Lajme

Drejtoresha e shkollës i reagon Duda Baljes: Mos nxitni urrejtje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si deputete

Autori: Gazeta inFokus 10:40 | 01 April 2022

Drejtoresha e shkollës “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, i ka reaguar deputetes Duda Balje, pasi kjo e fundit tha se krahasimi i një arme që vret, me atë të një vajze me shami, është vrasje e të drejtës së besimit.

Drejtoresha e shkollës i quajti komentet e Baljes paragjykuese, tendencioze dhe linçuese, duke e ftuar deputeten që ta lexojë udhëzimin administrativ të MASHT-it.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulet, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”, ka shkruar drejtoresha në një postim në Facebook.

-Advertisement-

“Andaj, iu ftoj që të mos humbeni kohë duke nxitur urrejtje e përçarje ndaj meje, por kryeni punën tuaj si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe nëse e konsideroni problematike këtë çështje ndërrojeni udhëzimin administrativ. Të cilin unë natyrisht se do ta respektoj dhe përmbush në përpikëri, sikur çdo ligj dhe udhëzim administrativ tjetër që e respektoj maksimalisht gjatë punës sime”, u shpreh tutje ajo.

“Pra ju mund të manipuloni për llogari e vota tuaja, të më sulmoni, mund të nxiteni çfarëdolloj fushate të dhunës e urrejtës ndaj meje, sikur se tashmë e shkaktuat me linçimin tuaj publik ndaj meje, por duhet ta kuptoni një gjë elementare: Thjesht po e respektoj dhe do ta respektoj udhëzimin administrativ të MASHT-it 06/2014, deri sa i njëjti të jetë në fuqi”.

“Ndërsa ju, e nderuara deputete e Kuvendit të Kosovës, si kryesuese e Komisionit për të Drejtat e Njeriut e Barazi Gjinore, dy vlera demokratike të larta, mbase do të duhej të angazhoheshit në respektimin dhe përmbushjen e këtyre të drejtave Kushtetuese të secilit qytetar, e jo të humbnit kohë në sulme e nxitje të urrejtës ndaj meje, pse unë po e kryej me përpikëri detyrën time bazuar në ligjet që i votoni ju në Kuvend të Kosovës”.

Tutje drejtoresha tha se do t’i drejtohet autoriteteve të sigurisë, për atë që e quajti, fushatë e kërcënimeve.

“Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime – Kosova – për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mija ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individ të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës”, përfundoi drejtoresha.

Balje reagoi pasi në shkollën “Nexhmedin Nixha” ishte vendosur një shenjë e ndalimit të shamisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera