Lajme

Drejtësi e verbër për fëmijët e trafikuar romë të Rumanisë

Autori: Gazeta inFokus 10:44 | 11 December 2019

Ani Sandu Bucharest, London, Tandarei BIRN December 11, 2019

Prokurorët rumunë mendonin se kishin një çështje të thjeshtë kundër udhëheqësve të dyshuar të një prej rrjeteve më të mëdha të trafikimit të fëmijëve në Europë. Dhe ndërsa ka kaluar tashmë pothuajse një dekadë, si ndodhi që askush nuk është dënuar?

Në një mëngjes të këndshëm pranvere në qytezën Targu Muresh në Rumaninë qendrore, një burrë me pamje prej gjyshi hyn në dhomën 52 të gjykatës së apelit, takat e këpucëve të kostumit trokëllijnë mbi parket.

-Advertisement-

Veshur me një xhaketë sportive blu dhe pantallona ngjyrë krem, me një kapele të bardhë në dorë, ai zgjedh një stol bosh në fund të sallës. Ndërsa pret që seanca të fillojë, ai fërkon mjekrën dhe ndjek me vëmendje me sy dy gjyqtarët përballë.

Ky është Constantin Radu, 66 vjeç — por të gjithë e njohin atë si Titi.

Bashkë me 25 burra të tjerë, Titi akuzohet se ka trafikuar dhjetëra fëmijë nga minoriteti rom për në Europën Perëndimore për t’i shfrytëzuar për kriminalitet. Dy nga të akuzuarit e tjerë janë fëmijët e tij.

Të akuzuarit dhe avokatët e tyre fillojnë të mbushin sallën. Ata ulen pranë Titit vetëm pasi të gjitha karriget e tjera janë zënë.

Titi ndërkohë lexon një tufë letrash të zhubrosura, megjithëse ai i njeh ato mire. Aty është shkruar vija kryesore e mbrojtjes së tij.

“Ai është bosi i vërtetë,” tha Bernie Gravett, një ish-inspektor policie në Policinë Metropolitane të Londrës i cili udhëhoqi hetimin që i dërgoi këta njerëz në gjykatë. “Ai është maja e piramidës.”

Prokurorët thonë se Titi, i cili është gjithashtu rom, është shefi i një bande famëkeqe nga Tandarei, një qytezë e vogël në juglindje të Rumanisë ku një vilë e ekzagjeruar ulërin për të treguar pasuri në mes të barakave të varfra.

“Është si një lloj operacioni ushtarak,” tha Gravett, duke përshkruar mënyrën e dyshuar se si grupi drejton një ushtri fëmijësh për të lypur dhe vjedhur. Edhe një foshnjë tetëjavëshe u trafikua në këtë shërbim – si një nxitje për lypjen, ndërsa drogohej që të mbahej e palëvizur.

Hetuesit thonë se perandoria e Titit shtrohej në të gjitha anët e BE-së: Spanjë, Itali, Francë e madje edhe Norvegji, por në veçanti në Britaninë e Madhe.

Oficerët arrestuan dhjetëra rumunë në Britani dhe Rumani pas një hetimi të paprecedent të përbashkët që zgjati plot katër vjet.

Por drejtësia rrodhi ndryshe në të dyja vendet.

Në Britani, rreth 100 vetë u dënuan për krime që varionin nga trafikimi te pastrimi i parave apo te përfitimi përmes mashtrimit, falsifikimi i dokumenteve apo neglizhenca ndaj fëmijëve.

Në Rumani, të 26 të akuzuarit u shpallën të pafajshëm në një vendim tronditës në shkurt të këtij viti – pas një procesi gjyqësor që vijoi e ndaloi për nëntë vjet me radhë.

Ndërsa prokurorët apeluan dhe të akuzuarit janë sërish në gjyq, shumë e panë vendimin si një provë se drejtësia në Rumani është tepër e dobët – ose shumë disfunksionale – për t’u përballur me banda dhe me korrupsionin që i lejon bandat të lulëzojnë.

“Sistemi i drejtësisë penale i ndërtuar për të luftuar krimin e organizuar transnacional duket se është pranë kolapsit në Rumani,” shkruan 25 grupe të të drejtave të njeriut në një peticion pas vendimit, duke i bërë thirrje organizmave ndërkombëtare të “mbajnë Rumaninë përgjegjëse” për të luftuar trafikimin.

Në një vend ku politikanët e dënuar për korrupsion njihen se janë përpjekur të shtyjnë drejtësinë në favor të vet, kjo çështje ishte acaruese. Ajo i bëri gjithashtu përshtypje negative rumunëve të lodhur nga historia zhgënjyese e shtetit në mbrojtjen e personave vulnerabël.

Ndjenja të tilla mbërritën në pikën e zierjes pas një çështjeje tjetër pa lidhje me këtë: verën e shkuar, një vajzë 15 vjeçare në Rumaninë e jugut u rrëmbye, përdhunua dhe u vra pavarësisht se kishte telefonuar policinë tri herë për ndihmë.

Tragjedia zbuloi paaftësinë rrëqethëse të policisë dhe prokurorisë si dhe dyshimet për lidhje mes agjencive ligjzbatuese dhe krimit të organizuar, përfshirë rrjetet e trafikimit.

Të dhëna nga Komisioni Europian tregojnë se gati tri të katërtat e viktimave të trafikimit të identifikuara në vendet anëtare vijnë nga Rumania – ose më shumë se 1,500 persona për një periudhë dyvjeçare 2015-2016.

Dhe Departamenti Amerikan i Shtetit uli vlerësimin për Rumaninë në raportin e fundit mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore, duke vërejtur se viti 2018 ishte më i keqi në më shumë se një dekadë sa i përket numrit të trafikantëve të dënuar apo viktimave të identifikuara.

Ndërsa gjyqi i apelit të Titit dhe të akuzuarve të tjerë filloi këtë pranverë, BIRN kaloi muaj të tërë në analizimin e dokumenteve gjyqësore dhe duke intervistuar njerëzit pranë kësaj çështjeje për të kuptuar shkallën dhe kompleksitetin e sipërmarrjes së dyshuar kriminale në Tandarei.

Panorama që shfaqet ishte ajo e një bashkësie rome të mbyllur dhe margjinalizuar dhe e skllavëruar nga mafia vendëse që ushqehet mbi familjet e varfra, duke rrëmbyer fëmijët e tyre përmes një forme pengmarrjeje përmes borxheve.

Të dhënat gjyqësore dhe intervistat me ekspertët hedhin dritë gjithashtu mbi atë se si një çështje gjyqësore që shumë e panë si një test për angazhimin e Rumanisë në luftën kundër skllavërisë moderne, doli jashtë shinave.

Anthony Steen, një ish-ligjvënës britanik që ndoqi gjyqin nga afër, e cilësoi atë si “një rast shumë të keq të shkatërrimit të drejtësisë”.

“Nuk pati presion politik apo profesional për t’i dhënë drejtim punës,” i tha ai BIRN.

Lingota ari dhe AK47

Në rrugët e pluhurosura të Tandareit, fëmijët luajnë futboll në mesditë gjatë një dite shkolle. Në panairin e lojërave që zhvillohet çdo vit shumë pranë qendrës së qytetit, ata përdorin makina elektrike dhe qëllojnë me pushkë lodër.

Qyteza me 13 mijë vetë fillon dhe mbaron në një rrafshnaltë, në gjysmë të rrugës mes Bukureshtit dhe Detit të Zi në lindje.

Ndërtesat më të larta janë pallatet katërkatëshe të kohës së komunizmit, por ndërtesat që bien në sy janë shtëpitë luksoze me ballkone të mëdha dhe dyer të dekoruara me hekur të rrahur – shumë prej të cilave janë ndërtuar me para krimi, thonë hetuesit.

Nëse del nga rruga kryesore ti rrezikon të mbytesh në gropa apo të zhytesh në baltë. Kjo nuk i pengon ata me makina luksi që shfaqen nëpër të gjithë qytetin: BMW, Mercedes, e madje edhe një Porsche. Disa makina kanë timon anglez.

Një BMW është parkuar në një rrugë balte pranë një shtëpie imponuese e zbukuruar me kangjella me hekur të rrahur në Tandarei. Foto: Andrei Pungovschi

Njerëzit kanë frikë të flasin me gazetarët. Ata janë të shqetësuar se mund të fotografohen, madje edhe në aktivitete publike si një panair i përvitshëm, në të cilin një burrë kërcënoi “të më shtypte surratin” nëse nuk i fshija fotografitë.

Ky lloj rendi në Tandarei duket se u trondit më 8 prill 2010 kur rreth 300 policë rumunë dhe britanikë me maska trokitën në dyert e 34 vilave ndërkohë që helikopterët monitoronin nga lartë.

Ata nuk i informuan autoritetet vendëse paraprakisht. Sulmi në agim i filmuar në një video që upublikua nga policia e Rumanisë, zbulon thasë me para, shifra ari, certifikata lindjeje dhe armë – përfshirë AK47 – të fshehura nën dysheme.

Policia kapi ca të dyshuar – që të gjithë  romë – drejtpërsëdrejti në krevat. Tetëmbëdhjetë u arrestuan në vend, përfshirë Titin.

Përveç trafikut të minorenëve, për të cilën ata rrezikojnë deri në 12 vjet burg, burrat u akuzuan për drejtimin e një grupi të krimit të organizuar, për pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.

Prokurorët zgjodhën kontenë Harghita në Rumaninë qendrore, afro 350 km nga Tandarei si vendi i gjyqit për trafikantët e dyshuar, në përpjekje për të ndaluar bandën nga ndikimi i procesit.

Bastisja dhe çështja gjyqësore që pasoi ishin rezultat i një hetimi të paprecedent që nisi në vitin 2006 pasi një grua çeke zbarkoi në Britani me tri fëmijë romë nga Tandarei.

Oficerët e imigrimit në Aeroportin Stansted të Londrës patën dyshime kur kuptuan se fëmijët nuk mund të komunikonin me gruan. Ajo më vonë u dënua me tre vjet burg për tentativën e sjelljes së tyre në Britani në mënyrë ilegale.

Gravett, komandanti nga Policia Metropolitane e Londrës, mori çështjen në shqyrtim pasi kapi qindra fëmijë rom nga Rumania duke vjedhur nëpër dyqane apo duke vjedhur nëpër xhepat e kalimtarëve në qendër të Londrës.

Ai tha se krimet e kryera nga rumunët u rritën me gati 800 për qind brenda tre muajve pasi Rumania u anëtarësua në Bashkimin Europian më 2007.

Shumica e krimeve ishin vjedhje nga fëmijët romë. Gravett rikujtoi një vajzë 13-vjeçare të arrestuar më shumë se 10 herë me emra dhe ditëlindje të ndryshme.

“Pra ne e dinim se dikush po luante një lojë me ne,” i tha ai BIRN në një intervistë në një kafe në qytezën e Brajtonit në juglindje të Anglisë.

Ai nxori një laptop dhe hapi një prezantim në PowerPoint mbi çështjen Tandarei. Tashmë në pension pas 31 vitesh pune në polici, Gravett punon si konsulent dhe ai përdor këtë çështje si leksion se si oficerët e policisë duhet të trajtojnë çështjen e trafikut.

Më vonë, ai kërkoi një kartëpecetë – “Unë bëj vizatime në kartëpeceta,” tha ai, për të shënjuar rrethe, shigjeta dhe piramida, për të treguar se si qarkullonin njerëzit dhe paratë.

Shpejt pasi Rumania u bashkua me BE-në, Gravett zbuloi se policia në Rumaninë para anëtarësimit i kishte dërguar Europolit, agjencisë ligjzbatuese të Bashkimit Europian, një listë me 1,087 emra fëmijësh dhe 67 të dyshuarish si anëtarë të bandës të cilët duhej të monitoroheshin.

Europol e kishte vlerësuar këtë si rrjeti më i madh i trafikut të qenieve njerëzore në Europë.

Duke kontrolluar listën, Gravett zbuloi se rreth 200 minorenë ishin arrestuar në Londër për krime të vogla. Ai kërkoi fonde nga BE për të hetuar më tutje.

Kështu nisi Operacioni Golf, i pari hetim i përbashkët i të dy vendeve kundër trafikimit. Më 2008, Komisioni Europian dha 1 milionë euro në mënyrë që policia britanike dhe ajo rumune të bashkëpunonin për t’i dhënë fund këtij grupi kriminal.

Hetuesit zbuluan se udhëheqësit e bandës i afroheshin familjeve të varfra rome në Rumani duke i ofruar të merrnin një fëmijë prej tyre për të fituar para jashtë vendit, me kushtin që kjo familje të paguante 1 mijë euro për fëmijë, sipas Gravett.

Pas kësaj grupi i jepte para fajde familjes në mënyrë që të sigurohej që kjo mbetej në borxhe përgjithmonë. Në këtë mënyrë familja mund të detyrohej të dërgonte jashtë vendit edhe një fëmijë tjetër, pastaj edhe një tjetër, deri sa në fund e gjithë familja përfundonte nëpër Europë duke punuar për bandën.

“Ne kishim rastin e një babai që përpiqej të dërgonte te banda një fëmijë tetëjavëshe”, – tha Gravett. “Ai tentoi tri herë.”

Ne kishim rastin e një babai që përpiqej të dërgonte te banda një fëmijë tetëjavëshe, – tha Gravett. Ai tentoi tri herë.

– Bernie Gravett, ish-inspektor në Policinë Metropolitane të Londrës

Banda pas kësaj vendoste fëmijën te familjet që kishin nën kontroll. Gravett përmendi rastin e një vajze 13-vjeçare që u dërgua në qytezën Slough pranë Londrës. Kur ajo nuk detyrohej të dilte të lypte, përdorej si skllave në shtëpi.

Babai i saj në fund u dënua me pesë vjet burg në Britani për trafikimin e vetë vajzës së vet. Hetimi zbuloi se ai kishte kontrolluar edhe vajza të tjera për llogari të bandës, deri larg në Spanjë.

Gjatë një bastisjeje në Slough, oficerët gjetën 211 njerëz që jetonin në 16 shtëpi. Kushtet ishin rrëqethëse. Fëmijët romë flinin të mbledhur së bashku në dysheme. Frigoriferët në shumicën e rasteve ishin bosh.

Shumica e fëmijëve ishin nga 10 deri në 17 vjeç dhe kishin “një histori shumë të pasur kriminale,” tha Gravett.

Hetuesit thonë se Britania ishte vendi i parapëlqyer i bandës për shkak të sistemit relativisht bujar të ndihmës shoqërore në këtë vend. Ata falsifikonin dokumente për të marrë ndihmë ekonomike, në disa raste duke bërë gabime të trasha të llojit “Shkurt 230”.

Një burrë po luan me një thes grushtimi në panairin e përvitshëm në Tandarei. Foto: Andrei Pungovschi

Pasuri dhe pushtet

Gravett vlerëson se ky grupim mund të ketë trafikuar deri në 10 mijë fëmijë që nga viti 2002 – shumë më tepër se sa numri i identifikuar nga hetimi i përbashkët – ku secili fëmijë mund të nxjerrë rreth 160 mijë euro në vit për bandën.

Ai thotë se shumica e këtyre fitimeve u çuan te Titi, përmes MoneyGram apo Western Union, apo u dërguan në Rumani me thasë dhe të shoqëruar me armë.

Titi refuzoi të komentojë kur u pyet nga BIRN në sallën e gjyqit pas një seance në apel, por mbrojtja e tij ka qenë konsistente: ai thotë se është rast tipik i identitetit të gabuar.

Sipas akuzës, Titi konceptoi mënyrën se si duhej të rekrutoheshin fëmijët dhe vendosi se kush do t’i transportonte ata jashtë vendit.

Përgjime telefonike të përfshira në aktakuzë zbulojnë se Titi ishte në kontakte të rregullta me policinë vendëse, e cila e informonte atë nëse kishte telashe. Përgjimet tregojnë gjithashtu se ai premtoi ndihmë për një burrë me probleme ligjore që t’i shpëtonte burgut përkundrejt një pagese në para të thata.

Sipas të dhënave, Titi është një person i respektuar të cilit gjithashtu ia kanë frikën në Tandarei. Një oficer policie rumun që punoi me këtë çështje por refuzoi të identifikohej, tha Titi njihej si “gjykatësi i madh” mes romëve.

Pyetur në gjykatë në Nëntor 2018, Titi mohoi çdo gjë: rekrutimin e minorenëve, huadhënien për njerëzit, të qenit udhëheqës vendor.

“Unë nuk kam ndikim mbi askënd në bashkësinë ku ne jetojmë,” tha ai.

Ai shtoi se nuk i njihte bisedat telefonike të përmendura në aktpadi dhe se ai kishte dokumente për armët e gjetura në shtëpinë e tij, armë që ai i përdorte për gjueti.

“Ka një person tjetër me të njëjtin emër,” tha ai, “the ka gjasa që unë gjendem këtu në vend të tij dhe se paratë që thuhet se më janë dërguar mua në fakt i janë dërguar këtij tjetrit.”

Tandarei është një qytezë e holluar nga emigrimi. Vendësit vlerësojnë se rreth 80 për qind e banorëve punojnë jashtë vendit për shkak se vendet e punës këtu janë shumë të pakta. Pothuajse të gjitha fabrikat që lulëzuan gjatë komunizmit u mbyllën.

Rreth një e katërta e popullsisë së Tandareit janë romë, minoriteti i dytë më i madh i Rumanisë pas hungarezëve. Si gjithkund tjetër, shumë familje rome jetojnë në varfëri ekstreme, të shkëputur nga shërbimet bazë si arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Diskriminimi është i gjithëpërhapur.

Lagjja kryesore rome në Tandarei quhet Strachina – dhe është e mbyllur për të huajt pa lejen e udhëheqësve romë.

Nicușor Lefter, një rezident rom në Tandarei që punon me organizatat jofitimprurëse për të mbështetur këtë bashkësi, thotë se vilat e mëdha në qytezë janë ndërtuar me paratë e fituara jashtë vendit dhe nuk kanë dalë papritur brenda një nate.

“Çdo gjë që shihni këtu është financuar nga romët,” tha ai. “Nëse nuk do të ishte për romët, nuk do të kishte asnjë dyqan për shkak se shumë nga rumunët kanë ikur.”

Gelu Duminică, drejtor i Agjencisë për Zhvillim Komunitar Împreună, e cila mbështet bashkësitë rome në të gjithë vendin, udhëhoqi një grup politikanësh britanikë në Tandarei menjëherë pas hetimit për trafikim.

Ai rikujtoi se si ata takuan rreth 30 nga njerëzit më të rëndësishëm në qytet dhe shumë u ankuan se bastisjet e policisë kishin qenë abuzive. Rezultoi më vonë se më shumë se gjysma e personave në takim ishin në fakt të akuzuar në këtë çështje, tha ai.

Edhe sot, njeriu i akuzuar si i dyti në grupin e Titit – Gheorghe Drăgușin, me nofkën “Franț” — pretendon se është këshilltar për çështjet rome për kryebashkiaken e Tandareit, Nicoleta Toma.

Toma refuzoi kërkesën e BIRN për intervistë dhe BIRN nuk ishte në gjendje të verifikonte pretendimin e Drăgușin.

“Unë them se jam i pafajshëm,” tha për BIRN Drăgușin, 57, pas një seance në apel në Targu Muresh. “Ne në këtë çështje jemi për shkak të asaj që ka bërë dikush tjetër.”

“Ne në këtë çështje jemi për shkak të asaj që ka bërë dikush tjetër.”

– I dyshuari për kapobandë Gheorghe Drăgușin

Prokurorët thonë se Drăgușin organizoi udhëtime jashtë vendit, korruptoi roje kufiri dhe grumbulloi para nga ata që u detyruan të lypin.

“A janë ata fëmijë ende gjallë,” pyeti Drăgușin në mënyrë retorike.”A i vramë ne ata? Çfarë duan të thonë këta me akuzën që ne i morëm këto fëmijë nga familjet dhe ata nuk e dinë se ku janë?”

Ekspertët thonë se shumë nga banorët në Strachina i shohin anëtarët e bandës si “Robinhudë modernë”, që marrin para nga të pasurit jashtë vendit dhe ia japin të varfërve pas në shtëpi.

“Gjëja e trishtë mbi këtë është se ne duhet të kuptojmë se romët kanë pasur jetë të vështirë përgjatë të gjithë historisë, por ky është krimi i organizuar rom që shfrytëzon klanet më të ulëta dhe romë të tjerë e familjet e tyre nga vetë grupi që nuk kanë asgjë,” tha inspektori Gravett.

“Unë kam qenë në Tandarei shumë herë dhe gangsterët bëhen të pasur dhe të varfrit vijojnë të mbeten të varfër e në borxhe. Ata mbeten në fund. Ata nuk do të tregojnë për bandën.”

Ish-inspektori i Policisë Metropolitane të Londrës Bernie Gravett. Foto: Ani Sandu

‘Do të të vrasim familjen’

Titi dhe të akuzuar të tjerë u lanë në masë sigurie arrest me burg për dhjetë muaj para se të liroheshin, shumë përpara se të fillonte gjyqi në shkurt 2013.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm në gjyq. Disa thanë se i kishin futur në kurth. Të tjerë pretenduan se nuk mbanin mend se çfarë kishte ndodhur. Ata thanë se fondet që merreshin nga Britania ishin remitanca nga të afërm që punonin punë të ndershme.

Njëri, një kushëri i Titit, tha se ai bleu shtëpinë dhe makinën në Tandarei duke u marrë me tregti makinash, gazetash dhe ushqimesh në Spanjë, Britani, Itali dhe Francë. “Fëmijët e mi nuk janë ndaluar kurrë nga policia.”

Një tjetër tha se kishte 13 fëmijë në Britani, të cilët marrin ndihmë ekonomike prej rreth 200 paundësh në muaj (230 euro) për fëmijë. “Unë nuk e dija dhe as më shkoi mendja se fëmijët nga Tandarei rekrutohen për të lypur jashtë vendit.”

Një tjetër tha se ai kishte punuar në Britani që nga viti 2008, duke shpërndarë ushqime. “Unë nuk kam parë kurrë një fëmijë rumun duke lypur në Angli,” i tha ai gjykatës.

Titi punësoi një nga avokatët më të famshëm të Rumanisë, Cătălin Dancu, i cili ka mbrojtur edhe politikanë të rëndësishëm dhe biznesmenë, duke fituar në këtë proces edhe nofkën “avokati i të famshmëve”.

Vonesat e përndoqën gjyqin që nga fillesat. Pati në problem me aktpadinë, e cila u desh të ribëhej. Seancat shtyheshin ndëra të akuzuarit ndryshonin avokatë.

Në një rast, mbrojtja kërkoi shtyrje për shkak se po binte dëborë. Pastaj Titi kërkoi kohë për një avokat të ri pasi avokati i tij u emërua drejtues i Konsullatës së Përgjithshme të Rumanisë në Nju Jork.

Problemi më i madh ishte marrja e dëshmitarëve për të dëshmuar.

Disa nuk u detyruan dot të viheshin në bankën e dëshmitarit për shkak se kishin vdekur. Shumë të tjerë kishin ikur jashtë vendit ose nuk mund të gjendeshin. Një gjykatës madje gjobiti edhe një polic vendor për 230 euro për shkak se nuk ishte përpjekur mjaftueshëm që t’i gjente dëshmitarët.

Sërish dhe sërish, dëshmitarët u lejuan të mos dëshmonin për shkak se ata ishin të lidhur me ndonjë nga të akuzuarit me farefisni apo krushqi. BIRN numëroi rreth 20 përjashtime të tilla.

Pastaj ishte edhe fakti se në gjyq zyrtarisht nuk kishte palë të dëmtuar. Kur hetuesit morën në pyetje fëmijët që dyshohej se ishin trafikuar apo familjet e tyre, atyre iu dha statusi ligjor i dëshmitarit dhe jo i viktimës.

Arsyeja ishte se viktimat nuk e shihnin veten si të tillë, tha oficeri i policisë rumune. Sa për fillim, ata e konsideronin jetën në Britani një hap drejt largimit nga Tandarei.

“Tani ata jetonin në një shtëpi,” tha ai. “Ata kishin televizor në atë shtëpi. Rrugët ishin të asfaltuara. E panë këtë si një avantazh të madh.”

Përgjatë gjyqit, dëshmitarët ndryshuan dëshmitë e veta nga deklaratat fillestare të dhëna para policisë britanike. Ata thanë se shkuan në Britani me dëshirë, për të lypur për veten.

Hetuesit thonë se nuk ka dyshim që ata gënjyen nga frika.

“Gjëja më e thjeshtë është që ata të thonë: ‘do të të vrasim familjen,’” tha Grayett.

Një dëshmitar i shkroi gjykatës se ishte tepër e rrezikshme për të dëshmuar dhe më pas tërhoqi deponimin që kishte bërë në polici.

Vetëm katër nga 158 dëshmitarë kishin identitetet e veta të mbrojtura. Dhe edhe në këtë rast kishte probleme. Në një seancë të kryer përmes një lidhjeje video, një dëshmitar i mbrojtur nuk pati mundësi të shihte të akuzuarit kur iu kërkua të tregonte se cilët ishin për shkak të një defekti teknik.

Dy vajza po ecin në rrugë para një stende në panairin e lojërave në Tandarei. Foto: Andrei Pungovschi

‘Neglizhencë ose pabesi’

Në kohën kur gjykata në Harghita mbërriti në marrjen e vendimit në shkurt 2019, gjyqi kishte mbërritur në seancën numër 53.

Gjyqtari vërejti se deri në dhjetor 2018, afatet ishin kaluar për disa akuza, përfshirë armëmbajtjen pa leje dhe drejtimin e një organizate kriminale.

Kjo për shkak të ndryshimeve të bëra në kodin penal në vitin 2014, në të cilën afatet e parashkrimit janë reduktuar për akuzat për krime të caktuara.

Sa i përket akuzave për trafik qeniesh njerëzore dhe pastrim parash, gjyqtari tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për t’i dënuar.

Në arsyetimin e vendimit, ai shkroi se qartësimi i asaj që ndodhi “u pengua nga mungesa totale e palëve të dëmtuara të identifikuara gjatë këtij hetimi pena” – një referencë për mungesën e viktimave.

Dhe sa i përket Titit, vendimi shënoi: “Nga provat e kësaj çështjeje, dhe duke marrë parasysh veçanërisht thëniet e dëshmitarëve, nuk provohet se ai ishte i përfshirë në rekrutim, strehim dhe transport të ndonjë minoreni përmes përdorimit të premtimeve të rreme.”

Ai shtoi se regjistrimet e bisedave telefonike mes Titit dhe policisë vendëse ishin indicie “për krime të tjera, jo për ato për të cilat i akuzuari ishte akuzuar.”

Silvia Tăbușcă, një profesoreshë e ligjit dhe koordinatore për Programin e Sigurisë Njerëzore në Qendrën Europiane për Edukim Ligjor dhe Kërkim, një grupim i të drejtave të njeriut me bazë në Bukuresht, tha se ai e shihte të çuditshme që vendimi erdhi menjëherë pasi afatet e parashkrimit u plotësuan.

Ai gjithashtu akuzoi prokurorët se nuk luftuan mjaftueshëm fort. “Ose kemi të bëjmë me neglizhencë serioze ose me pabesi,” tha ajo.

Ose kemi të bëjmë me neglizhencë serioze ose me pabesi.

– Silvia Tăbușcă, Qendra Europiane për Edukim Ligjor dhe Kërkim

Pyetur nga disa deputetë rumunë mbi vendimin, Augustin Lazăr, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, publikoi një deklaratë në të cilën mbronte prokurorinë.

Ai tha se prokurori ishte në pamundësi ligjore të kërkonte për proces gjyqësor më të shpejtë dhe kishte kërkuar dënime për trafik qëniesh njerëzore dhe pastrim parash deri në fund.

Mădălina Mocan, një kërkuese në Qendrën për Studimin e Demokracisë, një institut kërkimor në qytetin e Kluj Napoka në veriperëndim të Rumanisë, tha se çështjet e trafikimit në Rumani mbështeten tepër te dëshmitë e viktimave – një kërkesë e madhe për këto të fundit, nëse merret parasysh se gjyqet zgjasin me vite dhe askush nuk merr këshillë psikologjike para se të ulet në bankën e dëshmitarit.

“Pa ndonjë dëshmi të fortë, akuza bëhet tepër e dobët,” tha ajo. “Unë jam [më shumë] e interesuar për paratë që ata kanë bërë, të provuarit se fjala vjen, një Jaguar u ble me paratë nga trafiku.”

Në rastet e trafikimit në Britani, gjykatat mund të dënojnë mbi bazën e vetëm një prove të tillë.

Pas reagimeve ndaj vendimit, gjykata e Harghitës publikoi një deklaratë në të cilën shkruhej se ajo kishte shumë pak gjyqtarë dhe ishte e mbingarkuar me çështje. Ajo përmendi përmasat e mëdha të çështjes Tandarei, e cila përfshinte më shumë se 200 palë, përfshirë dëshmitarë dhe të akuzuar.

Vetë aktpadia ishte 600 faqe e gjatë. Dhe nga viti 2019, kishte mjaftueshëm dokumente gjyqësore sa për të mbushur pesë karroca supermarketi.

Në fund, Inspektorati i Gjyqësorit, i cili mbikëqyr gjyqtarët dhe akuzohet nga kritikët se kontrollohet nga politikanët, gjeti se nuk kishte probleme me këtë gjyq pasi kreu katër inspektime mbi çështjen.

Në një deklaratë për BIRN, Inspektorati tha se gjatësia e procesit ishte si rrjedhojë e kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së provave. Ajo tha gjithashtu se gjyqtari u pre nga “një ngarkesë e madhe në punë” dhe se nga Maji 2017 deri në Shkurt 2019, nuk kishte shtyrje të pajustifikuara.

Oficeri rumun që mori pjesë në hetim tha se ndoshta do të kishte qenë më mirë që të ndahej në më shumë çështje të vogla, të cilat mund të rezultonin më të menaxhueshme se sa një maksiproces. I vetmi sukses, shtoi ai, ishte se “grupi nga Tandarei shpenzoi shumë para për avokatë”.

Ish-deputeti britanik Steen, i cili drejton Fondacionin për Trafikun e Qenieve Njerëzore në Londër dhe shoqëroi policinë në disa operacione në Britani, tha se ka pak gjasa që një çështje e tillë të dështonte në Britani për sa kohë provat ishin solide.

“Nuk e di nëse është korrupsion apo papërshtatshmëri, paaftësi, apo – siç shtyhem të mendoj më shumë – ka një lidhje mes dikujt shumë të pasur ose dikujt në forcën policore apo dikujt në politikë apo një përzierje e kësaj natyre, gjë që pengoi rrjedhën e gjërave në drejtimin e duhur.”

Ish-Inspektori Gravett tha se ai ishte penduar për faktin që ra dakord që udhëheqësit e dyshuar të bandës të gjykoheshin në Rumani në vend që të ekstradoheshin në Britani.

“Nëse do t’i kishim ne, ata do të ishin të gjithë në burg tani,” thotë ai.

Ish-deputeti britanik Anthony Steen, aktualisht drejtues i Fondacionit për Trafikimin e Njerëzve. Foto: Ani Sandu

‘Mbro të dobëtit’

Gjyqi i Tandareit solli raportime negative në media mbi bashkësinë rome në një vend ku ndjenjat anti-rome janë të forta.

Por Duminică nga Agjencia për Zhvillim të Bashkësive Împreună, thotë se kjo çështje nuk duhet të shihet nën lentën e etnisë për shkak se ajo me të vërtetë është për dështimin e shtetit në detyrën për mbrojtjen e të pambrojturve.

Sa për fillim, autoritetet vendëse dhe shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve duhej ta kishin vënë re se fëmijët romë po zhdukeshin, tha Duminică, i cili është edhe vetë rom.

“Kriminelët gjithmonë ndërmarrin rreziqe. Janë institucionet e shtetit ata që bashkëpunojnë me kriminelët ajo që i bën ata të ndjehen se janë bërë të paprekshëm.”

Ai shtoi se zgjidhja ishte që të krijoheshin më shumë mundësi për romët.

“E para, ligji duhet të zbatohet,” tha ai. “Institucionet e shtetit duhet të bëjnë punën e vet.” Duke parë përpara, bashkësia ka nevojë për alternativa të qëndrueshme “mes të qenit lypës, trafikant e diçka të tillë dhe të fituarit të parave”.

Ish-ligjvënësi britanik Steen është dakord.

“Ky është një abuzim me njerëz që janë shumë të pafat dhe jo për faj të tyre, janë jashtëzakonisht të varfër, që jetojnë në varfëri rraskapitëse dhe duan të shpëtojnë prej saj. Dhe për rrjedhojë ata janë pre e lehtë për njerëzit që premtojnë gjëra.”

Ky është një abuzim me njerëz që janë shumë të pafat dhe jo për faj të tyre, janë jashtëzakonisht të varfër, që jetojnë në varfëri rraskapitëse dhe duan të shpëtojnë prej saj.

– Anthony Steen, drejtues i Fondacionit Mbi Trafikimin e Njerëzve.

Procesverbalet e takimeve të këshillit vendor tregojnë se kryebashkiakja e Tandariet, Toma dëshiron të kthejë një shkollë të mbyllur prej kohësh në Strachina në një qendër mjekësore dhe arsimore për romët.

“Ne duhet të fillojmë diku,” tha ajo para një takimi të këshillit në Mars, duke vërejtur se vetëm 10 nga 373 fëmijët në moshë shkolle të kësaj lagjeje ndjekin shkollën. “Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ata janë shtetas të qytezës sonë.”

Toma shtoi se nëse nuk bëhej asgjë për fëmijët, “ne nuk duhet të habitemi kur ata të na godasin në kokë në rrugë”.

Ajo tha se ishte në bisedime me qeverinë e Rumanisë, me Bankën Botërore dhe me qytetin e Madritit për të financuar projektin.

Kryebashkiakja e Madritit, qytet që ka një numër të madh romësh nga Tandarei, vizitoi këtë qytezë vjeshtën e kaluar.

Kryebashkiakja e Madridit Manuela Carmena (e cila tashmë nuk është më në këtë post) mbajti një konferencë për shtyp bashkë me zyrtarë të tjerë – gjatë së cilës ajo ndau një tavolinë me një nga të akuzuarit.

Pastaj ajo shkoi në Strachina dhe vizitoi disa shtëpi. Në rrugë, rrethuar nga romët, ajo foli për median mbi nevojën për t’u siguruar që “qytetarët rumunë që vijnë nga këto për të jetuar në Madrit të kenë një jetë dinjitoze”.

Kryebashkiakja e Tandareit Toma më vonë foli për nevojën për të krijuar kushte të mira jetese në qytezë në mënyrë që “qytetarët tanë të qëndrojnë këtu”.

Fëmijët luajnë në një kodër me ajër në panairin e përvitshëm në Tandarei. Foto: Andrei Pungovschi

Mbi ligjin?

Burime nga agjencitë ligjzbatuese dhe grupimet e të drejtave të njeriut thonë se banda e Tandareit është ende aktive në Britani, Francë, Spanjë dhe gjithkund tjetër – shpesh duke lëvizur fëmijët nga një vend në një tjetër.

“Ata vijojnë të bëjnë çfarë kanë qenë duke bërë prej vitesh dhe ata duket se janë mbi ligjin,” tha Gravett.

Një ekspert i të drejtave të fëmijëve që ka ndjekur aktivitetet e bandës në Francë i tha BIRN se që nga viti 2004, rreth 200-300 fëmijë nga Tandarei dihet se kanë lypur dhe vjedhur në rajonin e Parisit.

Sociologu francez Oliver Peyroux ka takuar rreth 50 prej tyre në vitet e fundit ndërsa kërkonte për një libër mbi shfrytëzimin e fëmijëve në Europën Lindore, libër që mbart një kapitull për Tandarein.

Ai tha se pas hetimit të përbashkët britaniko-rumun, banda ndryshoi strategji: prindërit filluan të shoqërojnë fëmijët e tyre të trafikuar shumë më tepër se sa drejtuesit e bandës.

“Ngadalë ata integruan familjet në rrjetin e tyre,” i tha ai BIRN. “Ata në një farë mënyrë iu përshtatën teknikave të hetuesve dhe gjetën një mënyrë për të krijuar përshtypjen se familja po shfrytëzon vetë fëmijët e vet.”

Ngadalë ata integruan familjet në rrjetin e tyre,” i tha ai BIRN. “Ata në një farë mënyrë iu përshtatën teknikave të hetuesve dhe gjetën një mënyrë për të krijuar përshtypjen se familja po shfrytëzon vetë fëmijët e vet.

– French sociologist Olivier Peyroux

Në Itali, policia njoftoi në Maj se ata kishin kapur 40 romë nga Tandarei dhe pranë qytezës së Feteshtit të dyshuar për përfshirje në më shumë se 100 grabitje.

Pas në Britani, Ushtria e Shpëtimit, e cila ndihmon viktimat e rritura të skllavërisë moderne, tha se ajo kishte vërejtur një rritje të madhe në numrin e rumunëve të shfrytëzuar vitin e kaluar. Në terma të njerëzve të referuar për mbështetje, vetëm shqiptarët dhe vietnamezët vijnë në numra më të mëdhenj.

Në Maj, një grua britanike në qytezën e Ashtonit në veri të Anglisë, pranë Mançesterit, postoi video nga celulari në një grup në Facebook të krijuar për të raportuar krime në zonë. Në të, ajo akuzon një të ri dhe një të re – presupozohet se janë romë – se i kanë vjedhur një parfum nga tezga e saj në treg.

Video u shpërnda shumë, bashkë me një rrëke komentesh ksenofobike.

“Plehrat rumune,” shkroi një përdorues i medias sociale. “MBYLLNI KUFIRIN, VËRINI SHKELMIN,” tha një tjetër.

Nuk dihet se si por video u vu re edhe nga njerëzit nga Tandarei. Shumë prej tyre postuan komente me humor që sugjeronin se vjedhësit e dyshuar ishin shumë të njohur në bashkësinë e tyre.

Dikush tagoi edhe një të ri, duke e identifikuar atë si 20-vjeçari nga qyteza që tani jeton në Gjermani dhe ka bërë burg në Francë.

Analiza e disa dhjetëra llogarive në Facebook nga Tandarei tregon se shumë të rinj atje – përfshirë disa prej të akuzuarve në këtë çështje dhe fëmijët e tyre – janë shumë të prirur të transmetojnë live jetët e veta. Disa quajnë veten “mafioz” dhe “bos” dhe mburren mbi makinat luksoze që ata kanë në plan të blejnë.

Video të tjera tregojnë banorë të Tandareit që vizitojnë të afërm në burgjet britanike. Në një të tillë, pesë të rinj shikohen duke pirë dhe duke dëgjuar muzikë melankolike, të mërzitur se një kushëri i tyre përfundoi në burg.

Në një tjetër video, një grua, djali i së cilës është dënuar në Britani, tregon kuletën e saj dhe thotë se ajo “ka para të mjaftueshme për të varrosur [paguar shpenzimet e kushtueshme për funeralet] e gjysmës së Tandareit”. Ajo shton: “Kjo është çfarë do të thotë të jesh bandit.”

Ndërkohë, apeli i gjyqit në Targu Muresh ecën drejt konkluzionit. Më 10 dhjetor, gjykata zhvilloi seancën e njëmbëdhjetë dhe të fundit. Vendimi pritet të jepet më 23 dhjetor.

Njësoj si në gjyqin e parë, gjykata ka vuajtur për të gjetur dëshmitarë. Dhe edhe kur ata ia dalin, dëshmitarët nuk janë shumë ndihmues.

Gjatë një seance në shtator, prokurorët pyetën një shofer që i pati thënë policisë se ai dërgoi fëmijë romë nga Tandarei përtej kufirit për dy të akuzuar. Ai u tërhoq nga deklarata e tij fillestare, duke mohuar që ai i njihte të akuzuarit dhe duke pretenduar se nuk mbante mend shumë.

“E kuptoj, ju mbani mend [vetëm] atë që keni qejf,” reagoi një gjyqtar.

Nëse gjykojmë nga postimet e tyre në median sociale, të akuzuarit duken jo shumë të mërzitur nga procesi që vijon në gjykatë që prej një dekade.

Në ditën e parë të gjyqit të apelit më 24 prill, një nga të akuzuarit transmetoi live vetveten dhe disa të akuzuar të tjerë duke bërë qejf në një resort malor 200 kilometra në juglindje të Targu Muresh, vetëm pak orë pasi kishin dalë nga gjykata.

Ata u shfaqën të gëzuar, a thua se po merrnin pushime. “Kuajt nuk vdesin kur qentë duan që ata të vdesin,” tha njëri prej tyre.

Në parkingun e resortit, ata i ranë burive plot gëzim a thua se ishte viti i ri.

Në panairin e përvitshëm në Tandarei në shtator, ndërsa njerëzit e të gjitha moshave hynë nëpër lojëra dhe djemtë e burrat zunë radhë për të testuar grushtin e thesi i boksit, Titi mbërriti me një këmishë të bardhë dhe pantallona ngjyrë krem, ndërsa mbante edhe kapelen e bardhë që parapëlqen të mbajë vazhdimisht.

Shoqëruar nga dy gra dhe dy djem, ai ndaloi pranë një kodre rrëshqitëse prej ajri që ishte zbukuruar me imazhe të Tomit dhe Xherrit. Atje, ai i foli njërit prej djemve, me një pamje prej gjyshi që jep një këshillë për jetën.

Pastaj të gjithë u zhdukën nëpër turmë.

Ani Sandu është spikere dhe redaktore në Radion Publike të Rumanisë si dhe një reportere e lirë për DoR, një revistë tremujore jo-letrare. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Redaktimi nga Timothy Large.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera