Lajme

Drejtori i NDI-së, kryeministrit Kurti: Është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë

Autori: Islam Morina 17:45 | 06 September 2022

Kryeministri i Kosovës albin Kurti ka takuar Drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg, shkruan Gazeta Infokus.

Në këtë takim Benjamin i ka thënë kryeministrit Kurti se është evidente se ka një betejë mes demokracisë dhe autokracisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kurse Kurti u ka folur atyre për shoqërinë cilivile, të cilëve u ka thënë se Kosova ka shoqëri civile të fortë dhe se është shembull për rajonin, shkruan Gazeta Infokus.

Kryeministri Kurti ka ftuar NDI-në që të japë ndihmë në për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave nga institutet vendore e që ndihmojnë vendimmarrjen, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot Drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg.

Gjatë takimit u bisedua për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe transparencën. Ai tha se NDI mund të ndihmojë edhe më tej në demokratizimin e partive politike dhe në mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile. Demokracia është e lidhur me respektimin e promovimin e të drejtave të njeriut dhe se të drejtat bazike të njeriut nuk duhet të fitohen, sepse ato na takojnë për vet faktin që ekzistojmë, u shpreh kryeministri Kurti. Ai shtoi se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm dhe një shoqëri civile të fortë dhe se Republika e Kosovës është shembull rajonal në këtë drejtim. Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi nevojën për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave që duhet të vijnë nga institutet tona e që ndihmojnë vendimmarrjen dhe i ftoi përfaqësuesit e NDI për bashkëpunim në këtë drejtim.

Drejtori Rajonal i NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, z. Benjamin u shpreh i lumtur që janë të pranishëm në Kosovë dhe se duan ta rrisin më shumë praninë e tyre sikurse edhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera për promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë. Ai tha se është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë, dhe theksoi rëndësinë që integriteti i informacionit dhe luftimi i dezinformimit ka në këtë rast. Z. Benjamin falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen e deritanishme dhe për pjesëmarrjen e tij në Javën e Gruas”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit./Gazeta Infokus/

Të tjera