndeshjen finale të kësaj faze gjërat shkuan si më së keqi.

Te skuadra që drejtohet nga Ardian Nuhiu, dy futbollistë rezultuan pozitiv me COVID-19, gjë e cila shtyu shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA ta përjashtojë Dritën nga Liga e Kampionëve.

-Advertisement-

Me këtë rast, Drita zbriti një garë më poshtë dhe e vazhdoi ëndrrën evropiane në Ligën e Evropës.

Megjithatë, me gjithë këtë nuk u pajtuan assesi drejtuesit e Dritës, të cilët nuk e lënë me kaq.

Klubi gjilanas ka apeluar në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit e njohur ndryshe si CAS, dhe kërkon dëmshpërblim financiar për këtë eliminim, të cilin klubi e sheh si të “padrejtë”.

Drejtori sportiv i Dritës së Gjilanit, Valon Zymberi në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim nga CAS-i.

“Jemi në pritje. Ende nuk kemi ndonjë përgjigjje. Vetëm se na kanë lajmëruar se vendimi do të vonohet”, deklaroi të mërkurën Valon Zymberi.

Drita në Ligën e Evropës, e nisi mbarë rundin e parë eliminator ku mposhti Sileksin e Maqedonisë së Veriut në Shkup me rezultat 0:2.

Por, në rundin e dytë, skuadra gjilanase u eliminua denjësisht nga skuadra e madhe polake, Legia Varshava në Poloni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera